Vetëdijesimi i shoqërisë, fundi i demagogjisë së luftës

Politika

Vetëdijesimi i shoqërisë, fundi i demagogjisë së luftës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 korrik 2017 Në ora: 14:00
Soren Jessen- Petersen

Ish- kryeadministratori i Kosovës, Soren  Jessen- Petersen, ka thënë se ka ardhur koha që Kosova ta ndryshojë klasën politike, ose kjo e fundit t’i ndryshojë prioritetet e saj.

Njohësit e çështjeve politike në vend e kanë mirëpritur deklaratën e Petersenit, duke thënë se ndryshimet janë të nevojshme dhe në interes të Kosovës.

Sipas tyre, prioritetet e klasës politike duhet të jenë përmirësimi i jetës së qytetarëve, krijimi i një qeverie stabile si dhe sqarimi i marrëveshjeve me Serbinë.

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri ka treguar se nuk është hera e parë që miqtë ndëkombëtarë japin sinjale për ndryshime.

Image
Mentor Tahiri

Fundi i demagogjisë së luftës

Sipas Tahirit, rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit janë tregues të qartë që votuesit dëshirojnë t’i japin fund politikës retorike të pasluftës.

“Nuk është hera e parë që miq tanë ndërkombëtarë, e në mesin e tyre personalitete të rëndësishme që kanë kontribuar për Kosovën, po japin sinjale për ndryshime. Qysh para katër viteve, një thirrje të ngjashme me atë të z.Jessen-Petersen, e kishte bërë edhe diplomati amerikan James Rubin. Ky fakt tregon se edhe në perceptimet e vetë miqve ndërkombëtarë të Kosovës, situate aktuale e menaxhuar nga një klasë politike e harxhuar, konsiderohet si e paqëndrueshme. Kosova është e gatshme për ndryshime. Rezultatet zgjedhore të 11 Qershorit janë tregues i qartë i një trendi në rritje të votuesve të cilët emocionalisht i kanë thënë lamtumirë politikës retorike të pasluftës. Një kontingjent i ri votash për VV-në, sigurisht që i atribuohet gjeneratës së re të votuesve, për të cilët del se demagogjia e ndërlidhur me luftën, nuk ka asnjë kuptim” ka pohuar Tahiri.

Ai ka shtuar se numri i votave të kadidatëve të rinj tregojnë që qytetari i Kosovës dëshiron ndryshime.

“Gjithashtu, pavarësisht se për cilin subjekt bëhet fjalë, shihet që kandidatë të ri, me numrin e votave që kanë marrë, e kanë deklasuar gardën e vjetër brenda subjektit ku kanë garuar. Në veçanti këtu duhet përmendur LDK-në, subjekt ky të cilit, votuesi i dha një mesazh të qartë lidhur me ripërtëritjen kuadrovike të nevojshme. Pra, qytetari i Kosovës po jep mesazhin për ndryshime. Në një ambient si ky, subjektet politike të cilat nuk e pranojnë këtë mesazh, do të kenë me kohë edhe përgjigjen adekuate elektorale nga votuesi. Zgjedhjet e lokalit do ta dëshmojnë këtë edhe më shumë” ka përfunduar Tahiri.

Ndërsa, Ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin Paris Est të Francës, Nezir Kraki, ka thënë për “Bota sot”, se nevoja për ndryshime në Kosovë është urgjente dhe sinjalet e urgjencës i kanë treguar votuesit e zgjedhjeve të fundit.

Image
Nezir Kraki

Vetëdijesimi i shoqërisë

Sipas Krakit, partitë dhe individët që kanë qenë në origjinën e stagnimit dhe izolimit të Kosovës në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm, nuk mund t’i bëjnë ndryshimet

“Pajtohem plotësisht me konstatimin e ish- kryeadministratorit të Kosovës sa i përket nevojës për ndryshime. Për fat të keq, ndryshimin e nevojshëm në interes të Kosovës dhe popullit të saj nuk mund ta bëjnë partitë dhe individët që janë në origjinën e stagnimit dhe izolitimit të Kosovës si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Nevoja për ndryshim është urgjente dhe sinjalet e para të vetëdijesimi të shoqërisë për këtë u dhanë në zgjedhjet e fundit kur votuesit i dënuan me votë partitë dhe individët që për 17 vite nuk ndryshuan kurs politik” ka pohuar Kraki.

Duke folur rreth prioriteteve të klasës politike, Kraki ka thënë se prioritet duhet të jetë përmirësimi i jetës së përditshme qytetare, shëndetësia, arsimi, drejtësia, transporti.

Sipas Krakit, klasa politike nuk duhet të merret me çështjet politike rajonale e botërore sepse as ata e as Kosova nuk kanë “muskuj” për momentin.

Kraki ka theksuar se qeveria e ardhshme duhet t’i sqarojë urgjentisht marrëveshjet e pa dobishme dhe të pa efektshme që janë nënshkruar me Serbinë.

“Prioritetet e klasës politike duhet të jenë të thjeshta: përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës. Shëndetësia, arsimi, drejtësia, transporti etj...gati të gjitha aspektet e jetës në Kosovë  janë  në  gjendje alamante dhe nuk krijojnë  besim ndaj shtetit. Klasa politike duhet të merret me hallet e njerëzve jo me çështje politike rajonale e botërore për të cilat as ata as Kosova s'kanë 'muskuj' për momentin. Duhet që urgjentisht të sqarohen marrëveshjet e padobishme dhe të pa efektshme që janë nënshkruar me Serbinë dhe të nënshkruhen marrëveshje konkrete që ndikojnë pozitivisht në terren. Të mbyllet tema e pa qenë e demarkacionit dhe të vendoset shteti i së drejtës. S'ka asgjë filozofike në prioritetet që duhen t'i kenë  partitë  politike të Kosovës” ka pohuar Kraki.

Image
Dimal Basha

Kjo klasë politike ka dështuar

Edhe analisti Dimal Basha, ka pohuar se Petersen ka të drejtë në kërkesat e tij për një klasë të re politike.

Sipas Bashës, ndryshimi nuk mund të ndodhë nëse nuk ndryshojnë politikanët, por është e domosdoshme që qeveria e ardhshme të përbëhet nga kuadrot profesionale që për prioritet kanë drejtësinë, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale.

“Unë mendoj se z. Petersen është  një mik i madh i shqiptarëve dhe ka plotësisht  të drejtë në kërkesat e tij për një  klasë  të  re politike.  Einstein thuhet të ketë  thënë  se definicioni i çmendurisë  është  kur dikush vazhdimisht vepron njëjtë, por pret rezultate të ndryshme. Edhe tek ne, duke ditur se kjo klasë  politike e ka dështuar vendit, atëherë  duhet kuptuar se do të ishte çmenduri nëse presim rezultate ndryshe. Prandaj, ndryshimi nuk vie nëse nuk ndryshojnë politikanët dhe rrjedhimisht është e domosdoshme që qeveria e ardhshme të  përbëhet prej kuadrove profesionale që  për prioritet e kanë drejtësinë, zhvillimin ekonomike dhe mirëqenien sociale” ka nënvizuar Basha.

Se Kosova ka nevojë për ndryshim politik e thotë edhe Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

Image
Artan Murati

Sipas Muratit, Kosova duhet të ndryshojë kulturën politike sepse ajo vazhdon të mbetet në fazat e hershme të saj.

“Ndryshimi politik në vend është më se i nevojshëm, po flas për mendësinë politike dhe jo për parti politike apo pushtet të caktuar. Në përgjithësi, kultura politike në vend ende mbetet në fazat e hershme të saj, me politikanë jo shumë llogaridhënës ndaj elektoratit të vet dhe me filozofi politike jo shumë largpamëse. Politika në vend duhet të zhvillohet së bashku me trendet në vendet e BE-së dhe demokracitë tjera të zhvilluara” ka pohuar Murati për “Bota sot”.

Sipas Muratit, prioritetet e klasës politike duhet të jenë drejt krijimit të një shteti stabil, ku garantohet rendi dhe ligji dhe ku njerëzve t’i sigurohet jeta e dinjitetshme me punë, shëndetësi, arsim e shërbime cilësore.

Rroli i subjekteve politike

Murati ka shtuar se nuk është e pamundur të ndryshojë mendësia politike në vend, mirëpo për të ndodhur një gjë e tillë duhet vetëdijesim i qytetarëve.

“ Prioritetet e politikës kosovare assesi nuk duhet të jenë veprime e elemente që sjellin një grusht vota më shumë në zgjedhjet e ardhshme, por këto politika duhet të jenë të orientuara drejt krijimit të një shteti stabil, ku garantohet rendi dhe ligji, ku njerëzve u sigurohet jetë e dinjitetshme me punë, shëndetësi, arsim e shërbime cilësore. Nuk është e pamundur të ndërroj mendësia politike në vend, por për të ndodhur një gjë e tillë fillimisht duhet të ketë vetëdijesim të gjerë të qytetarëve të vendit, duke ndëshkuar me votë politikanët e papërgjegjshëm. Po ashtu, partitë politike luajnë rol të madh në këtë aspekt, pasi që këto subjekte duhet të përkujdesen që kandidatët e tyre që garojnë për pushtet qoftë në nivel qendror apo lokal duhet të jenë individë me virtyte të larta profesionale e personale, si dhe vizioni i partive duhet të jetë qartazi i paraqitur në programin politik të partisë” ka theksuar  Murati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat