Ambasada amerikane sqaron takimet e Delawie me udhëheqësit politikë në Kosovë

Politika

Ambasada amerikane sqaron takimet e Delawie me udhëheqësit politikë në Kosovë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 korrik 2017 Në ora: 19:14
Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie

"Ambasadori Delawie rregullisht takohet me udhëheqësit politikë për të diskutuar tema të ndryshme. Ambasada e SHBA-ve nuk e ka ndërmend të marrë ndonjë qëndrim lidhur me atë se cilat parti apo individë duhet të formojnë qeverinë, apo të ketë çfarëdo roli në këto diskutime”, thotë zëdhënësja e ambasadës amerikane, J. Michelle Schohn, në përgjigjen për gazetën “Bota sot”.

Nga 27 korriku Kosova mund të jetë më institucione të reja. Kështu u tha në media nga burime jozyrtare. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur Kuvendi i Kosovës do të thirrë seancën konstituive.

Ndërkombëtarët po bëjnë thirrje që Kosova të përshpejtoj hapat për formimin e qeverisë. Këto thirrje po drejtohen fillimisht tek Presidenti i Kosovës, e më pas të partitë politike që të koordinohen në mes vete.

Takimet e ambasadorit amerikan

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie tashmë ka zhvilluar disa takime me partitë politike për të diskutuar në këtë drejtim. Por Ambasada Amerikane thotë për “Bota sot”, se pavarësisht takimeve nuk e ka ndërmend të marrë ndonjë qëndrim se cilat parti do të formojnë qeverinë.

"Ambasadori Delawie rregullisht takohet me udhëheqësit politikë për të diskutuar tema të ndryshme. Ambasada e SHBA-ve nuk e ka ndërmend të marrë ndonjë qëndrim lidhur me atë se cilat parti apo individë duhet të formojnë qeverinë, apo të ketë çfarëdo roli në këto diskutime”, thotë zëdhënësja e ambasadës amerikane, J. Michelle Schohn, në përgjigjen për gazetën “Bota sot”.

Nga ana tjetër, partitë politike nuk e kanë komentuar fare takimet me ambasadorin Delawie. Në përpjekjet e gazetës për të marrë ndonjë përgjigje, partitë politike nuk kanë komentuar takimet e përfaqësuesve të tyre me ambasadorin amerikan.

Mesazhi i pesëshes diplomatike

Madje disa ditë më parë, në një takim që thuhet se ndodhi rastësisht ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe lideri të AAK-së, Ramush Haradinaj, njëherit kandidat për kryeministër, u diskutua rreth mundësisë së formimit të qeverisë.

Po ashtu ditë më parë pesëshja më e fuqishme diplomatike e akredituar në Kosovë e njohur si QUINT (Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-të) kërkojnë nga partitë politike në Kosovë që të përshpejtojnë formimin e qeverisë së re, me orientim evropian.

Nëpërmjet një komunikate për media, ambasadat e QUINT-it thonë se do të punojë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Agjendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës.

“Kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne po ashtu rikujtojmë të gjeturat fillestare të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe presim që Kuvendi i ri të vejë si prioritet përgjigjen e vet ndaj rekomandimeve të këtij Misioni. Ne po ashtu dëshirojmë të japim qëndrimin e shteteve tona lidhur me formimin e Qeverisë. Ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht - qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Image
Skendër Zogaj

Zogaj: Nevoja e ndërhyrjes e domosdoshme

Këto thirrje dhe takime të përfaqësuesve politikë me ambasadorët duket se do të ketë ndërhyrje të këtyre të fundit në formimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Analistët politikë duke parë gjendjen e krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të 11 qershorit, thonë se duhet patjetër një ndërhyrje e ndërkombëtarëve për tejkaluar krizën. Kështu, analisti Skendër Zogaj thotë se duke parë  3 grupe partish të papërputhshme politike, po e pamundësojnë krijimin e qeverisë.

“Zgjedhjet e 11 qershorit e dëshmuan nismën e ndërgjegjësimit të  sovranit për ndryshimin e efektivit politik të Kosovës. Mirëpo, përpjekja mbetet më tentativë, sepse rezultati zgjedhor e vështirëson deri në pamundësi krijimin e qeverisë, duke qenë se kemi 3 grupime të papërputhshme politike, që nuk mund të bashkë-qeverisin. Kjo është gjendje kome”, vlerëson ai.

Sipas Zogajt, Kosova është në një gjendje krize të funksionimit dhe nevoja e ndërkombëtarëve është e domosdoshme.

“Pra, Kosova është në krizën më të thellë politike dhe në pikën më kritike  të mos funksionimit shtetëror. Dalja nga kjo gjendje me forcat vetanake është e pundur, prandaj nevoja për ndihmën e ndërkombëtarëve do të jetë e domosdoshme. Kjo ndihmë tashmë është në veprim sepse, bashkësia ndërkombëtare po e thotë  qartë: Kosova duhet të dekriminalizohet dhe  të funksionalizohet shteti i mirëfilltë dhe i plotëkuptimtë demokrat”, thekson Zogaj për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Qeveria nëpërmjet “kontrabandimit”, të deputetëve

Nga ana tjetër analisti i çështjeve politike, Faik Krasniqi thotë se koalicioni PAN nuk mund ta formoj qeverinë, qoftë edhe duke tentuar për të kontrabanduar me deputetë të tjerë.

“Për momentin siç qëndrojnë punët, PAN-i nuk mund ta krijojë Qeverinë. Koalicioni PAN do të tentojë me çdo kusht formimin e qeverisë, qoftë edhe duke kontrabanduar deputetë të partive tjera. Por, Kosovës nuk i duhet një Qeveri e tillë sepse do të jetë Qeveri e pakicës, dhe për votimin e ligjeve dhe jetëgjatësia e këtij koalicioni do të ngelet në duart e Listës Serbe”, vlerëson ai. Sipas Krasniqit, një koalicion mes VV-së dhe LAA-së që përbëjnë 61 deputetë shqiptarë, do të ishte alternativa më e mirë për krijimin e Qeverisë. “Pse jo këtij koalicioni t'i bashkëngjiten edhe AAK dhe NISMA që kanë 16 deputetë. Besoj që këtë interesi i ndërkombëtarëve do të jetë krijimi i Qeverisë me një shumicë shqiptare, Qeveri që do të ishte stabile sa i përket votimit të ligjeve. E sidomos të një koalicioni pa Klanin Pronto, klan që ka kapur shtetin për fyti”, thekson Krasniqi.

Ai thotë se do të ketë ndërhyrje të ndërkombëtarev, por pret që ata të zgjedhin një koalicion qeverisës të duhur për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Prandaj pres që do të ketë ndërhyerje të ndërkombëtarëve për formimin e institucioneve, por shpresoj që ndërkombëtarët kësaj radhe do të zgjedhin një koalicion qeverisës të duhur për shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat