Ka kaluar më shumë se një javë, prej kur gazeta kombëtare “Bota sot”, ka publikuar emrin e të akuzuarit dhe të burgosurit dhe të akuzuarit për dërgimin e granatës rusë në redaksinë e gazetës “Bota sot”, në Zvicër, më 27 shtator 2002.
Gjykata Federale Zvicerane mori vendim që emri i të burgosurit dhe të akuzuarit për terrorizëm, të mos mbetej sekret, ashtu siç kërkonte pala mbrojtëse e të akuzuarit, dhe si rrjedhojë “Bota sot” ka publikuar edhe fotografinë e tij.
I burgosuri me prejardhje nga Ladorishti i Strugës së Maqedonisë, akuzohet nga autoritetet zvicerane për dërgimin e granatës, e cila u dërgua në zyret e gazetës “Bota sot”, nga posta e lagjes Oerlikon të Cyrihut në vitin 2002.
Lesi, është njeri i afërt me politikanë në Kosovë, konkretisht, me liderin e AAK-së, i nominuar nga PAN-i, për kryeministër Ramush Haradinaj dhe njerëzit e tij më të afërt dhe më të besueshëm, siç është Avdyl Mushkolaj, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Mentor Mushkolaj, kryetar i degës së AAK-së në Zvicër, si dhe me një numër të madh të personaliteteve të AAK-së, pjesë e së cilës është edhe vet i akuzuari për terrorizëm.
Ndonëse “Bota sot”, ka kërkuar për disa ditë me radhë nga vetë Ramush Haradinaj, dhe partia e tij që të sqarojë lidhjet e tyre, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë ende.
Në vend të tij, ka vendosur të flas njëri nga të lartcekurit Mentor Mushkolaj, kryetar i degës së AAK-së në Zvicër. Ky i fundit, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka kërkuar që të “mos njollosen njerëz e emra”, pasi sipas tij, në “AAK është i mirëseradhur çdo njeri që mendon për të mirën e popullit”.
Në postimin e tij, Mushkolaj, duke mos folur as edhe një fjalë për miqësinë e tij me të akuzuarin për terrorizëm Llesin, të cilën “Bota sot” e dokumenton edhe përmes fotografive, ka zgjedhur të vjellë vrerë ndaj kombëtares, duke e akuzuar gazetën për lidhje me Serbinë!
Në vend që të sqarojë lidhjen e tij me të akuzuarin për terrorizëm, ai zgjedh propagandën, duke tentuar që të manipulojë mbështetësit e tyre në mënyrë që të fsheh se njeriu i afërt i AAK-së, po mbahet në burg si i akuzuar për veprën e terrorizmit nga gjykata zvicerane.
Në fotografitë e siguruara nga gazeta, Mushkolaj shihet në paraqitje të ndryshme me personin e akuzuar për terrorizëm. Madje, takimet mes tyre, janë bërë shumë herë edhe në shtëpinë e Lleshit, duke lënë të kuptohet se ata janë shumë të afërt.
Edhe pse ai, sikurse lideri i tij, Ramush Haradinaj, shpeshherë është mbajtur në ideologjinë rugoviane, në njërën nga fotot, Mushkolaj dhe Lleshi shihen duke mbajtur duart grusht, në stilin e diktatorit komunist Enver Hoxha, duke dal “blof” para përkrahësve të tyre.
Të kujtojmë se policia zvicerane e ka arrestuar personin e akuzuar për terrorizëm më 31 janar 2017, dhe në bazë të ADN-së ka rezultuar se i njëjti e ka dërguar granatën ruse në adresë të redaksisë së gazetës “Bota sot”, në Zvicër më 27 shtator 2002.
Është e rëndësishme të theksohet se ky rast po del në dritë pas 15 vitesh. Nëse pakoja e dërguar do të hapej nga pjesa e sipërme, atëherë granata do të shpërthente menjëherë dhe si pasojë, kjo do të rezultonte me vdekjen e 12 personave të pranishëm.
Procesi i gjykimit do të zhvillohet me 16 gusht në Gjykatën Federale në Bellinzona, gjykatë kjo e cila trajton rastet më të rënda të krimeve.