Loja e PAN-it me numrat dhe plani i Hashim Thaçit!

Politika

Loja e PAN-it me numrat dhe plani i Hashim Thaçit!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 22 korrik 2017 Në ora: 07:18
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Janë bërë gati një muaj që kur përfunduan zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Pasi dolën fitues, koalicioni PAN vazhdimisht deklaronin se kanë numrat e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë, por se duhej të pritej certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja.

Por, edhe pse rezultatet u certifikuan me 8 korrik, dhe që nga atëherë, presidenti Thaçi ende nuk a vendosur që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në vend të kësaj, Thaçi, ka vendosur që të thërrasë partitë politikë në një takim konsultativ të Hënën, në mënyrë që të vendosët për thirrjen e seancës. Përderisa kjo është mirëpritur nga koalicioni PAN, nga partitë tjera janë drejtuar akuza ndaj Thaçit, pasi sipas tyre me këto vonesa Thaçi po i shërben koalicionit PAN dhe Ramush Haradinajt, i cili assesi nuk po mund të sigurojë votat për formimin e Qeverisë, ku deri më tani PAN llogarit në 59 vota, duke përfshirë edhe ato të minoritetit serb.

Image
Armend Zemaj

Jo serioze ftesa e Thaçit

Duke folur për thirrjen e takimit nga Thaçit, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë që kjo është një ftesë e panevojshme dhe jo serioze nga ana e Thaçit.

“Letër joserioze, e përgatitur keq, e bërë me hile për t’i thirrur subjektet parlamentare. Presidenti është i obliguar ta caktojë seancën konstituive, e jo të ketë takime të tilla që mund të përdoret si precedent i keq për të ardhmen. Kjo është zvarritje e qëllimshme. Me përgatitjen e seancës është kryesia e vjetër me përfaqësuesit e subjekteve qe kane fituar vende ata qe merren ne afatin e parapare me rregullore të kuvendit. Këtë e shohë vetëm tendencë për shtyrje për arsyet e njohura tani qe koalicioni PAN nuk ka mundësinë qe te krijoj qeverinë. Dhe shtyrjet e tilla janë precedent i keq për institucionin e Presidentit”, është shprehur Amend Zemaj, për gazetën “Bota sot”.

Image
Milaim Zeka

Thaçi po luan me deputetët e Kosovën

Ndërsa, kundër thirrjes së Thaçit ka dalë edhe deputeti nga Nisma për Kosovën, Milaim Zeka, i cili ka thënë se Thaçi po luan me deputetët dhe qytetarët e Kosovës, gjë e cila po i kushton shumë vendit.

“Shoë mediatik i Presidentit (për ta vene ne vend te pare ne listën e Kallashit, Linda Morines e Bleona Qerretit), po i kushton shume vendit, dhe po i forcon shume kundërshtaret e tije politik. Vendi nuk ka nevoje për asnjë konsulte paraprake me parti. Vendi ka nevoje qe te thirret seanca parlamentit, qe aty te matet forca politike e çdo subjekti politik. Hiq nami nuk bahet nëse PAN-i e bën, apo nuk e bane qeverinë. Nuk bahet nami as partitë tjera nëse e bëjnë apo jo. Kryesorja është qe te bahet qeveria nga ata qe i kane numrat, nga ata qe munden me ba qeverinë”, ka thënë deputeti Zeka.

Image
Albulena Haxhiu

Po ashtu, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur kundër një takimi të tillë, duke i bërë ftesë Thaçit që të mos i shërbej koalicionit PAN.

“Këto pështjellime po bëhen vetëm e vetëm për të blerë kohë. Edhe njëherë, numrat nuk i kanë dhe Thaçi duhet të pushojë së shërbyeri klanit Pronto nga pozita e Presidentit”, ka thënë deputetja nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Ndërsa analistët politikë, gjithë këtë veprim politik e shohin si të panevojshëm dhe një ndihmesë për koalicionin PAN,  i cili deri më tani nuk ka siguruar numrat.

Thaçi të respektojë Kushtetutën

“Nuk besoj që koalicioni PAN i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë. Po ti kishin siguruar Presidenti Thaçi do ta kishte thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit. Është një lojë sikurse në 2014, kur PDK-ja nuk i kishte votat dhe çdo ditë bënin deklarata për media që I kemi siguruar votat për formimin e Qeverisë.  Thirrja e takimin nga ana e Presidentit Thaçi është e panevojshme. Presidenti Thaçi duhet ta respektojë Kushtetutën dhe afatet ligjore”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, analisti Faik Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, Thaçi po tenton që të ndihmojë PAN-in, por që deshti apo nuk deshti, është i obliguar që mandatin t’ia jap partisë apo koalicionit tjetër që siguron shumicën.

“Nëse brenda afateve ligjore koalicioni PAN nuk arrin ta formojë Qeverinë, sipas Kushtetutës Presidenti është i obliguar ti jap mandatin asaj partie ose koalicioni që garanton se ka numrat për formimin e Qeverisë. Nëse deputetët e partive tjera nuk i bëhen bisht PAN-it për tja siguruar votat, atëherë ata do ta kenë të pamundur formimin e Qeverisë dhe Thaçi deshti apo nuk deshti me Kushtetutë është i obliguar që mandatin tja japë partisë tjetër për të tentuar formimin e Qeverisë. Kështu e parasheh Kushtetuta”, ka theksuar Krasniqi.

Loja e PAN-it me numrat

Kurse, politologu Gurakuç Kuçi, thotë se Thaçit dhe shumicës së PDK-së nuk i konvenon dalja në opozitë. Ai e quan një lojë të PAN-it deklaratën për numrat.

Image
Gurakuç Kuçi

“Presidentit Hashim Thaçi dhe as shumicës së PDK-së nuk u konvenon në asnjë mënyrë dalja në opozitë, pasi kjo do prishte koherencën e kapjes së shtetit nga ta dhe do kishte pasoja serioze për karrierën e tyre politike, biznesore dhe private. PAN-i më herët deklaronte se i kanë votat por vetëm se kërkojnë një qeveri “më gjithëpërfshirëse”, ndërsa tani deklarojnë se janë në proces të sigurimit të votave. Pra, PAN më as koordinim të brendshëm nuk ka, kjo i bie që PAN nuk i ka votat përndryshe qeveria do ishte formuar me 17 korrik ashtu siç kishte premtuar  Haradinaj”, thotë Kuçi.

Sipas tij, dukë thirre qeveri gjithëpërfshirëse, PAN po tenton që të sigurojë votat duke manipuluar deputetët e subjekteve tjera.

“PAN tentoi të siguronte votat duke u thirrur në qeveri “më gjithëpërfshirëse” për të manipuluar me partitë dhe deputetët e subjekteve tjera se “ne nuk kemi nevojë për votat e juaja por duam më shumë stabilitet”, një grackë që si duket askush nuk po kurthohet në të. Madje duke i njollosur disa deputetë që kinse përkrahin PAN-in për të nxitur edhe deputetë tjerë, gjë që dështoi pasi vetë të deputetët e cituar shumë shpejtë demantuan lajmet e tilla, dhe si duket PAN nuk e ka pasur parasysh shpejtësinë e lëvizjes së lajmit në ditët e sotme”, është shprehur politologu Kuçi.

Sipas tij, pas këtyre dështimeve, tani Presidenti Thaçi po tenton në çdo mënyrë që pushteti t’i takoj PAN-it.

“Presidenti Thaçi me këto takime tenton që LDK-AKR-në dhe VV-në t’i vë si fajtore të krizës dhe para një presioni ndërkombëtar ku do kishte ndonjë shkëputje apo koalicion të plotë me PAN-in”, përfundon politologu Gurakuç Kuçi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat