Arrestimet e fundit të lidhura me Gjykatën Speciale?

Politika

Arrestimet e fundit të lidhura me Gjykatën Speciale?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 korrik 2017 Në ora: 11:16
ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, ditë më parë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim Bajram Kiqmarit, Faik Shaqirit dhe Alban Dizdarit.

Alban Dizdari, Bajram Kiçmari, u arrestuan nga Policia e Kosovës të mërkurën e kaluar, ndërsa Faik Shaqiri u ekstradua nga Gjermania, të tre nën akuzën si të dyshuar për vrasjen e  dy zyrtarëve të UNMIK-ut në vitin 2014 dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve të UNMIK-ut në të njëjtin rast.

Kiçmari dhe Dizdari janë arrestuar në Podujevë,  pas një operacioni kërkimi si pjesë e hetimeve penale nga Prokuroria Speciale të kryer nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës, ndërsa Faik Shaqiri është arrestuar në Gjermani, e ku më pas është ekstraduar në Kosovë. Të treve, u është caktuar nga një muaj paraburgim.

Lidhja me Gjykarën Speciale

Por, a kishte lidhje arrestimi i tyre me Gjykatën Speciale, e cila ka filluar funksionalizimin e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Rregullorja e Provave dhe Procedurave, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?

Në përgjigjen që gazeta “Bota sot”, ka marrë nga zyra e prokurorit special të Gjykatës Speciale nuk komentohet nëse arrestimet e njëjta, lidhen me punën e saj.

Aty thuhet se kjo zyrë nuk komenton se kush, çka ose kur arrestohet, por se puna kryhet në mandatin që kjo gjykatë ka.

“Siç e ka cekur në disa raste Prokurori special, Zyra e Prokurorit Special nuk komenton se kush, çka ose kur puna do të fillon të kryhet bazuar në mandatin që e ka. Ne vazhdojmë ta bëjmë gjithë atë që kërkohet nga ne nga mandati që e kemi”, thuhet në përgjigjen e zyrës së prokurorit të Gjykatës Speciale.

Gazeta ka provuar të marrë një koment lidhur me këtë edhe nga Prokuroria e Kosovës, por ata nuk janë përgjigjur ende.

Ndërsa, analistët dhe njohësit e çështjeve juridike, kanë dhënë mendimet e tyre për mundësinë që arrestimet e fundit të kenë lidhje me punën e Gjykatës Speciale.

Avokati Gjoshi: Specialja do të hetojë vetëm rastet nga 1998-2000

Duke folur në lidhje me këtë, avokati Adrian Gjoshi, ka thënë se Specialja nuk ka mundësi që të hetojë krimet jashtë juridiksionit të saj, pasi ajo sipas tij, do të trajtojë vetëm rastet që dyshohen të jenë kryer gjatë periudhës 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.

Image
Adrian Gjoshi

Ai e ka quajtur vetëm rastësi arrestimin dhe paraburgosjen e Kiçmarit, Dizdarit dhe Shaqirit, pikërisht pasi u funksionalizua Gjykata Speciale.

“Paraburgosjet e fundit nuk kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale. Ndjekja penale dhe caktimi i paraburgimit ka të bëjnë për disa vepra penale që dyshohen të jenë kryer në vitin 2004, kurse Gjykata Speciale nuk ka mundësi të hetoj, ndjek dhe as gjykoj asnjë rast që del jashtë juridiksionit të saj kohor të paraparë në nenin 7 të Ligjit për dhomat e specializuara dhe zyrës së prokurorit të specializuar. Pra, Gjykata Speciale do të trajtojë vetëm rastet që dyshohen të jenë kryer gjatë periudhës 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000. Arrestimet e fundit, thjeshtë kanë rastisur të ndodhin pikërisht pasi u funksionalizua Gjykata Speciale, prandaj gabimisht është menduar se kjo ngjarje mund të jetë lidhur me këtë të fundit”, është shprehur Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Drejtësia po vihet në vend

Por, ndryshe është shprehur analisti Nexhat Haziri, i cili ka thënë se arrestimi dhe shqiptimi i paraburgimit të këtyre tre të akuzuarve, i dedikohet funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

Ai në prononcimin për “Bota sot”, e ka vlerësuar këtë si lajm të mirë dhe shpresë për shpresë për qytetarët e Kosovës se në Republikën tonë drejtësia do të vihet në vend.

Image
Nexhat Haziri

“Vetë fakti se të akuzuarit që tashmë janë në paraburgim, të qenit e tyre deri më tani në liri, flet vetë për sistemin tonë të drejtësisë të kapur dhe të ndikuar nga politika dhe parapolitika. Dhe ky arrestim i tyre që u bë në këtë kohë dhe shqiptimi i paraburgimit për këta të akuzuar për vrasjet e viti 2004, natyrisht se i dedikohet funksionalizimit të Gjykatës Speciale. Dhe ky pa dyshim se përbën një lajm të mirë, një shpresë për qytetarët e Kosovës se në Republikën tonë drejtësia do të vihet në vend”, ka thënë Haziri.

Vrasjet politike

Tutje, ai ka theksuar se drejtësia duhet të merret edhe me rastet e vrasjeve të pasluftës, pasi sipas tij, misionet ndërkombëtare kanë dëshmi se kush i urdhëroi ato vrasje.

“Shpresoj se drejtësia do të vendoset edhe për rastet e tjera të vrasjeve politike, akoma të pa proceduara nga Gjykata, e them të pa proceduar për faktin se ka dëshmi për të gjitha vrasjet politike në Kosovë, si për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemjal Mustafës, Smajl Hajdaraj, Shaban Manjat, e të tjerëve. Pra lypset vetëm vullnet, profesionalizëm, guxim që këto raste të procedohen në gjykata dhe në këtë proces faktori ndërkombëtar do të mund ta luajë një rol vendimtar, pasi misionet ndërkombëtare që ishin në Kosovë në periudhën e këtyre vrasjeve, kanë dëshmi relevante se kush janë vrasësit, kush i urdhëroj këto vrasje, dhe pse apo cili ishte motivi i vrasjes së këtyre personaliteteve politike e shoqërore të Kosovës. Andaj qytetarët më të drejtë presin shumë nga Gjykata Speciale, drejtësia duhet të ndodhë në këtë vend”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Duhanaj: Specialja, produkt i mosgatishmërisë së institucioneve

Ndërsa, analisti Leon Duhanaj ka vlerësuar se Prokuroritë dhe gjykatat në vend, kanë dështuar që të akuzuarve dhe të paraburgosurve, t'ua dëshmojnë fajësinë që nga koha e çlirimit të Kosovës.

Image
Leon Duhanaj

Ai ka thënë se Gjykata Speciale, është  produkt i mosgatishmërisë së institucioneve relevante për të bërë drejtësi.

“Në Kosovë, që nga çlirimi, në vazhdimësi, nuk kanë munguar arrestimet. Kanë ndodhë arrestime nga më të ndryshmet, madje edhe figura të ashtuquajtura të "forta" politike gjë që mbetet shprehje e pakuptimtë, por pasqyron gjendjen në të cilën gjendemi, se si dikush mund të jetë i "fortë "para ligjit?! Ajo çfarë në vazhdimësi ka munguar, kanë qenë në vazhdimësi mungesa e vendimeve dhe ekzekutimeve nga gjykatat. Prokuroritë dhe gjykatat kanë dështuar që të akuzuarve dhe të paraburgosurve, t'ua dëshmojnë fajësinë. Çka nënkupton se, ose të paraburgosurit dhe të akuzuarit kanë qenë në masë të madhe të pafajshëm, ose kanë pasur vërtet fuqi për t'i ndikuar vendimet e gjykatës. Shpeshherë kemi pasur arrestime në momente të ndryshme ku "shteti" ka dashur te tregoj prezencën e vet apo dikush të dëshmoi diçka. Do të ishte e dëshirueshme nëse vërtet secili që ka bërë krime edhe të ndëshkohet për to. Për mendimin tim, Gjykata Speciale, është pikërisht produkt i mosgatishmërisë së institucioneve relevante për të bërë drejtësi”, ka thënë Duhanaj për “Bota sot”.

Edhe sipas juristit Blerim Burjani, drejtësia në Kosovë ballafaqohet me neglizhencë. Sipas tij, ka shumë raste të personave që kanë kryer vepra të rënda, e të cilat me vite i ikin drejtësisë.

Image
Blerim Burjani

Burjani, ka theksuar se Gjykata Speciale do të sjellë një numër rastesh që deri më tash ishin enigmë.

“Gjykata dhe prokuroria e kanë këtë rol. Drejtësia në Kosovës ballafaqohet me neglizhencë, jo efikasitet për rastin që e përmendni ju dhe shumë raste të tjera, të cilat duhet të zbardhen sa më parë. Efikasiteti i organeve të drejtësisë është i një rëndësie të veçantë për të respektuar rendin dhe ligjin. Në Kosovë ka edhe shumë raste të tjera të kësaj natyre, ku kryesve të veprave të rënda nuk iu dihet vendi i ikjes. Veprimi i Gjykatës Speciale, do të sjellë gjithashtu një numër të rastesh që deri më sot ishin enigmë”, është shprehur Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat