Koalicioni LAA konfirmon unitetin, LDK-ja me rol kyç

Politika

Koalicioni LAA konfirmon unitetin, LDK-ja me rol kyç

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 korrik 2017 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa janë të palëkundur në qëndrimin e tyre për të mos përkrahur koalicionin PAN në formimin e Qeverisë.

Një qëndrim të tillë e kanë bërë të ditur edhe një herë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LAA-së, kreu i AKR-së Behgjet Pacolli dhe  kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, të cilët janë shprehur se do të vazhdojnë të jenë të vendosur për të qëndruar bashkë.

Kandidati për kryeministër i koalicionit LAA Avdullah Hoti, e ka quajtur konspiracion mundësinë që deputetët e AKR-së ta braktisin koalicionin dhe të shkojnë me PAN-in.

“Unë mendoj që këtij konspiracioni i ka dal. nuk ka më asnjë kuptim më ky konspiracion që është sjell nëpër media që sa kohë. Ne jemi koalicion të palëkundur 29 veta, si parti politike e kemi bërë të qartë. Unë lus mediat dhe gjithë qarqet tjera që të lënë konspiracionin dhe të merren me tema më serioze”, u shpreh Hoti. 

Ndrësa Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se kjo parti i mbetet besnike bashkimit me LDK-në, Alternativën dhe të tjerët.

Sipas tij,  nuk ka asgjë të vërtetë që dikush nga AKR-ja do ta votojë Ramush Haradinajn nga koalicioni PAN për kryeministër.

Kurse deputeti i koalicionit LAA, Ilir Deda thotë se mbledhja e koalicionit në selinë e LDK-së ka qenë e rregullt, si grup i përbashkët parlamentar.

Lufta speciale

Një ditë më parë, Kandidati i LDK-së për Kryeministër Avdullah Hoti, ka deklaruar se lufta Speciale ndaj LDK-së nuk po ndalet.

“Lufta speciale ndaj LDK-se nuk po ndalet, përmes lajmeve të rreme dhe konspiracionit. Por, është e kote. LDK është unike, me te gjitha strukturat e saj, nga nëndegët deri në kryesinë qendrore”, ka thënë Hoti.

Image
Shpejtim Bulliqi

 Ish deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi ka thënë se LDK-ja nuk është provuar me sfida të tilla.

“Luftën speciale”, mund ta praktikojnë oponentët politik, nga taborët e ndryshme , secili tabor për interesat e tyre. Kjo përgjigje e bartësit të listës së LAA është normale, LDK-ja është unike deri në një nivel të caktuar, megjithatë nga e kaluara kemi mësuar se tek çdo subjekt/ koalicioni ka individ ose grupe që në momente të ndryshe për qëllime parimore të tyre mund edhe të mos jenë në të njëjtën vijë me subjektin. Në bazë të deklarimeve dhe deponimit që po shfaqet ë opinion nga të gjitha nivelet e LDK-së unë po e vërej se ka vendosmëri në refuzimin e PDK-së se si pjesë e  PAN-it por jo edhe subjekteve tjera politike”, ka thënë Bulliqi.

LDK-ja me rol kyç

Ai ka vlerësuar se roli i LDK-së mund të jetë kyç në këtë situatë , sepse si subjekt koalicioni që u radhit i treti tashmë po pranon afërta nga dy taborët e para PAN dhe LVV.

“Unë besoj se anëtarësia e gjerë dhe njerëzit më të votuar të LDK-së në këto zgjedhje duhet të vendosin se kah do të shkoj LDK-ja apo në qeverisje dhe me cilin tabor. Çdo veprim vendim i cili merret tash do të jetë i dobishëm nëse është në harmoni me qëndrimet e anëtarësisë dhe njerëzve kredibil të LDK-së.”, ka thënë Bulliqi.

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, duke folur rreth këse çështje ka thënë se nuk mund të spekuloje në lidhje me këtë ka vlerësuar se LKD-ja është brenda vetvetes.

“Nuk mund të them saktësisht asgjë për luftën speciale që zhvillohet aktualisht kundër LDK-s, sepse, për një konstatim të këtillë duhet pasur fakte konkrete, emra e mbiemra të vepruesve dhe llojin e veprimtarisë speciale të tyre. Megjithatë mund të them me siguri se, LDK-ja është brenda vetvetes shumë e kapur nga elementë të shumtë anti-LDK-istë, që janë infiltruar në strukturat e LDK-s, ne të gjitha nivelet dhe që po përpiqen ta tjetërsojnë vizionin dhe përcaktimet programore të kësaj partie, në emër të reformës, e cila është pretendohet të bëhet me propagandën për ripërtëritjes së radhëve të saj me të rinj! Kjo është një thirrje me fjalë shumë të ëmbla dhe kuptimplote, mirëpo, në vepër ka rezultate degjeneruese sepse, ka ndodhur zëvendësimi i kuadrove më të mira dhe me meritore, me persona që nuk kanë fare lidhje me LDK-n, ose që kanë hy në LDK, për ta marrë kalanë nga brenda. Të këtillët janë përkrahur nga kuadrot “poçinga” të kohës së Presidentit Rugova, të cilët me hile dhe kurdisje të poshtra i kanë eliminuar kuadrot më të mira elitare dhe militante të LDK-s, duke i zëvendësuar me injorantë, servilë, putha doras, ‘lëpiskaxhinj’ që nuk kanë asgjë të përbashkët me LDK-n”, është shprehur Zogaj.

Reformimi i LDK-së

Sipas tij, të këtillë njerëz të pa merituar ka në Kryesinë qendrore, ka në Këshillin e Përgjithshëm, ka nëpër kryesitë e degëve dhe në gjithë strukturat e partisë.

“Të këtillë njerëz në emër të LDK-s kanë hy nëpër borde, nëpër institucione shtetërore, në diplomaci... që hanë bukë në emër të LDK-n dhe kukurisin kundër LDK-s. Për të këtillët besoj se e ka pasur fjalën edhe kandidati për kryeministër i LDK-s, Avdullah Hoti, kur ka theksuar luftën speciale që bëhet kundër LDK-së, Po, këta janë subversivët që e rrezikojnë aktualisht LDK-në dhe të cilët do ta dërmojnë këtë parti, nëse LDK-ja nuk i rikthen militantët e saj të devotshëm, idealistët e dëshmuar rugoviane, që janë të gatshëm të ballafaqohen me trumcakët dhe sorrat e larme brenda LDK-s, në të gjitha nivelet”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Image
Faton Mehmeti

Ndryshe analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se LDK-ja  nuk guxon që të bëj gabimin e viit  2014 duke u futur në koalicion me PDK-në  respektivisht me PAN.

Sipas tij, LDK-ja duhet të qëndrojë në opozitë, të reformohet dhe të del si alternativë në zgjedhjet e ardhshme.

“LDK duhet të reflektojë për gabimet e saj, të kërkojë falje për besimin e thyer ndaj qytetarëve që i besuan votën kundër PDK –së dhe që bëri koalicion me të. Prandaj besoj se LDK-ja duhet të qëndrojë në opozitë dhe si e tillë mund të jetë e fortë dhe të ketë prurje të reja të cilat do i bënin mirë. Mendoj se Hoti nuk do të bëj gabimin e z. Mustafa sepse nuk guxon një figurë e të ardhmes të digjej kaq shpejt”, është shprehur analisti politik  Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat