LDK i përgjigjet nesër ftesës së Presidentit Thaçi

Politika

LDK i përgjigjet nesër ftesës së Presidentit Thaçi

Më: 18 korrik 2017 Në ora: 21:57
Isa Mustafa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë gati ftesat drejtuesve të partive politike për takim konsultativ. Data e caktuar është 24 korriku. Takimi siç ka shpjeguar zyra e Presidentit ka të bëjë me diskutimet për situatën pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në LDK kanë thënë se kësaj ftese do t’i kthejnë përgjigje nesër. Kurse, Lëvizja politike, Alternativa ka bërë me dije se do ta shqyrtojë ftesën e Presidentit.

E në zyrën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën mund të ulen të gjithë drejtuesit e partive politike të Kosovës parlamentare.  Ftesat për tu takuar të gjithë së bashku tashmë janë bërë gati. Ato veç kanë mbetur edhe të drejtohen tek subjektet politike.

Krejt ky takim, siç ka bërë me dije Zyra e Presidentit,  ka të bëjë me gjetjen e një  zgjidhje për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.

“Presidenti në përputhje me mandatin e tij, kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore ka vendosur që t’i ftojë përfaqësuesit e partive politike që kanë fituar ulëse në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës në një takim konsultativ këtu në Presidencë në orën 08:00 që të merren vesh për datën se kur preferojnë të mbajnë mbledhjen konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës”, ka bërë me dije zyra e Presidentit.

Ftesës se shefit të shtetit ende nuk dihet se a do t’i përgjigjen të gjitha paritet politikë që kanë fituar ulëse në parlament.

Në lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk kanë dashur të flasin shumë për këtë ftesë, vetëm se kanë bërë me dije se për ftesën e Thaçit do të marrin një vendim nesër.

“Nesër do të dalim me një qëndrim të LDK-së”, ka thënë nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.

Të vendosur nuk janë treguar edhe drejtuesit e Lëvizjes politike, Alternativa.

Deputeti  i zgjedhur nga Alternativa, Ilir Deda ka deklaruar se lëvizja e tij nuk ka një qëndrim zyrtar rreth ftesës së presidentit, pasi siç tregoi ai, kjo ftesë nuk është ende zyrtare – por, vetëm publike.

“Do ta shqyrtojmë. Pasi nuk na ka ardhur ende ftesa zyrtare nga Presidenti. Z. Thaçi duhet të na dërgojë njëherë ftesën zyrtare”, ka thënë Ilir Deda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat