“SHIK-u ende prezent dhe i fuqishëm, Kosova në gjendje kritike”

Politika

“SHIK-u ende prezent dhe i fuqishëm, Kosova në gjendje kritike”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 gusht 2017 Në ora: 07:32
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Në seancën e fundit deputeti nga ky koalicion, Milaim Zeka ka porositur Avdullah Hotin e LDK-së që t’i menaxhojë “inatet ballkanike” të liderëve të partive.

“E porosis Avdullah Hotin mos të thotë se Kadri Veseli është dorëzu sepse inatet ballkanike janë shumë të mëdha e ai prej dorëzimit kalon në ç’dorëzim e thotë hajt pe kallim Kosovën e nuk po dorëzohna”, ka thënë Zeka.

Koalicioni PAN qëllimisht po bllokon formimin e institucioneve dhe në përpjekje për të siguruar numrat, nuk po paraqiten në seancë. Ky është vlerësimi i njohësve të çështjeve politike në vend, sipas të cilëve, se sa e izoluar është Kosova nga ky koalicion, tashmë u dëshmua edhe në tri seancat e para pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Por a ekziston ende një rrezik i tillë nga ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli?

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se tashmë është e dijshme se PDK-ja në krye me Kadri Veselin e bën prezencën e SHIK-ut në Kosovë. Madje sipas tyre, SHIK-u është i plotë fuqishëm në Kosovë.

Image
Adrian Kamberi

Kështu analisti politik, Adrian Kamberi duke komentuar deklaratën e deputetit Milaim Zeka, thotë se kishte për qëllim t’i hyjë në hatër Veselit. Sipas tij, derisa Kosova është kall tashmë disa herë, nëse ndodhë prapë nuk është çudi.

“Kosova është kallë disa herë që nga paslufta, por ata munden me kallë prapë, nuk është çudi! Lufta për pushtet në Kosovë çdo ditë po bëhet edhe e fëlliqur, për vete faktin se ne përfaqësohemi nga njerëz si Milaim Zeka. E sot në Kuvendin tonë kemi mbushë me njerëz të tillë. Prandaj kërcënimet e  tij (M.Z.) nuk janë serioze. Ai këto fjalë më shumë i ka thënë për t’i hy në qejf Veselit, pasi që me Thaçin i ka prishë raportet”, vlerëson ai.

Pushteti nëpërmjet destabilizimit të vendit

Sipas tij, është shumë normale zvarritja e votimit të krye-parlamentarit edhe qeverisë, ata donë të vijnë në pushtet siç donë opozita ta marrë mandatarin.

“Unë kam thënë edhe kur Haradinaj ka bërë koalicion me PDK-në se nuk do t’i ketë numrat për tu zgjedhë kryeministër, ai do ta ketë shumë vështirë dhe kjo për faktin që është në koalicion me PDK-në. Por mbetet të shihet në ditët e ardhshme. Nëse nuk do të jetë Haradinaj kryeministër atëherë kemi dy zgjidhje, Qeveri gjithëpërfshirëse ose zgjedhje prapë, sepse as opozita s'i ka numrat”, thekson ai.

Ndërkaq Faik Krasniqi, po ashtu njohës i çështjeve politike, thotë se PDK me koalicionin e tij po mundohet përmes SHIK-ut të mbetet në pushtet.

“Klani Pronto përmes formacionit të saj SHIK, me çdo kusht po tenton të mbetet pjesë e pushtetit. Qoftë edhe duke e  destabilizuar vendin. Arsyeja është që në opozitë e kanë të sigurt burgun për veprat kriminale dhe dëmet që i kanë shkaktuar qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, thekson ai.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: SHIK-u prezent në Kosovë

Krasniqi thotë për “Bota sot” se ndërkombëtarët do ta pengojnë PDK-në me partnerët e koalicionit të destabilizoj vendin.

“Sjelljet dhe gjuha e tyre e ashpër e dëshmon këtë. Por nuk besoj që do guxojnë nga ndërkombëtarët ta bëjnë një gjë të tillë, pavarësisht tendencave të SHIK-ut që kanë për destabilizimin e vendit”, vlerëson ai.

I të njëjtit mendim është edhe analisti Faton Mehmeti. Ai thotë se Kadri Veseli është dëshmi e gjallë që SHIK-u është prezent dhe i fuqishëm në Kosovë.

Image
Faton Mehmeti

“SHIK-u ka qenë dhe vazhdon të jetë, vetë prezenca e Kadri Veselit në krye të PDK-së dhe deri tani në krye të Kuvendit është dëshmi e gjallë se SHIK-u , jo vetëm që është prezent por edhe i fuqishëm. SHIK-u është i zhytur në vrasje dhe krim deri në fyt, prandaj edhe kanë frikë nga gjykata speciale dhe çdo nismë e drejtësisë në këtë vend. Pushteti iu ka shërbyer si ambalazh për t’i ikur drejtësisë dhe mundësisht për t’i ikur drejtësisë duke përdorur forma të ndryshme të kërcënimeve ndaj dëshmitarëve si dhe favoreve në tendera”, vlerëson Mehmeti.

Lufta për pushtet

Sipas tij, Kosova e ka shumë të vështirë të shkëputet nga SHIK-u, nga nëntoka por pa u shkëputur nuk bëhet asnjëherë dot shtet.

“Gabimi fatal ishte në 2014 kur LDK bëri koalicion me PDK, pasi nëse do vazhdonte bojkoti ndaj PDK besoj se që në 2014 PDK do të ishte në opozitë por LDK bëri gabim dhe tani Kosova po e paguan ende. Tani , besoj se janë vetëdijësuar të gjithë se e keqja e Kosovës ka emrin PDK, dhe pa largimin e tyre nga pushteti vendi nuk mund të marr frymë”, thotë ai për “Bota sot”.

Analisti Mehmeti thotë se tashmë dihet botërisht se SHIK-u me Kadri Veselin dhe të tjerët nga partia e tij për pushtet bëjnë çdo gjë, madje edhe vrasin.

“SHIK-u me Kadri Veselin dhe banditët tjerë do të bëj çdo gjë që mos të lëshoj pushtetin, pasi e vetmja mundësi që këta të ikin nga drejtësia është pushteti, dhe për pushtet këta edhe vrasin siç ka ndodhur pas lufte. Kosova është në një gjendje kritike, por të gjithë të bashkuar mund të ia dalim qe ta shporrim njëherë e mirë këto re që e kanë mbuluar vendin tani e 18 vjet.”, thotë analisti Faton Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat