Krizë e thellë tek PAN-i, PDK braktiset nga AAK dhe Nisma?

Politika

Krizë e thellë tek PAN-i, PDK braktiset nga AAK dhe Nisma?

Hava Orana-Xhukolli Nga Hava Orana-Xhukolli Më 13 gusht 2017 Në ora: 11:25
Veseli, Haradinaj, Limaj

Koalicioni PAN e dëshmoi për të kartën herë me radhë që nuk është në gjendje të formojë institucionet, pasi nuk i ka votat e nevojshme. Sado që zyrtarë të kësaj partie deklarohen se i kanë numrat, mungesa e tyre në Kuvend po e thotë të kundërtën.

Por ende nuk është e qartë edhe sa herë të tjera PAN do të bëjë veprime të tilla dhe se a do të vazhdojë të mos marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Pantina: VV po pret dështimin e PAN-it

Image
Shqipe Pantina

Duke folur në lidhje me bllokadën e këtij koalicioni, deputetja Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se presin nga PAN-i që të dalë me kandidatin e tyre në seancën e radhës, dhe t’i hap rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve.

Në rast të dështimit të PAN, Pantina ka thënë se e drejta e formimit të institucioneve, duhet t’i kalojë Lëvizjes Vetëvendosje.

“Te njëjtën ne presim vazhdimin e seancës ku presim që PAN të dalë me kandidatin e tyre për kryetar, në mënyrë që të mundësojnë konstituimin e Kuvendit që është hapi i parë drejt krijimit të institucioneve të reja.  Më pastaj siç e dimë nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, PAN e ka të drejtën të nominojë edhe kandidatin për kryeministër e nëse ata dështojnë në herën e parë kjo e drejt duhet të na kalojë neve”, ka theksuar deputetja Pantina.

Ajo në prononcimin për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se rezultati zgjedhor ka treguar se koalicioni PAN nuk i ka numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë.

“Rrezultati zgjedhor ka treguar se PAN nuk i ka votat e mjaftueshme për krijimin e qeverisë dhe kjo u dëshmua në seancën e parë të Kuvendit. Mbetet të shihet nëse PAN do t’i hapë rrugë demokracisë në vend apo do vazhdojnë me bllokada e shantazhe për të realizuar interesat dhe aspiratat, kryesisht individuale e grupore të tyre”, ka thënë ajo.

Zogaj: Krizë e thellë tek PAN-i, tërheqja e Veselit shpërbën PDK-në

Image
Skender Zogaj

Nga ana tjetër, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se PAN-i është duke përjetuar krizën e thellë, që sipas tij, e ka krijuar nga mendjelehtësia.

“PAN marrjen e pushtetit e ka llogaritur keq duke pandehur se, e vetmja barrierë është LDK-ja dhe se, me rrëzimin e saj gjithçka do ta rrëmbente udhëheqjen e vendit. Mirëpo, siç po shihet ka bërë "hop pa e kërcye gardhin" dhe tash "i ka mbetur gërdhaja e dardhës në fyt", dhe realizimi i planeve do të jetë shumë i vështirë, mbase edhe i pamundur! Këtë e tregoi seanca në tri variacione, që vërtetoi se PAN-i nuk i ka numrat e deklaruar, prandaj ka zgjedhur rrugën e bojkotimit të seancave të Kuvendit, që është mundësi e përfitimit të kohës shpresuese”, ka theksuar  ai.

Sipas Zogajt, bashkimi i LAA dhe Vetëvendosjes për të mos votuar Kadri Veselin, nënkupton fundosjen e PDK-së.

Edhe heqja dorë e Veselit nga kandidimi, PDK-së do t’i sjellë ditë të këqija partiake.

“Rrethanat janë shumë kundërshtuese, sepse LAA dhe Vetëvendosja janë shumë kategorike për të mos e votuar Kadri Veselin, dhe kjo nënkupton fundosjen e PDK-së, e cila nëse heq dorë nga kandidimi i Kadri Veselit, e presin ditë të këqija partiake, sepse ndodh shpërbërja jo vetëm e strukturave të PDK-së, por edhe i një varg grupeve të tjera të interesit që janë të ndërlidhura si "vëllezërit siamez" me këtë parti”, ka vlerësua Zogaj.

PDK braktiset nga AAK dhe Nisma?

Ai ka thënë se PDK-ja është në hall të madh, pasi rrezikon të braktiset nga partnerët e koalicionit, AAK-ja dhe NISMA.

“PDK-ja nuk ka qare pa u përpjekë për jetë a vdekje, sepse, ekziston rreziku që, të braktiset nga partnerët e koalicionit, AAK-ja dhe NISMA , që nuk kanë pse rri peng i saj”, është shprehur tutje Zogaj.

Ndërkaq sa i përket shantazheve, Zogaj ka thënë se janë për keqardhje. Sipas tij, tashmë LAA dhe Vetëvendosje i kanë lënë inatet e tyre dhe po shihet një afërsi ndërmjet tyre.

“Sa i përket shantazheve është për keqardhje nëse janë të vërteta ato që po fliten, ndonëse, në situata të këtilla përpjekjet shantazhuese janë të paevitueshme, sidomos nëse partitë politike nuk ndërmarrin qëndrime të forta. Sa po mund të shihet LAA dhe VV i kanë shkund inatet dhe, po e krijojnë një afërsi shembullore, e cila mund të reflektojë kthesë të madhe dhe të fortë, sepse, nuk janë larg mundësisë që ta krijojnë Qeverinë. Është çështje tjetër që, nga këto zgjedhje, as një lloj qeverie nuk mund të jetë ajo që i duhet Kosovës, sepse, kushdo që ta formojë, në këto rrethana, do të kemi një qeveri larg asaj të dëshiruarës për nevojat aktuale të shtetit dhe popullit të Kosovës”, ka vlerësuar analisti Zogaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat