Gjykata Speciale “tronditje” koalicionit PAN, mundësi për LDK-në e VV-në

Politika

Gjykata Speciale “tronditje” koalicionit PAN, mundësi për LDK-në e VV-në

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 korrik 2017 Në ora: 16:09
Koalicionit PAN po i zvogëlohen mundësitë për formimin e qeverisë së re, kjo në mungesë të numrave, por edhe për shkak të akuzave të Gjykatës Speciale.

“Dihet se Gjykata Speciale, do t’i godas, nëse mund të thuhet kështu , të gjitha subjektet politike parlamentare në Kosovë, me përjashtim të LDK-së, dhe natyrisht kjo do të mund ta ndihmojë partinë e dytë në këtë rast LV, ndonëse edhe kjo ka një apo dy zyrtarë të sajë që pritën të akuzohen nga Gjykata Speciale, por jo në atë masë të madhe si koalicioni PAN, pra LV së bashku me LDK-në dhe partnerët e saj ta formojnë qeverinë e re të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haziri.

Java e fillimit të korrikut mund të shënojë edhe fillimin e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale dhe kjo pasi Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke i hapur  kështu edhe ligjërisht rrugë prokurorit specialist për ndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Edhe pse asistenti ekzekutiv i Prokurorit dhe Zëvendësprokurorit Specialist, Jospeh L. Hollerd, nuk ka treguar nëse aktakuzat do të ngrihen menjëherë tashmë zërat për aktakuzat e para janë shtuar më tepër.

Fillimi i aktakuzave të para përveç që do të jetë një sfidë jo e lehtë për Kosovën, sipas analistëve politikë, ato do të ndikojnë edhe në komplikimin e situatës pas zgjedhore në Kosovë dhe në vonimin e formimit të qeverisë së Kosovës.

Analistët pohojnë se aktakuzat e Gjykatës Speciale mund të ndikojnë që të formohen klanet tjera dhe krijimin e institucioneve të reja ta bëjë partia e dytë fituese, pra Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tyre, kjo Gjykata më së shumti do të godasë një numër zyrtarësh të lartë nga Partia Demokratike e Kosovës, si dhe nga partitë tjera të koalicionit PAN.

Image
Nexhat Haziri

Gjykata Speciale, sfidë për Kosovën

Analisti Nexhat Haziri, thotë se Gjykata Speciale është një sfidë jo e lehtë për Kosovën, mirëpo ajo tashmë është një fakt i kryer.

“Mendoj se Kosova shumë shpejt do të përballët më një nga sfidat jo të lehta, siç është fillimi i Gjykatës Speciale me akuzat e para të cilat do t’i ngrit në javën e ardhshme, dhe kjo natyrisht se do ta komplikojë  situatën pas zgjedhore në Kosovë dhe po ashtu do të ndikojë në vonimin e formimit të qeverisë së Kosovës. Gjykata speciale tashmë është një fakt i  kryer dhe se nuk shoh arsye për ndonjë klan që do të mund të formohej  për ta penguar punën e kësaj gjykate”, shprehet Haziri.

Sipas Hazirit, Gjykata Speciale do t’i godas të gjitha subjektet politike në Kosovë, me përjashtim të LDK- së dhe kjo gjë do të mund ta ndihmojë partinë e dytë, pra Vetëvendosjen që ta formojë qeverinë e re së bashku me LDK-në.

Haziri shton se koalicionit PAN po i zvogëlohen mundësitë për formimin e qeverisë së re, kjo në mungesë të numrave, por edhe për shkak të akuzave të Gjykatës Speciale.

“Dihet se Gjykata Speciale, do t’i godas, nëse mund të thuhet kështu , të gjitha subjektet politike parlamentare në Kosovë, me përjashtim të LDK-së, dhe natyrisht kjo do të mund ta ndihmojë partinë e dytë në këtë rast LV, ndonëse edhe kjo ka një apo dy zyrtarë të sajë që pritën të akuzohen nga Gjykata Speciale, por jo në atë masë të madhe si koalicioni PAN, pra LV së bashku me LDK-në dhe partnerët e saj ta formojnë qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Kjo do të ishte një zgjedhje pragmatike, ndoshta edhe e vetmja për të mos humbur kohë, pasi PAN-it, çdo ditë e më shumë po i zvogëlohen mundësitë për të formuar qeverinë e re të Kosovës, në mungesë të numrave për ta bërë shumicën e thjeshtë parlamentare, por edhe për shkak të akuzave nga Gjykata speciale për një numër jo të vogël të zyrtarëve politik nga ky koalicion”, pohon Haziri.

Mundësi për LDK-në dhe Vetëvendosjen

Sipas tij, Kosova nuk ka arsye të shkojë drejt një qeverie teknike në rast se akuzat ndodhin këtë javë dhe vonesës së formimit të qeverisë.

“Nuk shoh arsye përse do të duhet ta mendojmë  një opsion të tretë siç është qeveria teknike, mandati i së cilës do të ishte jo më shumë se një vit. Kosova ka nevojë për institucione, respektivisht për një qeveri funksionale që do të dalë nga legjislativi funksional dhe demokratik. Ne sapo kemi përmbyll një proces zgjedhor, i cili edhe pse nuk ka dhënë një fitues absolut për formimin e qeverisë, mendoj se ka vullnet për një shumicë parlamentare paszgjedhore që do të mund ti jap vendit një qeveri kredibile, në rast se dështon koalicioni PAN, që do t’i takojë mandatimi i parë për të formuar qeverinë. Një vonesë të tillë mund ta shkaktojë vetëm presidenti Thaçi, nëse do të refuzon që pas dështimit të PAN-it për ta bërë qeverinë, për t’ia kaluar mandatimin partisë së dytë, e cila do të mund t’ia dëshmonte se ka mundësi për ta siguruar shumicën parlamentare për ta bërë qeverinë. Pra këtë shumicë do të përbënin LV dhe LDK-ja me partitë tjera parlamentare. Nuk besoj se qeveria teknike do të ishte zgjedhje për Kosovën, sidomos për proceset të cilat e presin vendin”, përfundon Haziri.

Image
Faik Krasniqi

Në shënjestër, zyrtarë të lartë nga PDK

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi, shprehet se aktakuzat e para mund të kenë një efekt të thellë në skenën e përgjithshme politike në vend.

Sipas Krasniqit, zyrtarë  të lartë nuk do të jenë të akuzuarit e parë të Gjykatës Speciale.

“Aktakuzat e para nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, të cilat priten gjatë javë, mund të kenë një efekt të thellë në skenën e përgjithshme politike në vend. Në shënjestrat kryesore të këtyre aktakuzave priten të përfshihen një numër zyrtarësh të lartë nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, që ishin pjesë e lidershipit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, gjatë luftës. Por nuk besoj që zyrtarë të profilit të lartë, do të jenë ndër të parët që do të akuzohen nga kjo Gjykatë. Zyrtarët e profilit të lartë do të lihen për më vonë”, thekson Krasniqi.

Sipas tij, aktakuzat do ta dobësojnë PDK-në, por nuk do ta largojnë nga skena politike.

Krasniqi shton se Vetëvendosja mund ta formojë qeverinë si partia e dytë fituese në zgjedhje dhe kjo pasi partitë tjera do të preken nga  Gjykata Speciale, prandaj nuk do të ketë nevojë për qeveri teknike.

 “Aktakuzat do ta dobësojnë PDK-në, por nuk do ta eliminonin atë nga skena politike dhe do të ketë përçarje të mëdha brenda PDK-së, për shkak se do të fillojë një luftë e brendshme, e cila është parë tashmë në debatin e kohëve të fundit. Do të shpërthejë një luftë në lidhje me kush i përket kujt dhe kush mbështeti kë. Mirëpo edhe partitë e tjera do të preken nga Gjykata Speciale. Kjo do t'i jepte mundësi partisë së dytë fituese në zgjedhje, Vetëvendosjes, që ta formojë Qeverinë. Dhe nuk besoj që do të ketë nevojë të krijohet një Qeveri teknike, kur ka parti që mund ta krijojnë Qeverinë”, pohon  Krasniqi.

Image
Hidajet Ahmeti

Jo qeveri teknike

Ndërsa, ndryshe nga analistët që shprehen se aktakuzat do të ndikojnë në formimin e Qeverisë, analisti Hidajet Ahmeti nuk e beson një gjë të tillë.

Sipas Ahmetit, aktakuzat mund të ndikojnë që të krijohet një panik në opinion publik, por assesi të ndikojë në formimin e qeverisë së ardhshme.

“Edhe pse ketë jave mund të fillojnë akuzat e para nga Gjykata Speciale, gjykoj se  nuk do të jetë pengesë për procesin e formimit të qeverisë së ardhshme, pasi që është bazamenti kushtetues e ligjor i cili specifikon qartë procedurat e formimit të qeverisë. Me një kontekst me të gjerë shoqëror, mund të krijohet një panik në opinion publik, por asesi të ndikoj në formimin e qeverisë  së ardhshme”, nënvizon Ahmeti.

Ai shton se brenda kornizës institucionale duhet t’i jepet mundësia secilit subjekt politik që në koalicione pas zgjedhore apo para zgjedhore t’i bëjë numrat për formimin e qeverisë së ardhshme dhe nuk duhet të ketë hapësirë për një qeveri teknike.

“Brenda korrnizës institucionale duhet t’i jepet mundësia çdo subjekti politik i cila në koalicione paszgjedhore apo parazgjedhore të bëjë numrat për formimin e qeverisë së ardhshme, por asesi nuk duhet lejuar  të përsëritet ngërçi politik i vitit 2014, pasi që faturat e kësaj do t’i bartin qytetarët e Kosovës, edhe ashtu të lodhur nga ky mjerim socio-ekonomik. Gjykoj se nuk ka hapësirë për një qeveri teknike, pasi që është baza kushtetuese e ligjore, e nëse brenda kësaj kornize institucionale nuk mund të formohet qeveria e ardhshme atëherë është mundësia  e një opsioni për një qeveri teknike. Momentalisht, është e rrugës që institucionet përgjegjëse të respektojnë  kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, e atëherë kur nuk bëhet zgjidhje brenda kësaj kornize, mund të mendohet për një qeveri teknike”,  përfundon Ahmeti.

Siç është raportuar deri më tani cak i Gjykatës Speciale do të jenë kryesisht zyrtarë nga koalicioni PAN, koalicion ky që është fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, ndërsa në një artikull të gjatë për Kosovën gazeta gjermane, Der Spiegel, ka shkruar se subjekt i ndjekjes së Speciales mund të jetë edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat