Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja! - Bota Sot
Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja!

Politika

E enjte, 23 nëntor 2017

Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 17 korrik 2017 Në ora: 14:35
Foto ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës, si duket ka filluar të dorëzohet karshi formimit të qeverisë. Kjo pasi shpesh zyrtarë nga kjo parti po e përmendin mundësinë për të shkuar në zgjedhje. ata po insistojnë se mandatari u takon vetëm atyre, pra koalicionit PAN dhe se i kanë siguruar numrat për formimin e Qeverisë, ose në të kundërtën nga PDK thonë se do të shkojnë sërish në zgjedhje.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar ditë më parë se nëse Ramush Haradinaj nuk votohet si kryeministër, atëherë mbetet alternativa për zgjedhje të reja.

Por një mundësi të tillë nuk e përjashtojnë as partitë tjera politike dhe njohësit e çështjeve juridike.

Image
Dardan Velija

Me mirë zgjedhje, se sa qeveri të zorit

Kështu kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Dardan Velija, thotë se më parë duhet shkuar në zgjedhje se sa të formohet qeveria e zorit.

“Ka mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje dhe sado që kjo do të ishte një humbje  kohe e paraje, do të ishte më e mirë sesa ndonjë qeveri e zorit apo trafikimit të ndonjë deputeti. Besoj fuqishëm që krejt partitë dhe të gjithë politikanët duhet të jenë pjesë e lojës politike vetëm në shërbim të qytetarit dhe nuk duhet ta shohin veten të pazevendesueshëm. Nëse e shohin veten të pazevëndesueshëm, atëherë është e qartë pse janë në politikë”, thotë Velija për “Bota sot”.

Ai thotë se nuk duhet lejuar që vendi të shkoj drejtë totalitarizmit.

“Një parti politike që nuk e imagjonon veten fare jashtë qeverisë, duhet të detyrohet të mësohet që rotacioni politik është esenca e sistemit demokratik. Nuk duhet ta lejojmë kurresesi që të shkojmë drejt një totalitarianizmi. Është shumë e papjekur të dëgjosh politikanë e parti politike që tregojnë çfarë duan të bëhen e jo çfarë duan të bëjnë në shërbim të interesit publik”, thekson ai.

Image
Sadri Ramabaja

“Kosova, peng i kreut të PDK-së”

Nga ana tjetër, kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Sadri Ramabaja duke komentuar thirrjet e zyrtarëve të PDK-së për të shkuar sërish në zgjedhje, thotë se Kosova ka kohë që është bërë peng i kreut të PDK-së.

“PDK në themel të saj ka grupin puçist që e la pa kokë politike UÇK-në. Ata që e njohin mirë historinë politike të LPK dhe rrjedhimisht edhe të UÇK-së, e kanë të qartë se kemi të bëjmë me një grusht marionetash, që do ta rrezikojnë seriozisht unifikimin e luftës për çlirim, ndërkaq pas qershorit 1999, do ta shndërrojnë Kosovën në peng të një grushti individësh. Republika ka kohë pra, që është shndërruar në peng i kreut të PDK-së”, tha Ramabaja.

Ai thotë se ky grup, tanimë edhe me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn e ka sunduar Kosovën për 18 vite rresht dhe ky duket të jetë version i Presidentit të vendit dhe ekipit të tij.

“Për fat të keq, këtij ekipi, për arsye të panjohura për mua, së fundmi i është bashkuar edhe Ramush Haradinaj, për të cilin, për periudhën gjatë luftës, kam respekt të veçantë.  Duke i marrë në konsideratë interesat jetike të këtij grupi që de fakto ka sunduar Kosovën këto 18 vjet rresht, insistimi për mbajtjen e pushtetit me çdo çmim, duke manipuluar me emrin dhe veprën e Ramush Haradinajt, duket se është versioni i kreut të Republikës dhe ekipit të tij”, vlerëson ai.

Sipas tij, thirrjet për zgjedhje nga ana e PDK-së, janë vetëm një alarm për popullin.

“Prandaj deklarata duhet jo vetëm të mirret shumë seriozisht, por ajo do të duhej të shërbente si kambanë alarmi për popullin. Ne ndodhemi në situata dramatike”, thekson Ramabaja për “Bota sot”.

Image
Muhamet Kelmendi

Zgjedhjet opsion i fundit

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, njëherit edhe anëtar i AAK-së, Muhamet Kelmendi thotë se zgjidhja më e mirë është formimi i qeverisë, gjë që beson se do të ndodhë, ndërsa zgjedhjet duhet mbetur si opsion i fundit.

“Zgjedhjet janë të fundit që duhet të vijnë në shprehje, kuptohet nëse nuk krijohet qeveria. E mira është të formohet qeveria. Besoj se kjo edhe do të ndodhë”, vlerëson Kelmendi.

Sipas tij, edhe shkuarja në zgjedhje është normale.

“Por, edhe nëse shkohet në zgjedhje, është gjë normale  se krijohet qeveria,  nga zgjedhjet e reja. Të shohim zhvillimet”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test