Alarmon eksperti i sigurisë: Gjykata i liron, por rusët dhe serbët e arrestuar patën këtë detyrë në Kosovë

Politika

Alarmon eksperti i sigurisë: Gjykata i liron, por rusët dhe serbët e arrestuar patën këtë detyrë në Kosovë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 gusht 2017 Në ora: 10:25
Njesia Speciale e Policisë së Kosovës, ROSU

Arrestimi i gjashtë shtetasve rusë dhe pesë serbë tri ditë më parë nga Policia e Kosovës në Podujevë, ka nxitur debatin për rrezikimin e vendit nga agjenturat e huaja.

Në fillim, Policia kishte njoftuar se ata janë arrestuar si të dyshuar për kalim të pautorizuar të kufirit, por më vonë u dyshua se ata kishin lidhje me grupin që kryente ushtrime në veri.

Mirëpo, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, ka bërë të ditur se ndaj të arrestuarve janë shqiptuar gjoba për kalim ilegal të kufirit dhe se gjykata ka vendosur për deportimin e tyre.

Sipas ekspertëve të sigurisë, ky grup ka pasur planin e tyre armiqësor në territorin e Kosovës.

Image
Hajrullah Tërnava

Duke folur për gazetën “Bota sot”, eksperti Hajrullah Tërnava, ka thënë se Rusia në mënyrë aktive, po ndikon haptas në arenën ndërkombëtare që Kosovës të mos i njihet pavarësia e saj dhe të mos anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.

“Me vet faktin që rusët kanë krijuar bazat ushtarake “humanitare” në rrethinën e Nishit, është e kuptueshme se ata do t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre për çfarë edhe e kanë themeluar këtë bazë. Grupi që është zënë nga Policia e Kosovës, shpresoj të jetë grupi i parë që në mënyrë ilegale e ka kaluar kufirin e Kosovës. Vet fakti se ata e kalojnë kufirin në mënyrë ilegale në përbërje me kominitetin serb e rus, është e qartë se ata e kanë pasur planin e tyre të veprimit armiqësor në këtë territor të Kosovës dhe gjithnjë në korrodinim me ata që iu kanë dhënë detyrat për t’i kryer. Një shtet i madh si Rusia, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, në mënyrë aktive haptas ndikon në arenën ndërkombëtare që shtetit të Kosovës, të mos i njihet shtetësia, dhe të mos anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare si OKB, UNESCO, INTERPOL, etj”, është shprehur Tërnava.

Ai më tutje ka folur për aktivitetet e shërbimeve sekrete ruso-serbe në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e Bosnje Hercegovinë, duke përmendur këtu rastin e organizimit të një grupi serb që deshën të pengojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Sipas tij, shërbimet serbo-ruse kanë patur ndikim edhe në zgjedhjet në Maqedoni.

“Me këtë fakt të angazhimit të Rusisë për qëllimet sikur që i përmenda më lart, është e kuptueshme se ky shtet si mik i përbetuar i Serbisë, e ka qëllimin që të jetë e pranishme në këto pjesë të shteteve ballkanike, sikur që është Kosova, Mali i Zi , Bosnjë Hercegovina, Shqipëria e Maqedonia. Dëshmia më e mirë për këtë aktivitet të shërbimeve sekrete ruso-serbe në këto treva, janë dëshmitë kur në aktivitetet e Malit të Zi për anëtarësim në NATO, një grup serb i udhëhequr nga njerëz eminent serb, ishin organizuar që ta pengojnë këtë anëtarësim, gjë që u burgosën nga policia e Malit të Zi. Gjithashtu, para disa ditëve u montua një bombë që kishte për qëllim aktivizimin e saj. Edhe në zgjedhjet në Maqedoni pati ndërhyrje të këtyre shërbimeve, deri në përdorimin e dhunës ndaj deputetëve të parlamentit dhe formimi i qeversë u stërgjat”, ka thënë eksperti i sigurisë.

Tërnava ka theksuar për “Bota sot” se grupi i arrestuar nga Policia e Kosovës, ka pasur për qëllim çrregullimin e gjendjes kushtetuese në vendin tonë.

“Edhe në formimin e qeverisë sonë, pas këtyre zgjedhjeve që i patëm, qartë mund të dyshohet edhe ky intervenimi dhe burgosja e këtij grupi, që i kanë pasur detyrat e tyre që ta çrregullojnë gjendjen kushtetuese të vendit tonë. Tani thjeshtë mund të konstatohet se vendi ynë gjatë do të jetë cak i shërbimeve sero-ruse”, ka përfunduar Hajrullah Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat