Vetëvendosje kundër pazareve të Haradinajt e Veselit, ky është skenari i saj për 3 gusht

Politika

Vetëvendosje kundër pazareve të Haradinajt e Veselit, ky është skenari i saj për 3 gusht

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 korrik 2017 Në ora: 10:32
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Koalicioni PAN nuk i ka ende numrat për kryetarin e Kuvendit dhe nëse këta numra nuk do të arrihen deri me datën 3 gusht, atëherë Kosova do të jetë në ngërç politik. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, duke thënë se PAN në radhë të parë duhet ti bëjë minimum 61 vota të deputetëve, për të zgjedhë krye parlamentarin, në të kundërtën sipas tyre nuk do të nisë procesi i zgjedhjes.

Zyrtarë nga koalicioni PAN kanë deklaruar se kryetari i PDK-së Kadri Veseli do të jetë kandidati i tyre për Kryetar të Kuvendit, mirëpo vet Veseli nuk ka pohuar e as nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

LAA e pavendosur

Image
Mimoza Kusari-Lila

Në anën tjetër, Mimoza Kusari Lila, deputete e zgjedhur nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa ka deklaruar se për kryetarin e Kuvendit do të vendosin në koordinim me partnerët e koalicionit.

“Presim publikimin zyrtar të emrit, dhe pastaj do të marrim vendim. Kemi mbajtur takime me partnerët e koalicionit, por përderisa s’ka emër zyrtar të propozuar për Kryetar të Kuvendit edhe ne si koalicion ende s’kemi vendim”, ka thënë ajo për mediet vendore.

Pantina: VV nuk e voton Kadri Veselin për kryetar Kuvendi

Image
Shqipe Pantina

Të kontaktuar gjatë ditës së djeshme, dy partnerët tjerë të koalicionit, LDK dhe AKR, kanë thënë se edhe ata presin emrin zyrtar për të marrë vendim lidhur me mënyrën se si do të votojnë.

Deputetja e VV-së Shqipe Pantina ka thënë se Vetëvendosje nuk do e votojë Kadri Veselin për kryetar Kuvendi.

“Lëvizja VV me datën 3 gusht do e kuptojë nëse deputetët do i nënshtrohen vullnetit të votës së qytetarëve apo pazareve politike”, ka thënë Pantina.

Afër ngërçit politik

Image
Blerim Burjani

Analisti politik Blerim Burjani ka pohuar se nëse nuk ka numra Veseli atëherë është ngërç politik pasi PAN duhet në radhë të parë ti bëjë minimum 61 vota të deputetëve për të zgjedhë krye parlamentarin, në të kundërtën as nuk nis procesi i zgjedhjes.

“Pra fillimisht duhet bërë numrat, gjendja shumë e paqartë, spekulative, inatçore ky është një ambient aktual, se çfarë mund te ndodhë po dihet ne rast se PAN nuk i ka numrat”, ka thënë Burjani.

Kontrabandimi i deputetëve

Politologu Faik Krasniqi ka pohuar se PAN-i nuk i ka votat për kryetar të Kuvendit, por ata me çdo kusht do të tentojnë t'i sigurojnë qoftë edhe duke kontrabanduar deputetë të partive tjera.

Image
Faik Krasniqi

Ai nuk beson se ndonjëri nga deputetët e LVV-së do ta votojë Kadri Veselin ose ndonjë kandidat tjetër për kryetar Kuvendi.

Por, të njëjtin besim nuk e ka edhe për deputetët e LAA, sepse siç ka thënë ai “në të kaluarën na kanë dëshmuar që për hir të interesave personale mund të bëhen bashkë edhe me ata që i quanin kriminelë”.

“Ka mundësi që e gjitha është thjesht një skenar. Zgjedhjet lokale janë shumë afër, dhe kjo do t'i penalizonte shumë, nëse njëra nga partitë e koalicionit LAA do t'i bashkohej koalicionit PAN. Prandaj ka mundësi që Qeveria të mos krijohet fare deri pas zgjedhjeve lokale, ose Kadri Veseli ka në plan që ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse mandatari i saj z. Ramush Haradinaj nuk arrin t'i siguroj votat e deputetëve për kryetarin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Çdo skenar është i mundshëm”, është shprehur politologu Krasniqi.

Analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se mbështetur në të kaluarën politike  dhe identitetin politik të VV-së, nuk do ta jep votën pro Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.

Kushtetuesja për kreun e Kuvendit

Image
Hidajet Ahmeti

Ai ka vlerësuar se deri më tani akoma nuk ka kandidaturë zyrtare nga koalicioni PAN për Kryetar të Kuvendit.

“Vetëvendosja ka qëndrim zyrtarë sa i përket votës për zoti Veselin, kurse për  kandidatë tjerë të mundshëm nga koalicioni PAN për të parin e Kuvendit, akoma nuk ka qëndrim zyrtar nga Vetëvendosje. Kurse LAA akoma nuk ka qëndrim zyrtarë për votën pro apo kundër, përveç disa deputetë të këtij koalicioni që ka dalë publikisht për votën kundër Kadri Veselit. Gjykoj se kish qenë e rrugës që të paktën deputetët e të gjitha partive politike apo koalicioneve të jenë të pranishëm në seancën konstituive të Kuvendit, në njërën anë të ketë kuorum për vazhdimin e punëve në Kuvend, kurse në anë tjetër të respektohet  aktgjykimi i Gjykatës Kushtetues për rastin e Krye kuvendarit” është shprehur Ahmeti.

Sipas tij, aktgjykimi politik e jo profesional, i cili në mënyrë automatike i jep të drejtë koalicionit apo parëtisë fituese për nominimin për kryetar të Kuvendit, edhe pse i njëanshëm mbasi ka fuqinë juridike duhet respektuar.

“Edhe pse një aktgjykim cili nuk përkon me rregullat demokratike, i cili në njëfarë mënyrë mohon vullnetin qytetarë që është përcaktuar në kohë të zgjedhjeve, dhe i cili imponon votën pro për kalimin e një hendeku i cili ka gur themelin e një institucioni të pavarur, apo më mirë me thanë  interpretimin nga një institucioni të  instrumentalizuar nga PDK-ja” është shprehur Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat