PAN angazhon agjentët politik për numrat

Politika

PAN angazhon agjentët politik për numrat

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 korrik 2017 Në ora: 10:32
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

PAN nuk i ka numrat për kryetar kuvendi e as për qeveri, sepse po ti kishin numrat do ta thirrin seancën konstituive. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe deputet të subjekteve të ndryshme politike. Sipas tyre këtë propagandë politike, po e bëjnë me qëllim që të tentojnë të krijojnë përçarje në blloqet tjera politike.

Hoti: Nuk blejmë as nuk shesim vota

Kandidati për Kryeministër nga radhët e koalicionit LDK- AKR- Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se mbledhja konstituive e Kuvendit nuk thirret për shkak se koalicioni PAN nuk i ka numrat.

Hoti përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se ata që trumbetonin me ditë të tëra se e kanë në dorë konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet janë të heshtur dhe pëshpëritjet e deritanishme se i kanë numrat më nuk i besojnë as militantët e tyre.

Sipas Hotit, LDK-ja mbetet e përkushtuar fuqishëm të dëshmojë si gjithmonë vokacionin e saj institucional e demokratik dhe ata nuk blejnë as nuk sheshin votën e qytetarit.

“Ata që trumpetonin me ditë të tëra se e kanë në dorë konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit janë heshtur. Pëshpëritjet e deritanishme se i kanë numrat më nuk i besojnë as militantët e tyre. Matematika qeverisëse nuk është një mbledhje e zbritje prej autodidakti. Ajo është besim, pikë së pari dhe dashuri për vendin. LDK mbetët e përkushtuar fuqishëm të dëshmojë si gjithmonë vokacionin e saj institucional e demokratik. Ne nuk blejmë as shesim votën e qytetarit tonë por e mbrojmë atë si gjënë më të shenjtë”, është shprehur Hoti.

Image
Dardan Velija

Velija: PAN po krijon konfuzion

Kurse, kandidati për deputet në LDK Dardan Velija ka vlerësuar se PAN-i po dëshiron që të krijojë konfuzion dhe këtë konfuzion të presin derisa të gjejnë një zgjidhje për të vazhduar dhe ta mbajnë shtetin në duart e tyre.

“Besoj që nuk ka të vërtetë në ato deklarata të tyre, por çka është shqetësuese në ato deklarata është se po duan ta instalojnë një farë mënyrë normalizimin e kontrabandimit të vullnetit të qytetarëve. Pra po mundohen ta bëjnë që të duket normale që të trafikohet vullneti i qytetarëve dhe në këtë proces ti bindin njerëzit se është shumë normale që një deputet menjëherë pas zgjedhjeve të kalojë nga një forcë politike te tjetra”, ka thënë Velija.

Image
Rexhep Selimi

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi ka pohuar se PAN nuk i ka numrat për kryetar kuvendi e as për qeveri, sepse po ti kishin numrat do ta thirrin seancën konstituive.

Sipas tij, vonesat në formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e qershorit janë si pasoje e gjahut të PAN-it për ndonjë deputet nga jashtë tyre.

“Duke e ditur se nuk ka deputet të zgjedhur nga VV dhe LAA të cilët e votojnë kandidatin e PAN-it, atëherë rrjedhimisht nuk ka ku ti merr PAN-i numrat për qeveri. Krejt propagandat që po përhapen se "disa deputetë" të LVV ose LAA që do ta votojnë PAN-in, është tendencë për të krijuar një frymë artificiale të fitores së PAN-it”, ka thënë deputeti Selimi.

Image
Blerim Burjani

PAN angazhon agjentët politik për numrat

Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se nuk përjashtohet se PAN ka angazhuar agjent të vet politik për të biseduar me individ të caktuar që kanë fituar si deputet, por e vërteta është se deri më tash numra nuk kanë pasur fare.

Sipas tij të gjithë këtë propagandë politike, po e bëjnë duke tentuar të krijojnë përqarje në blloqet tjera politike.

“E gjithë kjo siç duket deri më tani nuk ka pasur kurrfarë suksesi dhe pikërisht për këtë ata tash kanë ndërruar idenë e tillë duke bërë  përpjekje për të ndërruar strategji dhe për të mbetur në pushtet  e duke kërkuar një qeverisje të gjerë me një njeri të PAN në postin kryesor dhe kjo nuk është e mundur fare, sepse as LAA e as VV-je nuk merren më me këtë PAN dhe me këtë jo seriozitet. PAN po kërkon "argatë" për të qeverisur dhe tani nuk ka gjasa, sepse  nuk është fjala për me “korrë ara”. Fjala këtu është për të qeverisë me shtetin, një Qeveri gjithëpërfshirëses. Dhe mendoj se do të ishte e formuar dhe njëkohësisht do të ishte thirrje për të zhvat buxhetin e qytetarëve dhe të gjithë partitë të jenë të kënaqur si në vitin 2002. Mendoj se VV nuk do pranonte të jetë pjesë e një qeverie të tille andaj edhe nuk ka gjasa që PAN të formojë Qeveri,  veç nëse jep postin e kryeministrit ndonjë kandidati të pavarur që mund të vjen nga bota akademike në të kundërtën është humbje kohe plotësisht, sepse  humbja e përgjegjësisë do ta karakterizonte këtë lloj qeverisje,” është shprehur analisti politik Burjani.

Image
Ali Hertica

Analisti politik Ali Hertica ka thënë se Kosova është në një ngërç politik i cili po sinjalizon se të gjitha subjekte politike kanë egot e tyre dhe vetëm dëshirën për pushet dhe jo për interesa madhore të shtetit dhe qytetarit.

 “Deputetet e LAA dhe LVV tregohen se janë të matur në këtë drejtim por mundet shumë lehtë që dikush nga deputetet të cilit nuk janë ithtar të subjekteve politike dhe vizionit mund të del se shumë lehtë kalojnë tek PAN. Them kështu sepse tek shumë deputet është ego vetëm përfitimi i tyre personal dhe më tepër nuk i intereson çështja e subjekti apo e votuesve që i kanë dhe besimin denjësisht.

Pra mos të harrohet se në politike luhen lojëra që janë shumë të tmerrshme dhe të pa besueshme ku brenda natës ndryshojnë gjërat dhe shumë lehtë mundet me ardhë deri tek përçarjet në brendësi të subjekteve politike të cilat i kanë inatet dhe tradhtitë e tyre grupore”, është shprehur analisti politik Hertica.

Ndërhyja e ndërkombëtarëve

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka pohuar se Qeveria e re e Kosovës prapë do të formohet apo ndikohet për formim nga faktori ndërkombëtar.

Sipas tij, kalkulimet dhe matematikat që po qarkullojnë këtyre dite nga qarqet e caktuara dhe nga vet subjektet politike, janë më shumë blerje kohe dhe matje e pulsit politikë.

"Problemi se a i ka apo nuk i ka PAN-i numrat nuk është shumë me rëndësi si i tillë, por nuk është interes që PAN dhe përmes PAN-it të faktorizohet elementi politik serb aq shumë saqë të jetë jetike për marrjen e vendimeve të mëdha për Kosovën. Prandaj mendoje se partitë politike  duhet të gjejnë modelin e mundshëm për krijimin e një Qeverie stabile, për kapërcimin e disa sfidave në vendimmarrje që kanë peshë të nivelit nacional, që i bie të ulen egot partiake, klanore duke e dorëzuar pushtetin për popullin e jo për xhepin”, është shprehur Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Kurse sa i përket çështjes  së PAN me sistemin e propagandimit po tenton të shkaktojë konflikt në mes të LAA dhe VV, Haziri ka thënë se kjo është e pa e qëndrueshme, ngase ato janë subjekte që konfliktin e kanë të trashëguar, dhe të padëshirueshme patologjikisht në mes veti. Përveç tjerash VV ka qenë zëri më i fuqishëm për rrëzimin e Qeverisë Mustafa, por të gjitha këto janë minore në konfliktin që ekziston në mes të LDK-së dhe VV-së, ngase themeli i konfliktit është ideologjik, orientues dhe mbi të gjitha është fakti se VV-je nuk e pranon Rugovën si themelues i shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Haziri.

Haziri: PAN po spekulon

Mirëpo opinionisti Nexhat Haziri duke folur rreth asaj se ai  i ka me të vërtetë PAN numrat për formimin e qeverisë ka thënë se kjo do të merret vesh në seancën konstituive të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, që nga publikimi i rezultateve, PAN është deklaruar se i ka numrat për të formuar qeverinë.

“Këto deklarata janë vetëm spekulim që ta mbajnë vëmendjen e opinionit larg pamundësisë së tyre për të krijuar institucionet dhe tendenca e tyre .Me këto deklarata është për ta përçare koalicionin LAA-n, aty edhe ku synojnë eventualisht për ta blerë ndonjë deputet. Bazuar në deklaratat edhe të koalicionit LAA-n edhe LV-së, se deputetët e tyre janë të vendosur për të mos votuar qeverinë e PAN-it, z. Haradinaj e ka të pamundur për të formuar qeverinë, gjithnjë nëse qëndrojnë deklaratat e LAA-së dhe LV-së. Por prapë se prapë duhet pritur konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe për të parë se cili do te jetë epilogu i këtij procesi pas zgjedhor”, është shprehur opinionisti Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat