Ndryshimi i kandidatit për kryeparlamentar, me pasoja të rënda për PAN-in

Politika

Ndryshimi i kandidatit për kryeparlamentar, me pasoja të rënda për PAN-in

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 30 korrik 2017 Në ora: 13:41
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Partia Demokratike e Kosovës, në një mbledhje të mbajtur dje, ka vendosur që të nominojë kryetarin e saj Kadri Veselin, kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe në deklarimet e tyre të mëhershme kur flitej për emrin e Veselit për këtë post, kanë thënë se nuk do ta votojnë atë për kryetar të Kuvendit.

Kundër Veselit, kanë dalë edhe deputetë nga vet koalicioni PDK-AAK-Nisma.

Sigurimi i numrave, është shndërruar në pjesën më të rëndësishme të kalkulimeve politike në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht, derisa pritet që kjo datë të sjell edhe të pa pritura. Një koalicion të mundshëm mes LDK-së dhe Vetëvendosjes e shohin edhe zyrtarët e LDK-së, të cilët kanë deklaruar se do të veprojnë në bazë të Kushtetutës se vendit dhe do të arrijnë t’i sigurojnë 61 vota, plus deputetet pakicë.

Gaxherri: PAN, grup interesi që nuk e don Kosovën

Image
Besa Gaxherri

Besa Gaxherri, deputete nga LDK-ja, ka thënë se LDK-ja, pasi ka mbajt mbledhjen e Këshillit të  Përgjithshëm dhe ka marrë qëndrimin që nuk ka votë për Kadri Veselin.

“Njëkohësisht fushata, e cila është bërë bashkë më koalicionin e dy subjekte tjera ,dhe se këto dy subjekte janë deklaruar publikisht që nuk ka votë për Kadri Veselin dhe nuk do të ketë votë për asnjë lloj koalicioni ku është edhe PDK-ja. Këto janë qëndrimet e koalicionit dhe qëndrimet e LDK-së. Ne po presim më pa durim të konstituoen institucionet e vendit, në qoftë se koalicioni PAN i ka bërë votat, ne do të jemi aty për të vazhduar qëndrimet tona, por nëse nuk i ka bërë votat ne mund të shkojmë edhe në zgjedhje, sepse ne jemi të përgatitur për të gjitha mundësitë”, ka thënë Gaxherri.

Sipas saj, nuk është aspak korrekte ndaj qytetarëve dhe ndaj institucioneve,  këto grupe interesi siç i ka quajtur ajo,  “janë bërë bashkë dhe presidenti i vendit i cili ju del në ndihmë”.

“Nuk ju intereson aspak shteti i Kosovës. E rëndësishme për ata është me qenë në krye të shtetit”, ka thënë ajo.

Kurse në pyetjen se nëse koalicioni PAN dështon në formimin e qeverisë, a do të kërkojë LDK-ja të drejtën për një qeveri bashkë më Vetëvendosjen, Gaxherri ka thënë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha të drejtat kushtetuese dhe do të përpiqen që t’i bëjnë numrat 61 minimum shqiptarë, plus minoritet.

Sejdiu: AKR nuk ka votë për PAN-in

Image
Korab Sejdiu

Kurse deputeti i AKR-së, Korab Sejdiu pas regjistrimit që ka bërë si deputet i Kosovës, ka thënë edhe një herë se deputetët e AKR-së nuk do ta votojnë qeverinë e PAN-it.

“Unë besoj që konfuzioni është tek disa palë të tjera e jo të AKR-së si subjekt politik. Vendimet tona do të jenë ato që i kemi marrë me koalicionin.  Që nga fillimi përkundër tentativa e presionit, gjithmonë jemi deklaruar dhe mbesim besnik se s’do ta votojmë koalicionin PAN”, ka thënë Sejdiu.

I pyetur në lidhje me raportimet në media se deputeti tjetër i AKR-së, Labinot Tahiri do ta votojë Kadri Veselin për kryeparlamentar, Sejdiu ka thënë se Tahiri është sqaruar për këtë, duke lënë të nënkuptohet se as deputeti Tahiri nuk do ta votojë Kadri Veselin për kryeparalementar.

Kandidatura e Kadri Veselit për kryeparlamentar prish koalicionin PAN?

Image
Mentor Tahiri

Duke komentuar në lidhje me këtë, analisti Mentor Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se bazuar në deklaratat e lëshuara nga VV dhe LAA, dy blloqet politike nuk do të votojnë kandidatin e përfolur nga PAN për postin e kryeparlamentarit.

Por, sipas tij, nëse PAN insiston në zgjedhjen e Veselit si kryetar i Kuvendit, mund të ketë bllokadë në konstituimin e institucioneve dhe kjo, sipas tij, mund të shpie vendin në zgjedhje të reja.

“Në rast se PAN neglizhon këto deklarime dhe insiston në të njëjtin kandidat, atëherë është e qartë se çështja e zgjedhjes së krye parlamentarit, mund të prodhojë një bllokadë në konstituimin e institucioneve e ndoshta edhe të shpije vendin në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat më së paku do t’i konvenonin PAN-it. Në anën tjetër, ndryshimi i kandidatit për krye parlamentar, do të lë pasoja për vetë ekzistimin e PAN si një bllok unik, ngase do të prishë balancat ndërmjet subjekteve politike që e përbëjnë këtë koalicion”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, përjashtuar çështjen e mandatarit për kryeministër, çështja e zgjedhjes së kryeparlamentarit ishte një nga elementet kyçe përreth të cilin është krijuar koalicioni parazgjedhor mes PDK-së-AAK-së dhe Nismës.

“Vendosja për një kandidat tjetër, cilido që të jetë ai, do të venit peshën e PDK-së jo vetëm brenda jetës politike në Kosovë, por edhe në raport me AAK-në dhe Nismën”, ka theksuar analisti Tahiri.

Krasniqi: PDK i dëshiron zgjedhjet e reja

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa, analisti politik Islam Krasniqi, i ka thënë gazetës “Bota sot”, se partitë politike kanë lidhur inat mes vete, derisa ka theksuar se vendi mund të shkojë së shpejti në zgjedhje të reja.

Sipas tij, PDK-ja nuk do ta votojë Veselin për kryeparlamentar, për shkak se dëshiron të çojë Kosovën në zgjedhje të reja.

“Vendi po shkon drejt një krize të re, ku partitë politike kanë lidhur inat mes vetë dhe nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve të reja. PDK-ja me qëllim nuk e voton Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që vendin ta çojë në zgjedhje të reja”, ka thënë Krasniqi.

Ai më tej ka vlerësuar se PAN mund të ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, pasi Veseli nuk mund të kandidojë për këtë post, pa qenë i sigurt se i ka numrat e nevojshëm.

“PDK-ja ka vepruar kështu duke i djegur dy partitë të cilat janë lidhur me PAN-in, AAK-në dhe NISM-a, ashtu siç i ka djegur Partinë e Drejtësisë dhe Partinë Lëvizja për Bashkim, ku LDK-ja do të bëjë zgjedhjet e brendshme duke bërë reforma që në zgjedhje të hynë me strukturë të re. Ka mundësi edhe PAN-i të ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, sepse kjo qeveri është jetë shkurt dhe Veseli nuk do të kandidojë për kryetar pa qenë i sigurt, duke mos e testuar vetën për diçka që i mungojnë numrat”, është shprehur Islam Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat