Skenari i Thaçit dhe Vuçiqit për dialogun në Bruksel

Politika

Skenari i Thaçit dhe Vuçiqit për dialogun në Bruksel

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 10 korrik 2017 Në ora: 10:50
Takimi i Thaçit me Mogherinin dhe Vuçiqin në Bruksel

Dialogu Kosovë-Serbi ishte pezulluar përkohësisht, derisa Kosova ishte në prag zgjedhjesh. Por, përfaqësuesit e të dyja palëve u zotuan se dialogun do ta vazhdojnë sërish. Ndonëse përmendej mundësia që dialogu të vazhdoj në nivel presidentësh, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i nisi bisedimet, me një vendim që e mori vetëm ai. Madje këtë e bëri të ditur, vetëm një ditë para se të udhëtonte për në Bruksel.

Pas kësaj vizite ku Presidenti i vendit Hashim Thaçi, takoj homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, ai ka thënë në Bruksel se kanë diskutuar për domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut mes dy shteteve.

“Ishte konkludim i përbashkët që vetëm pajtimi dhe normalizimi mes vendeve tona, paraqet më tepër paqe dhe stabilitet për rajonin dhe për vet shtetet tona. Ne i dhamë besimin e plotë për zonjën Mogherini për ndërmjetësim të këtij dialogu. Jemi dakorduar që ky proces të jetë sa më shpejt i arritshëm dhe i implementueshëm. Dua të besoj se ky proces nuk do të jetë garë se kush kë do ta mund por proces i standardeve dhe vlerave i të dy vendeve dhe popujve tanë. E këto vlera, janë ato evropiane”, ka thënë Thaçi.

Një muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, partitë politike ende nuk kanë ndonjë qëndrim se si do të vazhdojnë me dialogun me Serbinë.

Ish-ministrja për Dialog Edita Tahiri, nuk e ka komentuar fare nëse dialogu do të vazhdojë në nivel presidentësh apo ajo do të udhëheq sërish këtë dialog.

Ndërsa, analistët politikë mundësinë e kalimit të bisedimeve në nivel presidentësh e shohin si fazë të fundit të këtij dialogu, që mund të përfundojë me njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, nga ana e Serbisë.

Dialogu përfundon me njohjen e Kosovës nga Serbia?

Image
Albrim Badallaj

Kështu ka vlerësuar, njohësi i çështjeve politike, Albrim Badallaj. Por sipas tij, nuk është e qartë pse ka ndodhur ky ndryshim.

“Realisht, ky format i dialogut është paralajmëruar që prej kohësh dhe si i tillë është përcaktuar nga ndërmjetësit europianë. Ky kalim i bisedimeve në nivel presidentesh është parashikuar që të jetë më tepër edhe si përmbyllje e bisedimeve, që do të konkretizohet me njohjen e Kosovës si shtet, nga ana e Serbisë. Mirëpo e vetmja arsye që s'kuptohet, se pse ka ndodhur ky ndryshim, meqë presidenti tek ne më tepër ka rol "simbolik", duke mos pasur fuqi, në një sistem që është Republikë Parlamentare”, ka vlerësuar Badallaj.

Badallaj: Shqetësues dialogu pa kushtëzime

Sipas tij, bisedimet në këtë nivel mund edhe të mos jenë të dëmshme, por ai ka theksuar se është shqetësues fakti se Kosova ende po vazhdon bisedimet pa kushtëzime për shtetin serb.

“Ndoshta bisedimet në këtë format nuk sjellin ndonjë dëm, pos që tentohet nga ana e ndërmjetësve europianë, që të ketë bashkëpunim nëpër të gjitha institucionet dhe të ketë afrime në këtë drejtim. I vetmi shqetësim mbetet se Kosova ende vazhdon në bisedime, pa kushtëzime me shtetin serb, e poashtu skepticizmi më i madh është se çfarë do të sjellin bisedimet për disa çështje të ndishme si rasti i Asosiacionit”, ka thënë Badallaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Bisedimet në nivel presidentësh, skenar i Thaçit

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi ka thënë se përfaqësuesit e Kosovës në këto bisedime i kanë komplikuar dhe bllokuar ato.

“Nga përvoja e procesit të deritashëm është dëshmuar se negocimi ka qenë jo efikas, se pushteti ekzekutiv dhe shumica prej atyre që kanë marrë pjesë në dakordimin e çështjeve politike, i kanë komplikuar ato marrëveshje dhe pastaj e kanë bllokuar zbatimin e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, zgjedhja e Aleksandër Vuçiqit si president, mund të ketë ndikim në këto bisedime.

“Fitorja dhe zgjedhja e Aleksandar Vuçiqit në postin e presidentit të Serbisë, mund të ndikojë edhe në dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar ai.

Sipas Krasniqit, në një të ardhme të afërt mund të ketë bisedime në nivel presidentësh, dhe se “skenari me zgjedhjen e Thaçit dhe Vuçiqit president, ka qenë i përgatitur më parë”.

“Dhe me kalimin e Thaçit në pozitën e presidentit dhe të Vuçiqit, po në pozitën e presidentit, i shoh në kontekst të atij dizajni në të cilin besoj që është menduar që nga fillimi nga akterët e përfshirë në proces të zgjedhur nga BE-ja dhe eventualisht edhe nga SHBA-të. Konsideroj që protagonistët kryesorë që kanë filluar këtë dialog edhe do t’i japin epilog. Besoj shumë që në një të ardhme jo shumë të largët, do të kemi dialog në nivel të presidentëve”, ka theksuar Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat