AAK e fton Mustafën: Hajde në qeveri me Ramushin kryeministër

Politika

AAK e fton Mustafën: Hajde në qeveri me Ramushin kryeministër

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 23:39
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Muharrem Nitaj në emër të AAK-së i është përgjigjur kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa për ofertën që së bashku ta formojnë qeverinë e re.

Nitaj ka thënë se koalicioni i PAN me kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj do ta bëjë qeverinë, por se edhe Mustafa duhet t’i harrojë inatet dhe t’i bashkohet Haradinajt.

“Ne nuk jemi hajgerexhi. Opinioni publik dhe secili duhet ta dijë se ne e kemi një koalicion parazgjedhor fitues, i cili e ka një të nominuar për kryeministër e ai është Ramush Haradinaj. Ky koalicion do ta bëjë qeverinë, por do të ishte me interes për vendin, që politikanët në Kosovë, në këtë kuadër edhe zoti Mustafa, t’i harronin inatet personale dhe të bashkoheshin përreth Ramush Haradinajt, në mënyrë që Kosova ta kishte një qeveri stabile. Kjo nuk do të ishte as qeveri e PDK-së, as e LDK-së e as e AAK-se, por e të gjithëve bashkë”, ka thënë Nitaj.

Ai tutje ka thënë se edhe nëse kjo nuk është e mundur, PAN-i me ose pa LDK-në, do ta krijojë qeverinë.

“Nuk e kemi hallin e numrave, por do të donim që në qeverinë e ardhshme të përfshiheshin sa më shumë përfaqësues të zgjedhur të popullit. Thash, është me interes që të kapërcehen inatet personale dhe të krijohet një qeveri me një bazë sa më të gjerë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat