A mund ta shkel Kushtetutën Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit?

Politika

A mund ta shkel Kushtetutën Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 korrik 2017 Në ora: 19:52
Hashim Thaçi

Zgjedhjet  e 11 qershorit nuk kanë dhënë një fitues i cili do të mund të formonte qeverinë vetëm, ndërsa sipas raportimeve që bëhen deri më tani asnjë nga partitë politike nuk i kanë numrat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas zgjedhjeve, Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Pastaj, Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Mirëpo, që nga dalja e rezultateve shumë analistë politikë janë shprehur se Presidenti nuk do t’ia jep mandatin e dytë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kështu do të përsëritet skenari i Maqedonisë.

Kurse, sipas Lëvizjes Vetëvendosje mandati i dytë nuk është në dorë të Presidentit dhe në rast se ai nuk i jep mandatin e dytë Vetëvendosjes atëherë i rrezikohet posti.

“Mandatari i dytë nuk është as në dorën e Thaçit e as nuk varet nga vullneti i tij. Është detyrim kushtetues dhe veç veprim procedural i tij, të cilin po nuk e përmbushi, Hashim Thaçi, aty do t’i jep fund qëndrimit aty ku është!’’, ka shkruar anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Image
Adnan Rrustemi

Por, njohësit e çështjeve juridike shprehen  se Presidenti ka autorizim diskrecioni  i cili nënkupton që ai vendos nëse do t’i takon apo jo mandati kandidatit të propozuar nga një formacion i dytë politik.

Mandati i takon Vetëvendosjes

Avokati i njohur, Tomë Gashi thekson se sa i përket mandatimit të nominuarit për formimin e Qeverisë,  çdo gjë është e përcaktuar me kushtetutë, dhe se në rast të dështimit të koalicionit PAN që të sigurojë shumicën, Thaçi mandatin duhet të ia kaloj Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Tomë Gashi

“Sipas nenit, 95, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i Kosovës fillimisht ka obligim që t’ia mundësojë formimin e qeverisë mandatarit të përzgjedhur nga koalicioni i quajtur PAN, ndërsa nëse ata nuk e sigurojnë numrin e deputetëve që duhet të jenë 60 +1, atëherë për herën e dytë presidenti do të jetë  obliguar që t’ia ofrojë mundësinë e formimit të qeverisë partisë e cila i ka fituar zgjedhjet , e që është Lëvizja Vetëvendosje. Kjo shumë qartë shkruhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe janë vetëm këto dy situata që mund të ndodhin për ta zgjedhur mandatarin, respektivisht kryeministrin e ardhshëm të Kosovës”, është shprehur avokati Gashi.

Sipas tij, në rast se nuk ndodh kjo atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Thaçit nuk i rrezikohet posti”

Njohësi i kushtetutës, Riza Smaka, thotë se Presidenti nuk shkel kushtetutën nëse nuk e jep mandatin e dytë.

Sipas Smakës, atij nuk i rrezikohet posti sepse është i autorizuar sipas diskrecionit.

Image
Riza Smaka

“Nuk e shkel  kushtetutën për shkak se e ka autorizim diskrecional,  që do të thotë ai e vlerëson nëse do  t’ia jep apo të mos ia jep kandidatit të propozuar nga një formacion i dytë politik.  Nuk i rrezikohet posti, ai është i autorizuar sipas diskrecionit”, shprehet Smaka për “Bota sot”.

Të njëjtën sikurse Smaka e pohon edhe eksperti juridik, Mazllum Baraliu.

Thaçi të veprojë mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese 2014

 Sipas Baraliut, Presidenti nuk duhet ta tejkalojë asnjë shkronjë të asaj që shkruhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Image
Mazllum Baraliu

Baraliu mohon se Presidenti mund të shkarkohet nga ndonjë subjekt politik, sipas tij asnjë subjekt politik nuk mund ta rrezikojë dikë.

“E është e paraparë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese 2014 të shkruar në të drejtën diskrecionale të tij, pra nëse është e shkruar ashtu është e drejta e tij të veprojë ashtu si mendon që është më së mirë. Por, duke mos e tejkaluar shkronjën atë që është e shkruar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Varet e gjitha prej tij, mirëpo besoj që nuk ka arsye dhe nuk duhet ta shkel askush kushtetutën e as Presidenti. Nuk është puna që një subjekt politik ta rrezikojë dikën nëse mendon se është kundër kushtetutës”, përfundon  Baraliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat