Thaçi në shërbim të PAN-it, kryetar i PDK-së edhe kryeministër!

Politika

Thaçi në shërbim të PAN-it, kryetar i PDK-së edhe kryeministër!

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 24 korrik 2017 Në ora: 12:11
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi edhe një herë është vënë në qendër të kritikave me nismat e tij. Thirrja e tij e fundit për takim konsultativ me partitë politike po vlerësohet si blerje kohe për PAN-in. Po ashtu takimi qe presidenti Thaçi beri me Kadri Veselin, Sami Lushtakun dhe Rrahim Pacollin nga AKR është vlerësuar si jo i drejtë dhe aspak parimor. Analistet vlerësojnë se presidenti i vendit nuk e dinë se çka do të thotë me qenë president por e luan rolin e kryetarit të PDK-së.

Shahu: Thaçi edhe Analisti Rexhep Shahu ka thënë për Bota sot se presidenti Thaçi nuk e di çfarë është, nuk e di çfarë do të thotë të jetë president, ngaqë i duket pak që është president por dëshiron të jetë edhe kryetar PDK-së edhe kryeministër, i fut hundët në punët e huaja.

Image
Rexhep Shahu

“Presidenti Thaçi ka arsye që benë punët e huaja, pasi ndjehet se është zot i të gjithëve, i duket vetja si baba i kombit. Ai ndërhyn nga frika sepse ai ka frikë nëse nuk formohet qeveria me PDK-në, me partinë e tij. Ka frikë që të jetë ndonjë qeveri jashtë partisë se tij. Thaçi nuk njeh kompetenca, ai mendon se i ka të gjitha kompetencat, ai beson se edhe dimri edhe vera janë në kompetencën e tij” ka thënë Shahu.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka ftuar në një takim konsultativ të gjitha partitë politike në vend më 24 korrik, në të cilin do të diskutohet rreth caktimit të datës për konstituimin e Kuvendit. Në ditën e parë të ftesës nga presidenti partitë nuk i janë përgjigjur ftesës. Në lidhje më këtë ka reaguar edhe Albulena Haxhiu deputete nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo në një postim të saj në faqen zyrtare  në facebook ka thënë se e drejta për të thirrur seancën konstituive i takon vetëm presidentit ,dhe se kjo e drejtë kalon tek deputetet vetëm nëse presidenti nuk thërret seancën brenda 30 ditëve.

“Këto pështjellime po bëhen vetëm e vetëm për të blerë kohë. Edhe njëherë, numrat nuk i kanë dhe Thaçi duhet të pushojë së shërbyeri klanit Pronto nga pozita e Presidentit! Seanca konstituive duhet të thirret sa më parë’ thuhet ne reagimin e deputetes Haxhiu.

Presdenti nuk është unik

Afërsia që presidenti Hashim Thaçi vazhdon ta ketë më partinë që ai dikur ka udhëhequr PDK-në shihet si trysni ndaj partive të tjera dhe se presidenti nuk paraqet unitetin e të gjithëve. Thaçi shumë herë është kritikuar edhe për shkelje të Kushtetues më veprime të tilla ani pse ende nuk ka asnjë ankesë zyrtare në lidhje me shkeljet e presidentit Thaçi.

Image
Skënder Zogaj

Në duar të Kushtetueses

Njohësi i çështjeve politike në vend Skënder Zogaj ka bëre të ditur se presidenti duhet të jetë mbipartiak, figura e unitetit politik dhe përfaqësuesi i shtetit.

“Këtë funksion Hashim Thaçi e ka në maje të gjuhës dhe e ka shprehur gjithandej nëpër prononcimet e tij, kështu që, çdo veprim ndryshe, është shkelje e betimit presidencial dhe diskreditues për presidentin e vendit. Sa i përket takimeve të Presidentit Thaçi me zyrtarë të AKR-së nuk shoh asgjë të keqe, sepse, zyrtarët e të gjitha partive duhet të jenë të mirëpritur nga presidenti, mirëpo, nëse këto takime janë bërë me qëllim të ndikimeve politike për të ndikuar që ata të ndihmojnë PAN-in, kjo është shkelje e rëndë e kompetencave dhe, çështjen duhet ta gjykojë Gjykata Kushtetuese, sepse kemi të bëjmë me "shkelje të rëndë" ka thënë Zogaj.

Sipas tij gjykata  Kushtetuese e dinë kompetencën e vet dhe e ka njëfarë përvoje sepse, i ka rrëzua nga froni dy presidentë për shkelje të ngjashme, shumë më të vogla se sa angazhimi influencues për të ndikuar në përkrahjen e një anshme të një partie të caktuar për qëllime të caktuara! Nëse kjo është e vërtetë dhe nëse Gjykata Kushtetuese hesht, sepse kjo është dëshmi rrëqethëse për drejtësinë në Kosovë.

Kushtetuta e Republikës se Kosovës në Nenin 83 [Statusi i Presidentit] Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat