Seanca me 3 gusht, Thaçi i del në ndihmë edhe njëherë PAN-it

Politika

Seanca me 3 gusht, Thaçi i del në ndihmë edhe njëherë PAN-it

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 korrik 2017 Në ora: 16:30
Presidenti Hashim Thaçi

Presidentit i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ka vendosur që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit me 3 gusht. Po sipas përfaqësuesve të partive politike jashtë koalicionit PAN, dhe analistëve politikë, shtyrja e seancës konstituive deri me datën 3 gusht është edhe një dëshmi tjetër e radhës që na bën me dije, se presidenti Thaçi po dëshmon që po i ndihmon PAN-it,  në mënyrë qe ti sigurojë numrat të cilët nuk i ka.

Image
Dardan Velija

Thaçi po mbehtetë PAN-in që të sigurojë numrat

Kandidati për deputet nga LDK, Dardan Velija, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka pohuar se është shumë e qartë që presidenti po e favorizon një grupacion politik si në fushatë ashtu edhe në deklarata dhe veprime pas zgjedhjeve.

Sipas tij, blerja e kohës në shërbim të një force politike nga i pari i shtetit është qartazi humbje kohe për vendin.

“Për të gjithë është e qartë që PAN-i po mundohet në një formë a tjetër të sigurojë numrat për të garantuar marrëveshjen e tyre parazgjedhore (ndarjen e kryetarit të kuvendit dhe kryeministrit)” është shprehur Velija.      

Image
Vesel Makolli

Lojëra të Thaçit

Ndërsa, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, ka thënë që Thaçi po e ndihmon PAN-in tashmë është evidente dhe situata ka qenë shumë e qartë.

Sipas tij, në qoftë se në njërin tabor janë 61 shqiptarë, plus me pakica e bëjnë shumicën absolute, atëherë pse mos me ia dhënë të drejtën e formimin te qeverisë në mënyrë që të formohen institucionet e jo të behën lojëra.

“Nuk është diçka absurde nëse i jepet pozita asaj partie që i ka numrat, sepse tekefundit kjo gjë ndodh edhe nëpër vendet tjera të botës, por Thaçi po i bën këto lojëra sepse për të kjo nuk është ndonjë problem i madh. Dihet që ai këtë lojë e ka luajtur edhe përpara kur ka qenë qeveria  6 muaj ditë e bllokuar dhe kërkonte vota nga Lista Serbe. Dhe fatkeqësisht e njëjta lojë po luhet edhe tash, por shpresojmë që faktor ndërkombëtar nuk do të lejojë që të përsëriten të njëjtat gjëra”, ka thënë Makolli.

Image
Fadil Lepaja

Thaçi ideator i koalicionit PAN

Ndërsa analisti politik Fadil Lepaja ka thënë për “ Bota sot” se Thaçi asnjëherë nuk ka lënë dyshime se është i pa anshëm dhe kjo është pa gjithnjë në sjelljet dhe deklarimet e tij.

“E kam thënë edhe me herët, se koalicioni PAN do të përdorë të gjitha mjetet për të mbetur në pushtet. Edhe caktimi i datës, e tregon këtë orientim të Thaçit që të ndihmoj koalicionin, ideator i të cilit me gjasë ishte ai vet”,  është shprehur analisti politik Lepaja.

Image
Faton Mehmeti

Mesazh i keq nga Thaçi

Kurse analisti politik Faton Mehmeti ka vlerësuar se publikisht dihet që Thaçi është sekser i koalicionit PAN  dhe për të krijuar numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë nga PAN.

Sipas tij, shtyrja e kuvendit me 3 gusht është një hapësirë maksimale që i është dhënë PAN-it për t'i siguruar numrat, që nuk i kanë se po t'i kenë seanca do të mbahej këtë javë.

“Thaçi po shkel kushtetutën duke mos qenë mbi palët por palë , dhe kjo faktikisht e zbeh edhe më shumë imazhin e presidentit si faktor uniteti. Ky është një mesazh i keq që Thaçi si president përcjellë tek populli, prandaj dhe seanca e 3 gushtit mund të dështojë pasi PAN-i ende nuk i ka siguruar votat”, është shprehur Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat