Cili burg i radhës po e pret Sami Lushtakun?

Politika

Cili burg i radhës po e pret Sami Lushtakun?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 korrik 2017 Në ora: 15:04
Sami Lushtaku

Gjykata Supreme të hënën ka marrë vendim për lirimin e Sami Lushtakut, nga akuzat dhe masat e paraburgimit.

sh- kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në maj të vitit 2015 me 12 vjet burg për akuzën e vrasjes, vrasje këto të kryera ndaj komunitetit serb gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njohësve politikë dhe juridikë, lirimi i Lushtakut ka dëshmuar se akuzat ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, kanë qenë të padrejta.

Halimi: Akuzat ndaj ushtarëve të UÇK-së, të padrejta

Image
Armend Halimi

Njohësi i çështjeve juridike, Armend Halimi, konsideron se procesi i akuzës dhe gjykimit të ushtarëve të UÇK-së, që nga fillimi ka qenë padrejtësi.

“Procesi i akuzës dhe gjykimit të ushtarakëve të UÇK-së, që nga fillimi është ditur se është agjendë e politikës, ngase nëpërmes këtyre proceseve është synuar dhe synohet balancimi i të drejtës, përkatësisht padrejtësisë, duke i humbur kuptim krimit dhe viktimizimit që këto në rastin e luftës tonë kanë qenë shumë qartë”, ka pohuar Halimi për “Bota sot”.

Ndërsa, gjatë daljes nga burgu i sigurisë së lartë në Gërdoc,  ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, është shprehur se ka dalë nga një burg, mirëpo do të hyjë në burg tjetër.

“Kosova, burg potencial për Lushtakun dhe të tjerët”

“Kërkesa ime dhe e bashkëluftëtarëve ka qenë që të ketë drejtësi në këtë vend. Unë po dal nga një burg në të cilin isha, por po më duket se po hyj në një burg tjetër”, ka thënë Lushtaku në paraqitjen e tij të parë publike pas lirimit nga burgu në Gërdoc, duke mos treguar se për çfarë burgu e kishte fjalën.

Sipas Halimit, ky fjalim i Lushtakut nënkupton që nëse vazhdohet politika e tillë e gjykimeve, Kosova vërtetë do të jetë një burg potencial.

“Fjalimi i Lushtakut, mund të përkthehet se ka dalë nga muret e një burgu të vogël, por nëse vazhdohet politika e tillë e gjykimeve, Kosova vërtetë do të jetë një burg potencial për çdo njeri, kjo jo vetëm me gjykime ndaj UÇK-së, por edhe gjendjes së përgjithshme që e karakterizon vendin, me zhvillim të ulët ekonomik, krim të organizuar, korrupsion, etj.”, ka theksuar Halimi.

Ish-eprori i UÇK-së: Asnjë vrasje e supozuar nga UÇK-ja nuk është bërë pa dijeninë e Hashim Thaçit

Image
Naim Miftari

Ish-eprori i UÇK-së dhe ish-anëtari i SHIK-ut NaimMiftari, ka komentuar lirimin nga burgu të ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku.

Miftari, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se lirimi i Sami Lushtakut tregon se në Kosovë bëhet spektakël me ligjin.

Sipas Miftarit, ish-pjesëtarët e UÇK-së arrestohen, ndërsa kriminelët serbë ecin lirshëm në Kosovë.

“Po lirimi i Sami Lushtakut tregon se në Kosovë ka eufori ku bëhet spektakël me ligj, së pari pasi vet arrestimi dhe krejt gjykimi ka qenë një  shfaqje ku shumë herë u akuzua për një vrasje që kinse as nuk i dihet as identiteti, rast unik në mbarë botën sa i përket drejtësisë kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së, kurse OliverIvanoviqi dihet si vrasës pasi ka me dhjetëra viktima me emër dhe mbiemër, ka qindra dëshmitar, por prapë lirohet… Kjo tregon se çfarë lloj të drejtësisë kemi në vendin tonë. Ose marrim rastin e SyljemanSelimit, ish-komandantit të UÇK-së, i cili u dënua dhe mbahet në burg kinse paska rrahur një person gjatë luftës si i dyshuar për bashkëpunëtor i sigurimit serb (UDB) për kinse disa shpulla që  i paska dhënë gjatë luftës dënohet 14 vite burg ....!! Kurse krimineli gjenerali serb Dinkovic ecë lirisht nëpër Kosovë, mban akoma pozitë të lartë ushtarake në Serbi dhe vjen edhe në Kosovë në takime zyrtare me KFOR-in edhe pse mban përgjegjsi për mijëra vrasje të civilëve shqiptarë”, është shprehur Miftari.

Ai ka thënë se UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte, edhe pse sipas tij, ekzistojnë disa që e kanë shfrytëzuar luftën dhe uniformën për t’u pasuruar.

Sipas Miftarit, asnjë vrasje e supozuar nga pjesëtarët e UÇK-së nuk është bërë pa dijenë dhe miratimin e ish-liderit, tashmë Presidentit, Hashim Thaçit.

“E them me plot bindje se UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte. Edhe nëse ka fajtorë, janë disa individë që kanë shfrytëzuar luftën dhe uniformën e shenjtë të UÇK-së  për t’u pasurur dhe për t’i plotësuar egot e tyre,  ku shpeshherë luftën e kanë përdorur  për hakmarrje të mëhershme private. Si  UÇK, kemi bërë edhe gabime siç kanë bërë edhe shumë ushtri tjera, por kundër UÇK-së nga pas lufta është bërë dhe po bëhet akoma gjueti shtrigash. E ceki edhe një herë se asnjë vrasje e supozuar nga pjesëtarë të UÇK-së nuk është bërë pa dijenë dhe miratimin e ish-liderit Hashim Thaçit që e kem sot "president" të shtetit dhe i cili mban përgjegjësinë  krysore pse pas luftës gjerë edhe sot nuk është ndaluar gjuetia e shtrigave kundër UÇK-së edhe pse 99% të ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së janë të pastër dhe të pafajshëm dhe as që kanë ndonjë lidhje me krime lufte ose pas luftës. E vërtetë se disa ish-komandata kryesor pas luftës kanë shkelur ligjin, kanë kryer krime të ndryshme nga vrasjet, krimi i organizuar dhe janë  korruptuar gjerë në palcë dhe janë pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe janë multi-milonerë sot”, ka Miftari për gazetën “Bota sot”.

Rasti Lushtaku, çështje e organeve të rendit

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, ka thënë se fakti që Lushtaku është liruar nga aktakuzat, është çështje e organeve të rendit.

“Ai është liruar nga të gjitha aktakuzat. Njëherë nuk ka asnjë paralajmërim tjetër nga prokuroria, pra është çështje e organeve të rendit”, ka vlerësuar Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat