A është shkelje e kushtetutës bojkotimi i seancave nga koalicioni PAN?

Politika

A është shkelje e kushtetutës bojkotimi i seancave nga koalicioni PAN?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 gusht 2017 Në ora: 16:21
Kuvendi i Kosoves

Të enjten do të mbahet seanca e ardhshme konstituive e kuvendit të Kosovës. Kjo seancë me ftesë të kryesuesit Adem Mikollovci ka sjellë reagimin e koalicionit PAN, duke thënë se vendimi i Mikullovci është njëanshëm dhe sipas tyre ai është vënë në shërbim të një partie.

Koalicioni PAN ka pohuar se do të vendosni të mërkurën nëse do të marrin pjesë në seancën e së enjtes, ndërsa në medie kanë qarkulluar opinione se koalicioni PAN bënë shkelje të kushtetutës në rast se bojkoton përsëri seancën.

Image

Riza Smaka

Duke folur rreth kësaj teme, njohësit e çështjeve juridike shprehen për “Bota sot” se koalicioni PAN nuk bënë shkelje të kushtetutës nëse nuk marrin pjesë në seancë.

Sipas tyre, normalisht që nuk do të ishte mirë që deputetët të mungonin në seancat e rregullta, por edhe në ato të jashtëzakonshme, mirëpo kushtetuta ua lejon që abstenojnë seancën deri në 6 muaj.

Riza Smaka, njohës i kushtetutës thotë se deputetët mund të abstenojnë seancën deri më 6 muaj, pa kurrfarë sanksioni, e ruajnë, e mbajnë statusin, i marrin privilegjet, pagat dhe kompenzimet e caktuara.

“Nuk shkaktohet shkelje e kushtetutës nëse nuk shkohet në seancën e konvertuar nga z.Mikollovci, pse jo? Ngase, sipas kushtetutës aplikative deputetët, apo grup i caktuar partiak mund të abstenojë apo abstenojnë nga seanca deri në 6 muaj, pa kurrfarë sanksioni, e ruajnë e mbajnë statusin, i marrin privilegjet, pagat, kompenzimet e caktuara deri në 6 muaj ditë. Kjo domethënë që meqenëse ata nuk gjejnë pompozitet mund të abstenojnë nga seanca dhe nuk ka sanksion juridik” pohon Smaka.

Sipas tij, kjo nuk është zgjidhje juridike akutale.

Samka sqaron se nëse deputetët mungojnë edhe pas 6 muajve atëherë iu largohet mandati.

“Nuk është e thënë që kështu është mirë, nuk është zgjidhje juridike aktuale, nëse do të pytesha unë do të veproja ndryshe, që deputetët duhet të marrin pjesë rregullisht në seanca të rregullta dhe të jashtëzakonshme pos në raste kur do të ishin objektivisht të penguara. Pas 6 muajve nëse do të ndodhte ta bojkotonin seancën, gjë që nuk do të ndodhë, do t’iu pushonte mandati i deputetëve. Nëse 6 muaj ditë nuk merrin pjesë në seancë nuk e arsyeton asgjë, i ndërpritet i pushon mandati i deputetëve” deklaron Smaka.

Image
Lirim Zorra

Që nuk ka shkelje kushtetuese në rast se bojkotojnë seancën e së enjtes, shprehet edhe ligjëruesi Lirim Zorra.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk precizon ndonjë afat për konstituimin e pozitës së kryetarit të parlamentit.

“Jo, nuk bëjnë shkelje kushtetuese deputetët e koalicion Pan  sepse në kushtetutën e Kosovës nuk  precizohet  afati për konstituimin e pozitës së kryetarit të parlamentit të Kosovës, po ashtu as vendimi i Gjykates Kushtetuese nuk precizon ndonjë afat, andaj kjo situatë mund të vazhdojë me muaj apo vite krejt kjo varet nga dëshirat e PAN dhe propozimit të tyre për kandidanin për kryetar të Parlamentit” sqaron Zorra.

Përkundër që koalicioni PAN ka thënë se vendimi për seancën e së enjtes është krejtësisht arbitrar, përfaqësuesit e koalicionit LDK- AKR- Alternativa (LAA) kanë konsideruar se vendimi i Mikullovcit është tërësisht i arsyeshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat