Flet eksperti i sigurisë, ja si u kryen vrasjet politike në Kosovë dhe kush po pengon zbardhjen e tyre

Politika

Flet eksperti i sigurisë, ja si u kryen vrasjet politike në Kosovë dhe kush po pengon zbardhjen e tyre

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 gusht 2017 Në ora: 08:57
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi

Duke folur për vrasjet politikë në Kosovë, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, për gazetën “Bota sot”, thotë se kjo është një çështje e ndjeshme, duke i cilësuar këto vrasje si një lloj i luftës asimetrike.

“Vrasjet politike, janë çështje e ndjeshme jo vetëm për Kosovën por e dhe për shtetet shumë të organizuara. Këto akte janë një lloj i luftës asimetrike; kjo për faktin se përmes tyre synohet arritja e qëllimeve politike, njëjtë sikurse përmes luftës. Mirëpo këtu, objektivat janë të reduktuara, nuk janë masive; ato  orientohen në një person apo në disa persona të cilët janë bartës së një vije të caktuar politike, ku me eliminimin e tyre synohet që të ndryshohet ajo”, thekson Kajtazi.

Kajtazi, ka shpjeguar edhe metodat dhe përgatitjet që bëhen para se te kryhet një vrasje me motive politike.

“Arkitektura përcaktimit të veprimit për eliminim (vrasje) e objektivave ose objektivit, përcaktohet nga shërbimet inteligjente, të cilat aplikojnë metoda shkencore ku përfshihen: 1.Ppërgaditja e terrenit e cila përfshinë analizën e përzgjedhjes së personit të duhur për eliminim; të dhënat detale për të;  propagandën për denigrimin e tij; propagandën në drejtim të krijimit të armiqve artificial të viktimës me një subjekt tjetër etj, dhe 2. Krijimin e kapaciteteve të realizimit të vrasjes apo atentatit, ku përfshihen aspekte teknike të: personave të angazhuar në terren, vëzhgimi, transporti, tërheqja, kamuflimi, dhe atentatori. Për ta kamufluar mirë këtë veprim shërbimet inteligjente këto kapacitete i ndërtojnë brenda fraksioneve politika apo edhe në mes forcave politike që këto akte të duken si qërim hesapesh në mes veti. Kompeksitetin e këtyre ndërmarrjeve e ilustron më së miri vrasja e presidentit amerikan Kenedi, për të cilin edhe sot e kësaj dite nuk ka një version bindës se vrasja është realizuar nda Osvald”, është shprehur eksperti Kajtazi.

Sipas tij, edhe në vrasjet politike në Kosovë, kemi kombinime të realizuar me përsosmëri.

“Në realitetin e vrasjeve politike në Kosovë, gjithashtu kemi kombinime të realizuar nga një makineri e përsosur me prestigj botëror në këtë punë. Fjala është për shërbimin inteligjent serb i cili ka traditë në organizimin e këtyre akteve. Dhe vet historia e terrorizmit fillon nga shërbimi inteligjent serb i cili me 28 qershor 1914 organizon atentatin e Sarajevës duke e kamufluar atë si një akt të ndërmarr nga të rinjtë nacionalist serb të frustruar ndaj pushtetit Austro-Hungarez”, thekson Kajtazi.

“Shërbimi inteligjent serb (UDB, SDB, RDB, BIA), kombinime të akteve terroriste ka zhvilluar gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftoftë në vendet perëndimore kundër emigracionit politik shqiptar dhe korat. Përkundër faktit se vendet perëndimore kishin kapacitete të organizuara për të identifikuar aktivitetet terroriste të UDB në vendet e tyre, ato as një herë nuk arritën ta bënin këtë. Tani vetëm pasi është bërë hapja e dosjeve të disa republikave ish jugosllave u mundësua identifikimi i këtij aktivitetit”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, në rastin e Kosovës, shërbimet inteligjente kanë organizuar skema me qëllim të ndërrimit të kursit politik të shqiptarëve përmes akteve terroriste.

“Duke filluar që me tentim atentatin ndaj Sabri Hamitit dhe Enver Malokut, vrasjes në Tiranë të ministrit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës Ahmet Krasniqit e për të vazhduar me vrasjet e pas luftës. Natyrisht se skema e aplikuar në këto akte ka qenë e sofistikuar pasi ata përmes agjenturës influente ja arritën që të i ashtuquajturi krahu i luftës të krijojnë klimë cytse në drejtim të vijës tjetër politike, pra të LDK-së”, ka shtuar ai.

Sipas Kajtazit, zbardhja e këtyre vrasjeve pengohet nga strukturat që kanë qenë të infiltruara dhe të akomoduara në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Tani sigurisht edhe mos zbardhja e këtyre akteve pengohet nga po këto struktura që janë të infiltruara dhe të akomoduar në sistemin gjyqësor të Kosovës. Nëse këto akte ndriçohen deri në fund, së bashku me to do të zbulohen edhe rrënjët e shërbimit inteligjent serb në strukturat politike dhe shtetërore të Kosovës. Me to do të dalin edhe ligësitë e njerëzve të Kosovës që janë të përfshira në këto punë të pista, prandaj ai qe e ka ndërtuar vekshin i ka ndërtuar edhe kapakun, dhe saboton punët për tu ndriçuar plotësisht këto akte të cilat kanë lënduar shumë familje shqiptare dhe kanë vënë në pikëpyetje shumë herë mbarëvajtjen e proceseve për çlirim të Kosovës”, ka përfunduar eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat