“Nuk ka rrugë tjetër, kështu duhet të veprojë Presidenti për dhënien e mandatarit”

Politika

“Nuk ka rrugë tjetër, kështu duhet të veprojë Presidenti për dhënien e mandatarit”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 korrik 2017 Në ora: 10:05
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Zgjedhja e Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë aktualisht është në duart e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Nga presidenti Thaçi që deri vonë ishte kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, partitë politike presin që të respektoj Kushtetutën e Kosovës, dhe t’ia jap mandatarin atyre që u takon sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

PAN i cili doli si koalicioni i parë në këto zgjedhje, por që nuk mori mjaftueshëm vota për të formuar Qeverinë thotë se kanë siguruar numrat e nevojshëm dhe me të marr të drejtën nga presidenti dhe do të formojnë institucionet.

Image
Adnan Rrustemi

Rrustemi: Mandatari nuk është në dorën e Thaçit

Kurse, edhe partitë tjera, të cilat thonë se koalicioni PAN është humbësi i këtyre zgjedhje, nuk do të arrijë të formoj qeverinë dhe se mandatari u takon edhe atyre siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Kështu deklarohet edhe aktivisti i Vetëvendosjes dhe anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga kjo parti, Adnan Rrustemi.

“Në një demokraci kushtetuese dhe parlamentare, çështja e mandatarit, sikurse asnjë çështje tjetër nuk i lejohet vullnetit të individit, kushdo që të jetë ai. Edhe në këtë rast, mandatari i dytë nuk është as në dorën e  Hashim Thaçit e as nuk varet nga vullneti i tij”, thotë Rrustemi për “Bota sot”

Sipas tij, këtë të drejtë që e gëzon Vetëvendosja po e presin edhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Kjo është çështje kushtetuese dhe është detyrim kushtetues i tij që ta përmbush procedurën, duke i dhënë subjektit të radhës mandatin për krijimin e Qeverisë. Kjo është edhe e drejtë dhe ajo çfarë presin qytetarët e Republikës, përveçse edhe kushtetuese”, thekson Rrustemi.

Image
Albulena Haxhiu

Po ashtu edhe bashkëpartiakja e tij Albulena Haxhiu thotë se Presidenti Thaçi po keqinterpreton vendimet e Kushtetuesës sa i përket mandatarit. Sipas saj, ai nuk po përfaqëson të drejtat e popullit, por interesat e koalicionit PAN, përkatësisht ato të Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt.

“I ashtuquajturi President, qëllimisht po keqinterpreton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatarin. I njëjti Kushtetutën po tenton ta kthej në marrëveshje të koalicionit dhe jo kontratë shoqërore. Kjo dëshmon edhe njëherë atë që i njëjti ndonëse do të duhej ta përfaqësonte unitetin e popullit po mundohet t'i ruaj interesat e pazaret e Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt”, shkruan Haxhiu në Facebook.

Sipas saj, këto veprime të Presidentit Thaçi po ngjasojnë me ato të Presidentit të Maqedonisë, George Ivanov.

“Veprimet e tij ngjasojnë me ato të Ivanovit. Qytetaret kane vendosur ne zgjedhjet e 11 qershorit! PDK ne opozite :) As ai por edhe askush tjetër nuk guxon të shkelë mbi vullnetin e qytetarëve”, shkruan Haxhiu.

Thaçi: Të respektohet vendimi i vitit 2014

Ditë më parë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do të zbatojë vendimin e Gjykatës së Kushtetuese të vitit 2014 në lidhje me mandatarin për formimin e institucioneve të reja.

Ai ka thënë se vendimi  i Kushtetueses tregon qartë se fituesi i zgjedhjeve, në këtë rast koalicionit PAN, i takon e drejta për formimin e qeverisë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 është i qartë pa mundësi të interpretimeve politike. Fituesi e formon Qeverinë”, ka thënë Thaçi.

Image
Blerim Burjani

Por a mund te bllokoj Presidenti Thaçi formimin e institucioneve në rast se synon ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, nëse PAN nuk i arrin numrat?

Në këtë rast analistët dhe njohësit e çështjeve juridike thonë se Presidenti Thaçi duhet të respektoj patjetër vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kështu Blerim Burjani, njohësi i këtyre çështjeve thotë se Presidentit Thaçi nuk i ka mbetur tjetër rrugë, vetëm të zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ai duhet të respektoje kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tjetër rrugë nuk ka, duhet të zaptojë vendimin e gjykatës”, vlerëson Burjani për gazetën “Bota sot”

Kandidatura e dytë

Poashtu edhe eksperti i kësaj fushe, Muhamet Kelmendi duke iu referuar kushtetutës thotë se Presidentit Thaçi i takon vetëm të përcaktoj se kush do të marr mandatin në raundin e dytë.

“Nga presidenti Thaçi varet se kush dhe  cila parti në raandin e dytë do të marrë mandatin. Sipas nenit 95, paragrafi 4, në raundin e dytë mandatin e merr brenda 10 ditëve kandidati tjetër, sipas të njëjtës procedurë. Kjo do të thotë se te presidenti qëndron fakti se kush do të emërohet me kandidaturën për formimin e qeverisë”, vlerëson Kelmendi.

Siç thekson ai, kjo është tashmë e rregulluar me vendimin e Gjykaës Kushtetuese në vitin 2014.

Image
Muhamet Kelmendi

“Këtë e ka rregulluar edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Mundet subjekti i njëjtë a koalicioni të ngarkohet për qeveri ,po mundet edhe subjekti e kandidati tjetër”, thotë Kelmendi.

Zyra për informim e Presidencës nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me akuzat që i janë bërë Presidentit nga Vetëvendosje.

Ndryshe, të shtunën Komisioni Qendrori Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve  të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, sipas të cilave koalicioni PAN ka fituar 33.74 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosja është e dyta me 27.49 për qind dhe koalicioni LAA është i treti me 25.53 për qind.

Rezultatet i ka bërë të ditur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një konferencë për media.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat