Melihate Termkolli: S’fitova se nuk jam aq e fortë në shtyerje me bërryla

Politika

Melihate Termkolli: S’fitova se nuk jam aq e fortë në shtyerje me bërryla

Nga: Bota Sot Më: 13 korrik 2017 Në ora: 09:24
Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Termkolli

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Termkolli, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka treguar se pse nuk ia doli të siguroi një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Termkolli ka thënë se ajo nuk ishte e “zgjedhura” e grupeve të caktuara, pasi nuk merret me biznese, tregti dhe as nuk shtyhet me bërryla.

“Ashtu po duket, por me gjasë nuk isha as e “zgjedhura” e grupeve të caktuara, as merrem me biznese, as me ndonjë tregti, as jam aq e fortë në shtyrje me bërryla. Në fakt puna ime në zgjedhje gjithmonë ka qenë dhe mbetet e orientuar në fitoren e LDK-së, në radhë të parë. Por nëse vërtetë ashtu kanë  vendosur qytetarët, në rregull, duhet pranuar e respektuar vullneti i qytetarëve”, ka deklaruar Termkolli.

Ndërsa, e pyetur se pse LDK-ja doli e treta në zgjedhjet e 11 qershorit, ajo ka theksuar se shkaqet duhet kërkuar në radhë të parë në shkëputjen nga filozofia politike burimore e LDK,

“Për herë të parë në historinë 27 vjeçare të saj, LDK del e fundit me vota në një palë zgjedhje dhe për herë të parë në historinë e saj, shumë deputetë të zgjedhur ndihen, proklamohen e krekosen si fitues. Një absurd i padëgjuar deri tani në traditën politike të LDK-së! Janë shumë faktorë, të sotëm e të djeshëm pse LDK në zgjedhjet e 11 Qershorit doli e treta, pra e fundit, dhe atë duke qenë në koalicion me një parti tjetër dhe një grup alternativ. Shkaqet duhet kërkuar në radhë të parë në shkëputjen nga filozofia politike burimore e LDK, pra largimi nga rrënjët dhe identiteti politik e kombëtar, të ndërprerja e kontinuitetit, kohezionit politik e strukturor, koketimi me banda të veshura me petkun politik, largimi nga skena i njerëzve të fuqishëm të LDK dhe sigurisht edhe arsye tjera”, është shprehur ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat