“Kosova, nën ndikim të qarqeve të lidhura me Rusinë”

Politika

“Kosova, nën ndikim të qarqeve të lidhura me Rusinë”

Nga: Bota sot Më: 25 korrik 2017 Në ora: 10:09
Enver Bytyçi, pjesëtar i UNMIK-ut në Kosovë

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se në Kosovë kanë ndikim edhe qarqe të lidhura me Rusinë, e madje edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën janë të lidhura me Rusinë.

“Ka qarqe të caktuara në Evropë, të cilat duan ta tensionojnë konfliktin social në Kosovë. Këto qarqe janë të lidhura me Moskën dhe sit ë tilla i bëjnë shërbimin e radhës ambicieve të Kremlinit për të destabilizuar Kosovën dhe më pas për të kërkuar që ajo t’i rikthehet Serbisë.

Nuk është rastësi fakti që vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur e Sovran kanë lidhje të ngushta specifike me Rusinë.

Askush nuk mund të thotë se Greqia, Spanja, Qipro apo Sllovakia nuk janë njëkohësisht shtete me lidhje të veçanta dhe vokacion miqësor me Rusinë dhe me rusët. Si të tillë kanë lidhje të tilla edhe me Serbinë e për pasojë janë pozicionuar në krah të atyre forcave destruktive që duan shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës dhe destabilizimin e saj. Këtij qëllimi i shërben mosliberalizimi i vizave me Kosovën. Dhe unë nuk besoj se në Bruksel nuk e njohin këtë skenar.

Por pafuqia për të bindur pesë vendet kryeneqe, që veprojnë në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të vendeve të BE-së dhe NATO-s, e bën zotin Hahn të përpiqet të fitojë kohë me kushte përtej kushteve që u janë përcaktuar vendeve të tjera, me të cilat BE ka liberalizuar vizat. P.sh Ukrainës nuk i thanë që të përcaktojë demarkacionin me Rusinë e pastaj të liberalizojnë vizat për të. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës e ka pranuar si kusht dhe duhet ta zbatojë.

Por më parë duhet të ketë një qeveri Kosova”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat