Rastësi apo diçka më shumë?! Ramush Haradinaj në foto me vrasës, trafikues droge e armësh nga Serbia!

Politika

Rastësi apo diçka më shumë?! Ramush Haradinaj në foto me vrasës, trafikues droge e armësh nga Serbia!

Nga: B.S Më: 17 korrik 2017 Në ora: 17:05
Ramush Haradinaj në foto me të arrestuarin për vrasje, Alban Dizdarin, dhe të arrestuarin për trafikim droge, e armësh nga Serbia, Shemsedin Gecin.

Të nominuarit për kryeministër të Kosovës, nga radhët e koalicionit PAN, dhe njëherit kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, kanë filluar t’i publikohën foto ku ai shihet me persona të cilët janë të arrestuar në Kosovë, si për vrasje, e po ashtu edhe për trafikim me dorgë e gjera të tilla.

Brenda pak javësh, janë publikuar dy foto ku Haradinaj shihet me dy persona të cilët shteti i Kosovës i ngarkon me vepra të ndryshme kriminale.

Ditë më parë në media u publikua foto e Ramush Haradinajt me Alban Dizdarin, të arrestuarin nga Policia e Kosovës për vrasjen e pjesëtarëve të UNMIK-ut, si dhe pjesëmarrje në trazirat e Marsit të vitit 2004 në Kosovë. Po ashtu  Dizdarin, në vrasje e implikon edhe një vrasës i penduar, e që së fundi ka filluar të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale.

“Aty jemi tubuar të gjithë dhe Agroni i ka thënë Bajramit që të shkojë në një breg që ishte afër nesh në anën e Prishtinës, nuk më kujtohet se Faiku a ka shkuar me urdhër të Agronit apo vullnetarisht ka shkuar me Bajramin, dhe detyra e tyre ka qenë se nëse vetura e policisë nuk ndalet, atëherë Bajrami duhej të shtijë në veturën e policisë (nuk më kujtohet se a ka pasur të shtijë në veturë apo në goma të veturës). Më pas Agroni i ka bërtitur Albanit se nuk e kishte rregulluar maskën, dhe ka kërkuar që me policët që ishim duke i pritur për t’i ndalur të flitej në gjuhën angleze, pas kësaj është vërejtur se vetura e policisë është duke u afruar me dritën e kaltër të ndezur dhe posa ka ardhur afër nesh 4 deri 5 metra (apo edhe pak më larg) kanë dalë Albani, X-si dhe Agroni për ta ndalur. Vetura e policisë ishte duke e zhvilluar një shpejtësi shumë të vogël por posa na ka pa neve e ka ngadalësuar edhe më shumë shpejtësinë dhe Agroni apo X-si kanë folur serbisht edhe pse është dashur të flasin anglisht, dhe për një moment kanë filluar të shtënat, të parin që e kam shikuar ka qenë Agroni duke shti me kallash, më pas i kam parë edhe X-sin dhe Albanin, unë menjëherë kam ndërruar vendin dhe kam dalë në asfalt nga ana e Podujevës…”, përshkruan Shkumbin Mehmeti një pjesë të ngjarjes në letrën e siguruar nga media.

Alban Dizdari,  i cili shihet në foto me Ramush Haradinajn, sipas një raporti të prokurorit italian të EULEX-it, Danilo Cecareli, përmendet si i përfshirë në trazirat e Marsit të vitit 2004 në Kosovë, për të cilat sipas EULEX-it, prapa tyre qëndrojnë krerë të lartë të UÇK-së, shkruan “Bota sot”.

Të pyetur për lidhjen e Ramush Haradinajt me Alban Dizdari, dhe fotografinë  tyre të përbashkët, zyrtarë nga partia e Haradinajt, për gazetën “Bota sot”, kanë thënë që janë të painformuar për lidhjen mes tyre, madje kanë thënë se ata nuk e njohin Alban Dizdarin.

“Kurrë s’kam dëgjuar as nuk e di kush është ky Dizdari. Çfarë pozicioni ka ky në AAK, sepse Ramush Haradinaj ka me dhjetëra e mijëra foto... Nuk e njoh”, është shprehur bashkëpunëtori i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, për “Bota sot”.

Ndërsa, ende pa u harruar ky rast, sot në media u publikua edhe fotografia e Ramush Haradinajt me policin e arrestuar para pak ditësh për trafik me drogë, Shemsedin Geci, ku sipas burimeve të mediave ky i fundit përveç trafikimit me drogë, merrej edhe me trafikim të armeve nga Serbia.

Siç mëson media nga burime brenda Policisë së Kosovës, ky rrjet që merrej me kontrabandë armësh dhe transport të drogës vepron qe më shumë se 4 vite. Geci, kishte lidhje me njerëz të krimit të organizuar që kanë dosje kriminale në Polici.

Rrjeti kriminal i shkatërruar mbrëmë nga Policia e Kosovës, fillonte lidhjen nga Shkodra e kalonte për në Kukës, pastaj në Mitrovicë e deri në Novi Pazar, ku i dërgonte armët dhe drogën. Më pas nga burime brenda Policisë, i njëjti rrjet kontrabandonte naftë nga Serbia për në Kosovë. Por edhe për këtë foto nga AAK kanë dhënë të njëjtin arsyetim, sikur për foton e mëhershme për Alban Dizdarin.

“Ne nuk kemi statistika, por janë disa qindra mijëra qytetarë që kanë bërë fotografi me Ramush Haradinajn.  Ramush Haradinaj, nuk i njeh mbi 99 për qind të njerëzve me të cilët ka bërë fotografi dhe fundja as që është e mundur t’i njohë. Edhe  fotografia për të cilën po flisni ju e ku në mesin e 5-6 vetave qenka edhe ky Geci, mund të jetë një rast i tillë”, ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj duke arsyetuar foton e Haradinajt me Shemsedin Gecin.

Këto foto mund të duken që të jenë krejt rastësi, por në të kaluarën ka pasur vazhdimisht akuza drejtuar Haradianajt, ku akuzohet që është i përfshirë në haraç, lojëra të fatit, akuza këto për të cilat ai ka bërë përgjegjës SHIK-un që sipas tij vazhdimisht ka punuar kundër tij dhe familjes së tij.

Por sot Ramush Haradinaj, synon që së bashku me ish kreun e SHIK-ut, Kadri Veselin të formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Lexo edhe këtë lajm

Tjetër skandal, polici i drogës fotografohet me Ramush Haradinajn

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat