Thaçi i ikë arrestimit nga Gjykata Speciale?

Politika

Thaçi i ikë arrestimit nga Gjykata Speciale?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 1 korrik 2017 Në ora: 09:54
Presidenti Hashim Thaçi

Java e ardhshme mund të jetë definitive për fillimin e punës së Gjykatës Speciale pasi që është afati kur Rregurroja e Procedurave dhe Provave do të hyjë në fuqi.

Dhomat e specializuara, javën e ardhshme pritet të funksionalizohen në tërësi dhe Gjykata do të jetë e gatshme të trajtojë çdo parashtesë dhe aktuakuzë që mund të vijë nga Zyra e prokurorit të specializuar, i cili mund të ngrejë padi kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë dy viteve të fundit, ka pasur spekulime se kush do të akuzohet, sidomos pasi raporti i parë i Këshillit të Europës në lidhje me krimet e dyshuara, përmendi emrat e atyre që pretendohet të jenë përgjegjës, duke përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçi. Megjithatë prokurori David Schwendiman deri më tani ka arritur t’i mbajë të fshehtë emrat. Në nëntorin e kaluar, Schëendiman theksoi se objektivi i tij janë kriminelët e dyshuar dhe jo vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Unë i vihem nga pas organizatave apo etnive. Kërkoj përgjegjësinë individuale për atë që është bërë”, u shpreh ai. Gjithashtu mbetet për t’u parë nëse prokurori do të ngrejë padi të mbyllura apo publike.

Gjoshi: Të pandehurit brenda 48 orëve dalin para Speciales

Duke folur në lidhje me këtë, avokati Adrian Gjoshi, ka thënë për “Bota sot” se pas aktvendimit të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, të datës 28.06.2017, me të cilin u konstatua se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, kanë mbetur edhe 4 ditë që kjo rregullore të hyjë fuqi.

Image
Adrian Gjoshi

“Pas 4 ditëve, Dhomat e Specializuara funksionalizohen në tërësi dhe mund ta trajtojnë çdo parashtresë dhe aktakuzë që mund të vijë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Pasi hetimet për krimet e luftës kanë filluar prej kohësh, kjo lë të kuptohet se aktakuzat kanë qenë të gatshme për t’u ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, madje edhe muaj më parë. Prandaj, deri tani, pengesa e vetme ka qenë te Dhomat e Specializuara, meqë kjo e fundit nuk ka mundur të vazhdojë pa e hequr dilemën kushtetuese lidhur me rregulloren e lartcekur. Thuajse gjatë gjithë kësaj kohe, në media është përmendur ngritja e aktakuzave, mirëpo nuk duhet patjetër të ketë aktakuza që Gjykata Speciale të fillojë punën”, ka thënë Gjoshi.

Sipas avokatit, Puna e Gjykatës Speciale mund të fillojë qysh nga urdhërarrestet dhe nga kërkesat për paraburgim.

“Pas urdhëresave për ndalje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të pandehurit duhet që brenda 48 orëve të dalin para Gjykatësve të Gjykatës Speciale (Habeas Corpus). Pra, të pandehurëve do t’u duhet ta ndërrojnë vendqëndrimin dhe dhunshëm të zhvendosën në Hagë”, ka thënë ai.

“Arrestimet e para, jehonë në mediat ndërkombëtare”

Sipas Gjoshit, e gjithë kjo do të realizohet përmes ndihmës së EULEX dhe Policisë së Kosovës.

“Gjykata Speciale është proces i vështirë dhe i dhimbshëm, por ka qenë kreaturë dhe furtunë e pandalshme. Arrestimet dhe aktakuzat e para do të bëjnë jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare dhe kjo do të ndikojë negativisht në imazhin e Kosovës”, ka përfunduar avokati Adrian Gjoshi.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Ndërkombëtarët amnistuan disa politikanë për të mos trazuar situatën

Ndërsa, politologu Faton Mehmeti ka thënë se duke e trajtuar Kosoven " sui generis ", bashkësia ndërkombëtare e ka trajtuar dhe vazhdon të trajtojë Kosovën të tillë. Sipas tij, këtu nuk duhet përjashtuar edhe drejtësia, e cila siç ka thënë ai, ka qenë e lidhur direkt me zhvillimet politike, të cilat për ndërkombëtarët kanë qenë esenciale ne një pikë të vetme, stabilitetin.

“Pikërisht për shkak të stabilitetit, bashkësia ndërkombëtare i ka "amnistuar" disa politikanë për mos të trazuar gjendjen në vend, edhe ashtu të brishtë. Çdo destabilitet në vend i faturohet bashkësisë ndërkombëtare si dështim, prandaj ata edhe kanë "mbyllur" ndonjëherë syrin për të bëmat e politikaneve. Në këtë sens e shoh dhe punën e Gjykatës Speciale, e cila ka paralajmëruar arrestime të "peshqëve të mëdhenj”, ka thënë ai.

“Thaçi mund të arrestohet nga Specialja?”

Sipas tij, punën e Gjykatës Speciale më së miri e ka nuhatur Hashim Thaçi, i cili taktikisht ka bërë disa lëvizje për të luajtur rolin e faktorit të pazëvendësueshëm të bashkësisë ndërkomëtare në Kosovë, si faktor i stabilitetit.

“Përulja para varrezave serbe, përpjekjet për të kthyer bisedimet me Serbinë në nivel ministrash, urimi për Vuçiqin si president i Serbisë etj, janë vetëm disa veprime servile që e mbajnë atë me shpresë se mund t’i ikë arrestimit në emër të faktorit të stabilitetit dhe sigurisë që ka bashkësia ndëkrombëtare në Kosovë. Thaçi po mundohet t’iu thotë ndërkombëtarëve se pa mua nuk ka stabilitet në Kosovë dhe se arrestimi im eventual do të çrregullonte stabilitetin. Kjo edhe mund të shtyjë disi Gjykatën Speciale për arrestimin e "peshqëve të mëdhenj", e cila nëse fillon të futet në lojën e politikanëve të Kosovës do të dështojë, edhe pse është e nevojshme për Kosovën që njëherë e mirë të pastrohet nga të gjithë ata që kanë bërë krime, si gjatë lufte, edhe pas saj. Kosova është e përbashkët , por përgjegjësia është personale për secilin”, është shprehur për gazetën “Bota sot” politologu Faton Mehmeti.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Specialja sjellë pasiguri në vend

Kurse, sipas analistit Blerim Burjani, sinjalet përfundimtare të Gjykatës Speciale do të mund të sjellin edhe pasiguri në vend,jo stabiltet e sidomos kur Kosova ende nuk ka institucione të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

 “Kosova s’ka as institucion të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit, këtu ishte ideja e disa njerëzve të politikës të krijojnë pasigurinë përmes zgjedhjeve dhe ngërçit , të gjithë e kanë ditë se këtë ngërç e kanë berë zgjedhje, pse? Për të shtyer pasigurinë nëse munden për të përballuar Gjykatën Speciale”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjatë çdo arrestimi, ai mund të mbështetet te Policia e EULEX-it, por edhe te forcat policore të Kosovës, si edhe të kërkojë bashkëpunim nga çdo shtet tjetër.

Ligji i Kosovës mbi Dhomat e Specializuara e lejon gjithashtu Prokurorinë të ketë policinë e vet, por se si do të funksionojë ajo në praktikë mbetet ende një sekret për shkak të ndjeshmërisë së detyrës. Megjithatë, shumë njerëz në Kosovë besojnë se ish-guerilët e paditur do të dorëzohen vullnetarisht në Gjykatë.

Kur bëhet fjalë për ndalimin e tyre, policia do të ketë 48 orë kohë nga arrestimi për ta sjellë të dyshuarin para gjyqtarit, i cili do të vendosë masën e ndalimit. Ndërtesat e paraburgimit të Gjykatës do të jenë në Holandë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat