Paralajmërohet legjislatura më e nxehtë që nga paslufta

Politika

Paralajmërohet legjislatura më e nxehtë që nga paslufta

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 12 korrik 2017 Në ora: 07:51
Kuvendi i Kosovës

Pas certifikimit të zgjedhjeve të 11 qershorit, presidenti i vendit Hashim Thaçi pritet të thërras seancën konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN ka pohuar se kandidati i tyre për kryetar Kuvendi do të jetë Kadri Veseli. Ky i fundit as mandatin e kaluar nuk është parë si njeriu i duhur për të parin e Kuvendit, derisa edhe ketë  herë ka pakënaqësi të mëdha. Konstituimi i Kuvendit të Kosovës do të behet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, derisa të drejtën për formimin e qeverisë do ta ketë koalicioni fitues i zgjedhjeve. Kryetarit të Kuvendit i duhen 61 vota për të zënë pozitën e kryetarit, derisa PAN është i bindur se më të parën herë Veseli do të zgjidhet.

Presidenca tregon procedurat

Kurse në përgjigjen që kemi marr nga zyra e Presidentit të Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi të hënën thuhet se “Zyra e Presidentit sot ka pranuar njoftimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 11 qershor 2017.Tash pas certifikimit të rezultateve përfundimtare, Presidenti thërret seancën e parë të Kuvendit, e cila duhet të mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Më pas, përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e mëparshme. Pas mbajtjes së mbledhjes konstituive të Kuvendit, verifikimit të mandateve të deputetëve të Kuvendit dhe zgjedhjes se Kryetarit dhe pesë (5) nënkryetarëve, partia politike ose koalicioni parazgjedhor që ka fituar shumicën në Kuvend i propozon Presidentit të Republikës së Kosovës mandatarin për formimin e Qeverisë. Presidenti, sipas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, cakton mandatarin për formimin e Qeverisë dhe i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër. Kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit” thuhet në përgjigjen e zyrës se presidentit për gazetën “Bota sot”.

Në anën tjetër, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK Isa Mustafa, nuk është përgjigjur nëse do ta votojnë kreun e PDK-së, Kadri Veseli për kryetar të Kuvendit, duke thënë se ende nuk kanë propozim dhe se kjo varet nga grupi parlamentar.

 “Nuk kemi asnjë propozim për kryetar të Kuvendit dhe nuk e diskutojmë këtë përderisa ai mos të propozohet. Kur të propozohet varet prej grupit parlamentar”, theksoi ai.

Vetëvendosje nuk do ta votojë Veselin

Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese pozita e kryetarit të Kuvendit i takon grupit më të madh paralamentar që ka dal nga zgjedhjet.

Image
Shqipe Pantina

Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për “Bota sot” se ne bazë të Kushtetutës Presidenti duhet ta thërras seancën konstituive brenda 30 ditësh nga data e certifikimit të rezultateve.

“Sipas interpretimit të gjykatës kushtetuese pozita e kryetarit të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar që del nga zgjedhjet e në këtë rast koalicionit PAN” ka thënë ajo.

Sipas saj, Kadri Veseli nuk do të ishte personi i duhur për të drejtuar Kuvendin e Kosovës duke pas parasysh përvojën nga legjislatura e kaluar e cila sipas saj në shumë raste dështoj të mbaj seanca për shkak të udhëheqjes se dobët të Kadri Veselit i cili shpesh edhe ka fyer deputetet.

Mos votimi i Veselit çon vendin në zgjedhje

Konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet brenda afatit 30 ditësh që nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore. Muharrem Nitaj nga AAK e cila është pjesë e Koalicionit PAN e që kandidati për kryeministër është Ramush Haradinaj ka thënë se shumë shpejt do të thirret seanca.  

Image
Muharrem Nitaj

“Ka afate kushtetuese për këtë proces. Kjo është çështje e marrëveshjeve se kur do të thirret seanca. Unë besoj se kjo punë do të ndodhë shumë shpejt.  Nuk është në diskrecionin e partive politike për ta pranuar ose jo Kadri Veselin, kryetar të Kuvendit. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë dhe as që mund të shtrohet si pyetje”.

Sipas Nitaj  PAN-i e  ka rezultatin më të mirë ne zgjedhje dhe ati i takon kryetari i Kuvendit. Kjo nuk mund të ndryshohet. “Është çështje e PAN-it se kë do ta propozoi për kryetar të Kuvendit. Nëse partitë politike nuk e votojnë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja. Kështu parashihet me  ligj” ka përfunduar Nitaj nga AAK.

PDK pa përgjigje

Po ashtu as nga Partia Demokratike e Kosovës nuk kemi mundur të marrim një qëndrim zyrtar në lidhje më kandidatin për Kuvendin e Kosovës i cili është Kadri Veseli.

Analisti Faton Mehmeti ka theksuar se Kadri Veseli nuk është i duhuri për të udhëhequr më Kuvendin, pasi sipas tij në legjislaturën e kaluar ka treguar një përformancë të dobët.

Image
Faton Mehmeti

“Duke marr si shembull udhëheqjen e Kuvendit në legjislaturën e kaluar, Kadri Veseli ka treguar përformancë shumë të dobët. Duke filluar nga shtrembërimi i emrave të deputeteve e deri tek injorimi dhe arroganca, Veseli vetëm sa ka ndikuar që klima politike në Kuvend të jetë mjaft e acaruar. Njeriu i nëntokës asnjëherë nuk fitoi besimin e deputeteve, dhe rrjedhimisht nuk është i pranuar qe edhe një mandat të jetë kryetar Kuvendi”.

Bllokadë institucionale

Sipas Mehmetit ka mundësi që të kemi bllokadë institucionale pasi që në inaugurimin e Kuvendit të ri, Vetëvendosje vetëm se ka paralajmëruar se nuk do e votoj Veselin për kryetar Kuvendi, dhe mbetet të shihet nëse koalicioni LAA a do ta mbështes. “Është hera e parë që të kemi bllokadë qysh në fillim më njerëz të nëntokës dhe krimit askush nuk duhet të ndihet krenar dhe i përfaqësuar denjësisht. Veseli është zgjidhja më e keqe që PDK ka bërë, edhe pse nuk është pyet askush ne PDK por vetë Veseli e ka nominuar veten. Kështu funksionojnë gjerat tek ne, s’ka demokraci as parime por pazare dhe interesa” ka thënë ai duke shtuar se edhe nëse zgjidhet Veseli kryetar dhe PAN ose VV formojnë qeverinë, kjo legjistraturë pritet të jetë më e nxehta nga të gjitha të tjerat që nga paslufta. Spektakël dhe skandale, humor dhe ofendime do e karakterizojnë Kuvendin e ri (nëse udhëhiqet) nga Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat