Delawie: Kushtetuta amerikane model për shumë vende tjera

Politika

Delawie: Kushtetuta amerikane model për shumë vende tjera

Më: 4 korrik 2017 Në ora: 11:52
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë dhënë Radio Kosovës ka folur lidhur me 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve , duke thënë se Kushtetuta amerikane ka qenë model për shumë vende të tjera.

Ai tha se 4 korriku është përvjetori i nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë që në njëfarë mënyre ka qenë edhe BREXIT- i parë, qysh atëherë

Sipas tij, sfidat me të cilat përballet Kosova, janë në atë se shumë njerëz ndjehen sikur kanë ngecur në një vend dhe nuk shohin përparim.

“Natyrisht edhe në SHBA ka pasur periudha kur kemi qenë në situata të tilla, kur është dukur se kishim një lloj ngërçi, por të gjitha ato janë tejkaluar atëherë kur udhëheqësit e vendit janë bërë bashkë dhe kanë punuar për të mirën e vendit. Kanë gjetur zgjidhje të ndryshme, kanë gjetur kompromise të ndryshme për çështje të rëndësishme”, tha ambasadori amerikan Delawie në një intervistë dhënë Radio Kosovës. 

Z. Ambasador, 4 korriku është datë e rëndësishme për ju amerikanët, por edhe një vëmendje për e veçantë për të tjerët në botë?

Delawie: Faleminderit shumë për mundësinë dhe është kënaqësi që jemi bashkë me ju këtu.. Siç e përmendet dhe ju 4 korriku është përvjetori i nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë që në njëfarë mënyre ka qenë edhe BREXIT- i parë, qysh atëherë. Por, ai moment ka shënuar edhe themelet dhe themelimin e SHBA. Pra është fjala për 4 korrikun, kurse kushtetuta që ne e shënojmë po ashtu, është nxjerrë 11 vjet më vonë. Është një prej festave, që me siguri më të këndshme për amerikanët, sepse kemi rast të kalojmë momente me familjet tona. Ka po ashtu fishekzjarre që i ndezim dhe forma tjera të festimit bashkë me familjarët. Me siguri është ndër festat më të pëlqyeshme për të gjithë amerikanë, jo për shkak të simbolikës së vet, por po ashtu edhe për shkak se shënon fillimin e verës, është fundi i vitit shkollor, fëmijët janë në pushim . Kështu që shumë amerikanë kanë gjasa që ta kalojnë këtë festë bashkë me familjet e tyre dhe ta kenë një ditë të këndshme në Shtetet e Bashkuara.

A ndërron forma e festës së pavarësisë, me ndryshimin e qeverive, qoftë brenda Amerikës, apo edhe nga diplomatë të saj në botë?

Delawie: Mendoj se si 4 korriku, dita e pavarësisë, varet nga vetë njerëzit se si festohet. Populli është ai që e nxit festimin e kësaj dite. Nuk ka shumë dallim prej vitit në vit. E sa i përket diplomatëve amerikanë të cilët e kremtojnë këtë festë jashtë vendit të tyre, ne zakonisht mbajmë ceremoninë e pritjes për Ditën e Pavarësisë, ku i ftojmë shumë njerëz, nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe politike, me të cilët kemi punuar gjatë vitit paraprak, për shembull këtu në Kosovë. Para disa ditësh ne kemi mbajtur ditën tonë kombëtare. Ka qenë pak më ndryshe se herat e kaluara. Por kjo ka qenë vetëm dëshira të ndryshojmë pak mënyrën se si ne këtu festojmë prej disa vitesh.

Z. Ambasador, iu flitet fëmijëve në shkolla, në familje, për historinë e SHBA, për kushtetutën, për ditën e para 241 vjetësh kur është shpallur pavarësia e SHBA?

Delawie: Po, po iu flitet. Të paktën fëmijët e mi, të cilët kanë qenë në shkollë publike kanë mësuar për këtë dhe kjo është një përvojë e cila është në të gjitha shkollat publike. Ne në SHBA vlerësojmë se është shumë e rëndësishme që të mësojmë jo vetëm historinë tonë, por edhe historinë botërore. Fëmijët qysh herët njihen me të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me revolucionin amerikan, ndarjen prej Mbretërisë së Bashkuar dhe po ashtu të gjitha ngjarjet e rëndësishme nga 1776 e deri sot.

Kushtetuta Amerikane ka shërbyer si model për vendet tjera në botë?

Delawie: Po, unë mendoj se Kushtetuta e SHBA_ve ka qenë model për shumë vende të tjera. SHBA janë vendi demokratik, me demokraci të vjetër dhe të vazhdueshme. Shumë vende, të cilat kanë sisteme të tjera demokratike që mund të ndryshojë pak sa prej sistemit amerikan, sepse shumë vende kanë Kuvend, apo Parlamentin, kurse ne e kemi Kongresin. Megjithatë, tema kryesore, apo pikat kyçe të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, mendoj se kanë qenë bazë për shumë vende të tjera demokratike dhe kushtetutat e tyre dhe kjo është shumë pozitive.

Për ta përmbyllur këtë bisedë z. Ambasador. Me çfarë sfidash hyni në vitin tjetër, të një përvjetori të ri të SHBA, qoftë brenda, apo edhe jashtë SHBA-ve?

Delawie: Mendoj se është e rëndësishme të shihet edhe porosia të cilën e kam thënë edhe në fjalimin tim, në ceremoninë e festimit të 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë, këtu në ambasadën tonë dhe këtë fjalim mund ta gjeni edhe në faqen e ambasadës. Mendoj se sfidat me të cilat përballet Kosova, meqenëse unë punoj pikërisht në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA, janë në atë se shumë njerëz ndjehen sikur kanë ngecur në një vend dhe nuk shohin përparim. Natyrisht edhe në SHBA ka pasur periudha kur kemi qenë në situata të tilla, kur është dukur se kishim një lloj ngërçi, por të gjitha ato janë tejkaluar atëherë kur udhëheqësit e vendit janë bërë bashkë dhe kanë punuar për të mirën e vendit. Kanë gjetur zgjidhje të ndryshme, kanë gjetur kompromise të ndryshme për çështje të rëndësishme. 

Mendoj se Kosova është në një pikë kthimi. Populli i Kosovës dëshiron progres.  Shumë njerëz nuk po shohin përparim të mjaftueshëm dhe nuk do të duhej të ishte si një lloj ngecje. SHBA dëshirojnë të ndihmojnë Kosovën në përparimin e saj. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën, siç e shohim çdo ditë, vend sovran, shumetnik, në paqe me fqinjët e vet, e cila është plotësisht e integruar në komunitetin më të gjerë botëror. Dhe jemi të gatshëm të punojmë me gjeneratën e ardhshme të udhëheqësve të Kosovës, të cilët ndajnë të njëjtat vlera”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat