Frika nga Gjykata Speciale, Thaçi i “përulet” Vuçiqit

Politika

Frika nga Gjykata Speciale, Thaçi i “përulet” Vuçiqit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 2 korrik 2017 Në ora: 07:48
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë, e ka uruar homologun e tij të posa zgjedhur serb, Aleksandër Vuçiç për detyrën e re si president i Serbisë. Kurse, në marrjen e detyrës se re si president Vuçiç u betua se Kosovën do ta ruaj si pjesë të territorit të Serbisë.

Presidenti Thaçi nuk u mor me faktin se Serbia nuk e njeh Kosovën e as Kosova Serbinë si shtet. Madje, ai nuk e mori parasysh as faktin dhe deklaratat në vazhdimësi se procesi i dialogut ndërmjet të dyja vendeve duhet të përfundoj me njohje reciproke.

Urim i pavlerë

Urimi i Presidentit Thaçi ndaj Vuçiçit  nuk vlerësohet nga njohësit e çështjeve politike në vend meqë ky urim sipas tyre, është i pavlerë dhe i pa arsyeshëm.

Sipas tyre, presidenti Thaçi nuk është dashur assesi ta urojë Vuçiçin, përderisa ai nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike Artur Roshi ka thënë se është një politikë vasaliteti që bëhet në emër të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Image
Artur Roshi

Sipas tij, të dy palët nuk janë të vërtetë meqë Thaçi mundohet të sillet si Evropian kur dihet që nuk është i tillë dhe Vuçiç betohet për një gjë që ka kohë që ka pushuar së ekzistuari që Kosova është dhe do jetë pjesë e Serbisë.

“Thaçi nuk ka detyrim ta urojë, kur Vuçiç nëpërkëmb integritetin e vendit të tij, por mund të thotë se do bashkëpunoj me të për çështje në interes të Kosovës. Ketë trajtë duhet të kishte deklarata e tij me rastin e zgjedhjes së presidentit të Serbisë. z.Thaçi nuk është se ka treguar ndonjëherë se ka status burri shteti, thjesht është një njeri që pati rastin të ishte në krye të shtetit. Ka dallime thelbësore midis asaj çfarë kërkon Hashimi nga shteti dhe asaj çfarë kërkon shteti prej Hashimit”, është shprehur Roshi.

Respekti duhet të jetë reciprok

Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se ky urim është i pavlerë dhe i pa arsyeshëm.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, nëse duhet të ketë respekt së paku duhet të ketë respekt reciproke.

“Çështjet e tilla nuk kanë ndonjë domethënie e as rëndësie bilaterale, sepse nuk ka kuptim kjo. Ende nuk ka kurrfarë lëvizje pozitive në raporte ndërmjet dy shteteve, dhe ende nuk ka përfundimisht asgjë të re në këtë raporte, atëherë pse të ketë urime? Por sidoqoftë këtu po del se Thaçi na është demokratizuar, por jo edhe Vuçiç”, është shprehur analisti politik Burjani.

Veprim diplomatik

Politologu Mentor Tahiri ka pohuar se mesazhi i urimit që Presidenti i Kosovës i ka dërguar homologut të tij të posa zgjedhur serb, është një veprim i zakonshëm diplomatik dhe gjest kurtuazie.

Image
Mentor Tahiri

Sipas tij, është krejt diçka tjetër fakti që Serbia nuk njeh shtetësinë e Kosovës, por kjo megjithatë nuk duhet të zmbrapsë veprimet diplomatike të vendit tonë, përkundrazi.

“Kosova dhe të gjitha institucionet e saj, duhet të aplikojnë politikë ndaj Serbisë në relacionet shtet-shtet, duke e detyruar fqinjin tonë veriorë që edhe pse ai nuk e njeh realitetin e ri në Kosovë, të ndjejë funksionalisht secilin veprim nga ana e Shtetit të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe analisti politik Faton Mehmeti ka vlerësuar se Hashim Thaçi është politikani më servil, më i padituri dhe më mediokër që ekziston.

“Urimi i tij ndaj Vuçiçit, për postin e presidentit, është pasojë e servilizmit ndaj ndërkombëtarëve. Dhe e gjithë kjo vjen si pasojë e fillimit të punës së Gjykatës Speciale, e cila ka si cak edhe Hashimin. Duke lozur me kartën e servilizmit ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, Thaçi pretendon të jetë fajtor i vetëm i besueshëm i tyre në Kosovë dhe faktor stabiliteti”, është shprehur analisti Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Frika nga Specialja

Ai edhe më tej ka theksuar se stabiliteti është referencë e ndërkombëtarëve, të cilën Thaçi po e përdorë në favor të vetin për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale si kompromis me Bashkësinë Ndërkombëtare.

 “Thaçit i ka hyr lepuri në bark, sepse po shihet qartë se veprimet e tij janë nën ndikimin e frikës. Dhe kështu duke u bërë servil ndaj ndërkombëtarëve Hashimi jep sinjal se është i gatshëm për çdo kompromis vetëm e vetëm që ta shpëtojë lëkurën e tij nga ndjekja penale”, ka thënë Mehmeti.

"Deklarata e Vuçiçit është në linjën e Milosheviçit"

Analisti politik Rexhep Shahu nuk dëshiron të besojë një gjë të tillë që presidenti Thaçi e ka bërë kundrejt Vuçiçit, dhe shpreson që këtë urim ta ketë bërë vetëm për mirsjellje.

Image
Rexhep Shahu

“Dua ta besoj se presidenti Thaçi është nisur nga pozitat e mirësjelljes dhe të zgjatjes së dorës së miqësisë, por ai do të ishte i detyruar ta uronte Vuçiçin, nëse edhe ai apo para ardhësi i tij e kanë uruar Thaçin kur ai u bë president. Shpresojë të jetë këshilluar mirë z. Thaçi kur e ka bërë këtë urim për Vuçiçin, në mënyrë që të mos i lexohet si inferioritet, si frikë apo si servileje ndaj Vuçiçit. E aq më tepër kur deklarata e Vuçiçit është në linjën e Milosheviçit”, ka thënë Shahu.

Zogaj: Thaçi bëri veprimin e duhur

Nga ana tjetër, analisti politik Skender Zogaj ka deklaruar se Kosova dhe shqiptarët e Kosovës me altruizëm e tyre të pashoq e kanë përvetësuar simpatinë dhe përkrahjen e botës demokratike, e cila në momentin kyç, ua kanë shpërblyer qëndrimin paqësor me ndihme ushtarake kundër Serbisë.

Image
Skender Zogaj

Ai ka thënë se ky është fakti historik që, vlen të mos harrohet kurrë, sepse shenjat e identitetit nuk është mirë të ndryshohen.

“Hashim Thaçi ka bërë fort mirë që e ka uruar presidentin serb Vuçiç, me rastin e marrjes së detyrës së presidentit te ri të Serbisë. Ka bërë shumë mirë që e ka uruar, pavarësisht se çka ka thënë Vuqiçi për Kosovën, sepse tashme edhe zogjtë e malit e dinë se, Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, dhe se kurrë më Kosova nuk ka me qenë pjesë e Serbisë! Vuçiçi e din këtë por, i shkreti ka halle me popullin e vet, që ka nevojë të vazhdohet të ushqehet me mashtrime. Pra, se çka thotë Vuçiçi për Kosovën është absolutisht e parëndësishme, dhe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë mirë që e ka uruar, sepse, ky urim është dëshmi edhe më e shkëlqyeshme që, Kosova është shtet, e njohu ose jo Vuçiçi, Kosova është vend i lire dhe i pavarur. Prandaj, pavarësisht se serbet janë treguar gjakatarë, shqiptarët dinë me fal dhe me ofrua miqësi. Këtë mesazh e ka edhe urimi i Presidentit Thaçi, sepse ofrimi i miqësisë gjithmonë është vlerë mirësie, virtyt kombëtar”, është shprehur analisti Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat