Thaçi i del në ndihmë, por Haradinaj nuk mund ta formojë Qeverinë brenda 10 korrikut

Politika

Thaçi i del në ndihmë, por Haradinaj nuk mund ta formojë Qeverinë brenda 10 korrikut

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 qershor 2017 Në ora: 12:11
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Dhjetëditëshi i parë i muajit korrik po shihet si afat për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit. Kështu presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, beson se do të Kosova do të ketë institucionet e reja në 10 ditët para të korrikut.

“Duhet të pritet njëherë certifikimi i rezultatit zgjedhor, e se kujt i takon mandati për ta formuar Qeverinë, kjo është përcaktuar nga qytetari i Kosovës. Do të kemi institucionet që do të jenë kredibile, stabile, multietnike e natyrisht të një orientimi të qartë euroatlantik”, kishte deklaruar Thaçi. Por analistët theksojnë se presidenti Thaçi mund të mos e mandatojë kandidatin nga opozita që siguron shumicën, kështu do t’i dilte në ndihmë Ramush Haradinajt.

Ndërsa sipas Kushtetutës së Kosovës, pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Më pas kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse ajo merr shumicën e votave nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, atëherë Qeveria konsiderohet e zgjedhur.

Ndërsa, nëse ajo nuk i merr votat e nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Image
Sadri Ferati

Të mos vonohet formimi i qeverisë

Përfaqësues të partive politike shpresojnë që qeveria të formohet në afate të caktuara kohore, duke mos e mohuar mundësinë që ajo të formohet brenda dhjetëditëshit të parë të korrikut.

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati ka thënë se më mirë do të ishte të formohet qeveria sa më parë.

“Do të ishte variant i mirë që të mos vonohet formimi i qeverisë”, ka deklaruar Ferati për gazetën “Bota sot”.

Image
Bislim Zogaj

PAN formon qeverinë

Ndërsa, kandidati për deputet nga PDK-ja, Bislim Zogaj, duke thënë se beson që koalicioni të cilit i përket ai do ta formojë qeverinë e ardhshme, shpreson që ajo të formohet brenda afateve të caktuara kohore.

“Besoj që në afate kohore që janë të përcaktuara me ligj do të formohet qeveria, sepse besoj që për një apo dy deputetët që i mungojnë koalicionit fitues do t’ia arrijnë qëllimit dhe besoj se në afatin optimal, për të mos thënë minimal, do të formohet qeveria sepse sigurisht që çdo mandatar dëshiron që ta formojë qeverinë sa më shpejt. Dhe në rastin konkret kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj do t’i ketë numrat dhe do ta formojë qeverinë sa më parë”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Image
Bali Muharremaj

Me 12 korrik Qeveria e re

Në anën tjetër, kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se më së largu deri me 12 korrik qeveria e re do të formohet.

“Qeveria nuk mund të bëhet pa u mbledhur kuvendi. E dini që Kuvendi duhet të mblidhet, të zgjidhet kryetari i kuvendit dhe më pas të negociohet për formimin e qeverisë. Mendoj se në dhjetëditëshin e parë të korrikut, pas 10 korrikut, më së largu 12 korrik do ta kemi propozimin e parë për formimin e qeverisë së re”, është shprehur ai.

Image
Enver Hoti

Nisma skeptike

Duke thënë se do të punojnë për formimin e qeverisë, por duke mos dhënë datë, anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Enver Hoti, beson në formimin e shpejtë të qeverisë.

“Ne mendojmë që qeveria do të formohet në afate sa më të shkurtra, përndryshe dëmet janë të paparashikueshme dhe shumëdimensionale, si për vendin ashtu edhe për qytetarët. Nuk e pohojmë as mohojmë formimin e qeverisë në dhjetëditëshin e parë të korrikut, por do të punojmë që qeveria të formohet në një afat sa më të shkurtër dhe Nisma do të punojë shumë në këtë drejtim”, ka deklaruar Hoti për gazetën “Bota sot”.

Image
Ramush Tahiri

“Ramush Haradinaj në duar të PDK-së”

Ndryshe, politologu Ramush Tahiri nuk pret formim të qeverisë brenda periudhës së lartcekur, duke parë mundësinë për formimin e saj në një tjetër periudhë.

“Jo sepse nuk përfundojnë të gjitha procedurat për certifikim të mandateve sepse mund të ketë edhe ndonjë ankesë plus afati dhjetëditësh i presidentit dhe 15 ditësh i mandatarit. sipas të gjitha gjasave Qeveria mund të formohet në dhjetëditëshin e fundit të korrikut ose dhjetëditëshin e parë të gushtit. Kjo varet shumë prej afateve minimale apo maksimale që i shfrytëzon Presidenti dhe prej synimit të PDK-së, jo PAN-it, a dëshiron që ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja, apo dëshiron që përnjëmend  Ramush Haradinajn kryeministër, gjë që në interesat e ardhshme partiake duket një proces i pamundur”, është shprehur Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai tregon se nëse mandatari nuk merr votat i duhura, vendi mund të shkojë në zgjedhje, çka e sheh të dëmshme për vendin.

“Nëse Presidenti e cakton mandatarin në të dyja rastet e që me procedurë nuk mund të zgjasë më pak se njëzet ditë dhe ai mandatar nuk kalon me vota të mjaftueshme prej 61 në Kuvend dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë dëmet për Kosovën do të ishin të mëdha. Edhe procedurale e ligjore janë vështirësitë edhe në organizim sepse tashmë në muajin tetor të këtij viti i kemi zgjedhjet komunale në të cilat zgjedhjet unë nuk pres që këto koalicione të shkojnë bashkë, sidomos nuk pres që koalicioni PAN të dalë bashkë në zgjedhje komunale, megjithëse pati një deklaratë të tillë të nënkryetarit të PDK-së. Nëse Kosova nuk arrin ta bëjë Qeverinë e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe vendi hyn në krizë, atëherë kemi të bëjmë me një marrëveshje parazgjedhore jo të sinqertë, jo parimore, dhe jo në interesa shtetërore”, ka deklaruar ai.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi tregon kush mund ta formojë qeverinë

Duke shprehur që deri me 10 korrik të formohet qeveria e re, njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi, tregon se kush sipas tij do të mund ta formonte qeverinë e ardhshme të Kosovës.

“Duhet shpresuar se deri më 10 korrik qeveria e re do të krijohet. Se kush do ta krijojë qeverinë e re, me ligj i takon partisë ose koalicionit që ka marrë më shumë vota, pra koalicionit të PAN, i cili ka Haradinajn si kandidat të shpallur për kryeministër. Nëse ky koalicion nuk bën shumicën, atëherë do të duhet që ajo parti që garanton 61 deputetë, të marrë mandatin e krijimit të qeverisë së re dhe presidenti duhet të jetë i detyruar ta jap këtë mandate. Shpresoj të mos ndodhë si në Maqedoni me Ivanovin. Por edhe koalicioni fitues me Haradinajn kandidat do të duhet të ketë një afat të caktuar. Nuk mund t’i lihet në dispozicion një kohë pa limit. E kam thënë dhe herë tjetër: Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike kanë mundësi të qartë që të krijojnë një koalicion qeverisës, i cili nuk kondicionohet nga pakicat, megjithëse ata do të duhet të jenë pjesë e këtij koalicioni. Por me VV-në e LDK-në pakicat nuk vendosin, nuk kushtëzojnë vendimmarrjen e qeverisë. PDK, AAK e Nisma në koalicion me LDK-në do të evitonte gjithashtu presionin e pakicave, por jo pjesëmarrjen e tyre në qeverisje. Po kështu Vetëvendosja dhe PAN. Megjithatë unë e shoh gati të pamundur një koalicion të VV me ata që ajo i sulmon për korrupsion, sigël me të cilën VV ka marrë votat e qytetarëve. Nuk ka logjikë gjithashtu që LDK të bëjë koalicion me partinë e Thaçi e të Veselit, për shkak të paqëndrueshmërisë në marrëveshjet e mëparshme”, ka deklaruar Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Duke e parë këtë situatë, ai thotë se fakti që nuk ka përpjekje serioze për një vendimmarrje politike e bën të mendojë se qeveria nuk do të formohet as deri me 10 korrik, duke parë të nevojshme ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

“Qeveria e re nuk do të krijohet deri më 10 korrik e madje as deri në fund të muajit korrik. Nëse krijohet brenda muajit korrik unë do ta quaja këtë një sukses. Por mosmarrëveshjet janë të shumta, të thella e të mëdha, janë parimore dhe konjukturale, madje në ndonjë rast marrin formatin e një konflikti mafioz politik. Kjo më bën pesimist. Kështu që edhe kësaj radhe pritet që faktori ndërkombëtar, sidomos ai amerikan të ndërhyjë për të vënë në binarë institucionet e Kosovës, të cilat rrezikohen nga vetë shqiptarët”, ka përfunduar Bytyçi.

Image
Rexhep Shahu

Se Qeveria e Kosovës nuk do të formohet deri me 10 korrik mendon edhe analisti politik Rexhep Shahu, i cili ka shpreson të mos përsëritet situata e vitit 2014.

“Unë nuk besoj se qeveria e Kosovës krijohet brenda 10 korrikut, por mosbesimi im është vetëm i imi. Shpresoj të mos hyjë në përsëritjen e situatës së zgjedhjeve të kaluara kur u ndërtuan aleanca imorale për bashkëqeverisje”, është shprehur Shahu për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat