“LDK-Vetëvendosje koalicioni i ri fitues, klani “Pronto” në opozitë”

Politika

“LDK-Vetëvendosje koalicioni i ri fitues, klani “Pronto” në opozitë”

Nga: Bota sot Më: 18 korrik 2017 Në ora: 15:46
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Analisti politik, Faton Mehmeti, shprehet se koalicioni LDK-VV do të mund të formohet në rast të zgjedhjeve të reja dhe do të jetë fitues, pasi sipas Mehmetit, ata do të bashkohen që ta largojnë klanin “Pronto”.

“Nëse shkohet prapë në zgjedhje besoj  se koalicioni i ardhshëm do të jetë mes VV dhe LDK, që edhe do jetë fitues. Nëse këto dy parti dëshirojnë  që  përfundimisht të largojnë klanin " Pronto " nga pushteti duhet të bëhen bashkë, vetëm kështu do të  arrijnë  të fitojne shumicën absolute dhe një qeveri e pavarur nga Lista serbe. Ndërsa alternativat tjera do jetë përsëri  të njëjta, PAN nuk besoj se do shkëputet pasi nuk ka me kë të bëjë koalicion tjetër. Këto janë skenarët në rast se shkohet në zgjedhje përsëri”, pohon Mehmeti.

Ndërsa, analisti politik Faik Krasniqi thotë se ndoshta nuk do të bëhet që të mbahen zgjedhjet e reja, mirëpo në rast mbajtjes atëherë shumë parti që kanë krijuar koalicione parazgjedhore në zgjedhjet tjera do të garojnë të vetme.

“Për momentin PAN-i nuk mund ta krijojë  Qeverinë. Por ata me çdo kusht do të tentojnë formimin e qeverisë, qoftë edhe duke kontrabanduar deputetë të partive tjera, edhe pse Qeveri të pakicës dhe aspak stabile. Prandaj, nuk besoj që do të vjen puna deri tek shkuarja në zgjedhje. Edhe, nëse shkohet në zgjedhje në rast të dështimit të krijimit të Qeverisë, besoj që shumë parti që krijuan koalicione parazgjedhore në zgjedhjet e 8 qershorit do t'i futen garës së vetme, sepse kanë krijuar bindjen që shkaku i koalicioneve pësuan debakël, e jo si pasojë keq-qeverisjeve të deritanishme. Sidoqoftë, edhe nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe vendosin të shkojnë të vetme, debakli i tyre do të jetë akoma më i madh se në zgjedhjet e 8 qershorit”, pohon Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat