Drejtësia e kapur nga SHIK, Shkumbin Mehmeti ka përmendur shokët e grupit ekzekutorë

Politika

Drejtësia e kapur nga SHIK, Shkumbin Mehmeti ka përmendur shokët e grupit ekzekutorë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 15 gusht 2017 Në ora: 14:19
Shkumbin Mehmeti

Vrasjet politike në Kosovë, janë një e fshehtë publike, pra, një e fshehtë, që e dinë të gjithë. Opinioni publik është në dijeni të shumë qendrave deklaratave dhe të denoncimeve emërore, qoftë të projektueseve; listë-bërësve; listë- mbajtësve; porositësve e urdhërdhënësve; sekserëve-pagues; e deri të individëve apo grupeve ekzekutive. 

Themi të grupeve, sepse, në disa raste ekzekutimesh, kanë marrë pjesë një duzinë kriminelësh, duke vënë në gatishmëri disa makina, për të karamboluar, aksidentuar, për të penguar lëvizjet ndjekëse motorizuese të policisë ndërkombëtare apo të asaj vendore, për kapjen e kriminelëve.

Tashmë, janë shtuar emrat e personave të implikuar në vrasjet politike; janë shumë emra të të dënuarve, për vrasje të tilla, të cilët nga burgu kanë denoncuar emrat e porositësve dhe të paguesve për vrasje. Janë biseda dhe kërcënime, para ekzekutimeve të viktimave. Kuadri i LPK-së, Bardhyl Mahmuti, në cilësinë e ministrit të jashtëm, para një mase, prej qindra vetash, ka deklaruar: "Ahmet Krasniqi i ka ditët e numëruara. Atë do ta vrasim. Dhe, ai u vra!

Hashim Thaçi i telefonon Ahmet Krasniqit, kur ai ishte në një restorant, në bisedë pune, me kuadro të luftës në Tiranë, duke e sharë me nënë, si një rrugaç, dhe duke e mbyllur bisedën telefonike se "se shpejti kam me mbarue punë me ty!" Dhe, Hashimi e mbajti fjalën, mbaroi punën me ministrin e luftës, e ekzekutoi atë.

Dhe, megjithatë, askush nuk i ka trazuar, nuk i ka hetuar as Bardhylin dhe as Hashimin, për këtë ekzekutim të ministrit të luftës, në kohë lufte, që është sabotim i drejtpërdrejtë i luftës, tradhti qartësisht e lexueshme.

Anëtari i SHIK-ut, Nazim Bllaca, ka shpjeguar bindshëm, strukturën dhe metodat kriminale të SHIK-ut. Ai ka qenë krejt i saktë në emra dhe raste të ekzekutimeve. Megjithatë, vetëm pak njerëz janë dënuar.

 Agim Zogaj, shërbyes në burgun e torturës, deri në vrasje, të Kleçkës, ka denoncuar krimet, si dëshmitarë okular, të para me sytë e tij: me ditar të mbajtur me datime; me bisedë incizuese në zyrën e hetimit të UNMIK-ut; me transmetim të zëshëm në media. Dhe, megjithatë, e dërguan në litar, duke thënë se "kur mora vesh marrëveshjen e prokurorit Salustro me Limaj, për heshtjen e krimeve, vendosa të largohem kësaj bote". Kriminelët u gëzuan. "Tani, nuk mund të dënohemi, se akuzuesi vdiq", thonin ata. Bile, këtë gëzim nuk e fshehu as Jakup Krasniqi. 

Dhe, për ironi, familja e Agim Zogaj, paguante avokatin horr e kriminel, Agim Çela, për ta shpallur spiun të Serbisë, sepse familja ishte e tmerruar nga presionet, shantazhimet, kërcënimet e SHIK-ut vrastar. Por, pavarësisht se Agim Zogaj e dërguan në litar, me qëllim të mbylljes të procesit hetimor, dëshmitë janë vjelur në gjallje të viktimës e, mbi të gjitha, varret e viktimave tjera, janë këtu, madje, anekënd Kosovës.

Fatmir Limaj, e ka thënë dhe përsëritur se "për dënimin me vdekje të Blerim Kuqit dhe të tjerëve, e dinë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, sepse ai ka qenë vendimmarrës", që nënkupton se Fatmiri ka qenë vartës, zbatues i urdhrave, qofshin edhe krime. Kuadri i SHIK-ut, Limaj, njëjtë justifikohet edhe për ekzekutimin e Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit, nga Banja. 

Ai shtiret, në belbëzim, edhe pse në kushte normale, ai është bilbil nga goja, sikur nuk dinë asgjë për rastin, megjithëse ka ditur, edhe në atë përgjakjeje të njerëzve të pafajshëm, ta çarmatos djalin e njërës nga viktimat, ushtar i UÇK-së! Prokuroria, organet përkatëse, tek Fatmir Limaj, duhet ta shohin dëshmitarin kyç, të krimeve zinxhirore. Kush ishin shtabistët e UÇK-së, nga të cilët i merrte urdhrat për arrestime, kidnapime, tortura, deri në mbytje dhe ekzekutime?

Në vitet '60-a, kam shërbyer mësues në Banje të Malishevës. Kam njohur familjen e madhe dhe fisnike Hoxha. Në vitet '90-a, kam bashkëpunuar me disa anëtarë të kësaj familjeje në Gjermani. Ata ishin veprimtarë të shquar të LDK-së të Ibrahim Rugovës. Ismail Hoxha, kryetar i Aktivit të LDK-së në Pirmasens të Saarlandit, ishte vënë në krye të aksioneve, për ndihma të ndryshme të Kosovës, pastaj, për begatimin e Fondit shtetëror, të shprehur në 3 % obligativ. 

Ndonëse, Zyra e LDK-së në Stuttgard, e drejtuar nga kryetari Hafiz Gagica, ishte bërë si një Kosovë në miniaturë, veprimtari veteran, ushtari i dikurshëm i Jusuf Gërvallës, Hero i Kosovës,  Ismail Hoxha, ofroi mijëra marka, për funksionimin e kësaj Zyre të veçantë, në prag të luftës të Kosovës. Shumë të përkushtuar, për LDK-në dhe Kosovën, ishin edhe anëtarët tjerë të Familjes Hoxha, si Hysen Hoxha, Sefer Hoxha dhe vëllazëria tjetër, të cilët jetonin në Ludwigshafen të Rheinland Pfalzit. 

Bëra këtë përkujtesë, për familjen atdhetare Hoxha, të Bellanicës, për të dëshmuar se ata u ekzekutuan dhe u njollosën, vetëm pse ishin ushtarë besnikë të Ibrahim Rugovës. Ata kishin vënë në dispozicion të luftës shumë mijëra marka dhe ishin rreshtuar edhe fizikisht, me armë në dorë. Djali i Ramiz Hoxhës, Fadili, i përlotur dhe në dënesje të mundimshme, thotë se " u vramë me paret tona!"

Drejtësia e kapur nga krimi SHIK 

Rrjedhimisht, Prokuroria dinë shumë, por nuk vepron. "Komandantët" vrastarë, SHIK-as të thekur, Hashimi e Kadrija, me banditër, kanë larguar, seleksionuar kuadrotë e drejtësisë, për të përzgjedhur njerëzit e tyre. Të tjerët janë të shantazhuar, të kërcënuar, thjeshtë, nuk guxojnë të veprojnë. Në këtë pozitë janë edhe gjyqtarët e të gjitha shkallëve. Kujtoni "gjyqtarin" Rrahman Ratkoceri, jo vetëm votoi kundër dënimit të bandës së Llapit, por, u detyrua edhe ta denoncojë votën e tij. Ose avokatin Haxhi Milaku, i cili nuk guxoi ta mbrojë Nazim Bllacën!

Krimineli Shkumbin Mehmeti, që vuan dënimin në burgun e Sigurisë së lartë në Gërdovc, ka përmendur shokët e grupit, ekzekutorë të arrestuar, për vrasjen e dy policëve: një i UNMIK-ut, tjetri i Kosovës. Janë liruar me urdhër të zëvendësshefit të UNMIK-ut, Steven Schook, më vonë, këshilltar partiak i Ramush Haradinaj dhe të eksponentit të LPK-së, Ibrahim Kelmendit! Pse nuk hetohen, këta dy kriminelë të supozuar, me dyshimin e bazuar, për implikim në mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve?!

Më 19 prill 2003, në homazhe në Koshare, me shefen time të Emërgjencës, gjatë luftës, oficeren Sabahate Tolaj, në bisedë për vrasjet politike, të cilat në atë kohë ishin të shumta, më tha: "Në përfundim e sipër, të lëndës në hetim, eprorët e UNMIK-ut, ma marrin dosjen nga dora, me arsyetimin. Fillo lëndën tjetër. Dhe, dosjen paraprake e mbyllin në sirtar!" 

Urojmë t'i nxjerrin ndërkombëtarët, nga sirtarët, dosjet e stivuara, të përgatitura, me aq përkushtim, nga mikja ime, Sabahate Tolaj, që ishte mishërim i bukurisë vajzërore, i zgjuarsisë dhe i trimërisë të pashoqe. Përndryshe, fshehja dhe heshtja e tyre, do të ishte rivrasja e saj.

Vrasjet politike kanë një shtab drejtues kriminal dhe krimet janë zinxhirore, varg e vijë: "Hiq një kashtë, e dalin gjashtë!" Një Sigurimi të monizmit, me metoda jo fort fisnike, do t'i mjaftonte vetëm një muaj, për t'i zbuluar krimet serike e numerike, vrasjet politike, në Kosovë dhe Shqipëri. Pra deri tani ka munguar guximi i Prokurorisë vendore dhe vullneti i mirë i ndërkombëtarëve. Por, as frika e ndërkombëtarëve nuk duhet të injorohet.

Një prokuror ndërkombëtar ka denoncuar një rast, i cili nuk mund të jetë i përveçëm: "I ulur në një qoshe të restorantit, i vetëm, duke pirë kafe, ulet përballë meje një njeri, nxjerrë revolën dhe më thotë: "Unë mund të të vras që tani dhe të largohem i qetë, pa pësuar asgjë. Prandaj, të paralajmëroj, mbylle dosjen e filan rastit, e cila kishte të bënte me një vrasje politike. Dhe, u largua, pa e kthyer kokën prapa!"

Është bërë zhurmë për dosjet e "vjedhura", në Dhomat e Sigurisë, në Ministrinë e Brendshme, në Prishtinë. Jo, nuk bëhet fjalë për vjedhje. Ato janë marrë ngeshëm. Drejtorët e SHIK-ut, janë aty, prej afro dy dekadave zëvendës-ministra dhe deputetë të PDK-së. Skënder Hyseni i ka "çelësat e kashtës" në atë Ministri. Ai nuk mund t'i çojë as pantallonat e vet. E dinë Isa ke donë SHIK-u! Prandaj, LDK-ja ka arritur në këtë "derexhe", gjendje!!

Prokuroria, me SHIK-un, si "Shpatë e Demokleut" mbi kokë, nuk ka mundësi të veprojë, të hetojë e arrestojë, të gjithë ata që janë të implikuar në krimet vrastare politike. Dhe, përgjigja është sa e thjeshtë, aq edhe e saktë: Të gjitha vrasjet politike kanë një autorësi, një shtab, mirë të organizuar, prandaj quhet edhe krim i organizuar. Dhe, kjo është Organizata kriminale e terroriste, SHIK, e organizuar nga LPK-ja, Sigurimi Shqiptar, Serbia, i miratuar edhe nga Sigurimi francez, me qëllim që Kosova të mbetet shtet rakitik, i gjymtë, gjysmak dhe kurrë i konsoliduar.

Historia është përsëritur. Në vitet '20-a, të shekullit të 19-të, kryeministri serb, Pashiq, porosiste: "Duam një Shqipëri të dobët, që nuk mund të rri në këmbët e veta, pa ndihmën tonë!" E tillë rrezikon të mbetet edhe Kosova jonë, nga nënshkrimet konsporative, të bëra nga Hashimi, mik i armikut të shqiptarëve, Arnaud Danjean, agjenti i dubluar i francezëve dhe i Serbisë.

Lexo edhe këtë lajm: “Hashim Thaçi u arrestua për vrasjen e Ali Ukajt, u lirua pas telefonatës së Xhavit Halitit”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat