“Djali i Smajl Hajdarajt rrëfen: Adem Grabovci, me banditët e tij të armatosur: "Ose hiq dorë nga LDK-ja, ose të jap plumb kokës!”

Politika

“Djali i Smajl Hajdarajt rrëfen: Adem Grabovci, me banditët e tij të armatosur: "Ose hiq dorë nga LDK-ja, ose të jap plumb kokës!”

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 16 gusht 2017 Në ora: 14:01
Smajl Hajdaraj

Truproja e Ramush Haradinaj, Bedri Krasniqi, në rrugën për në punë, në një pritë, mirë të organizuar, ekzekuton oficerët e Hetuesisë Speciale, të cilët hetonin vrasjet politike në Dukagjin, Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj si dhe plagosjen e kolegut të tyre. Edhe pse vrasje të cilësuara, krimineli mori dënim mesatar. Pra, për natyrën specifike, ngaqë është hequr dënimi kapital, me vdekje, të paktën, duhej të dënohej me dënim të përjetshëm. 

Për çudë, kurrë nuk hetuan ata që i porositën vrasjet! Shtrohet pyetja, çfarë kishte ky djalë me hetuesit oficerë?! Kush e fshehu dhe e heshti hetimin deri në shterim! A nuk mjafton kjo, që shefat e këtij krimineli rinor, të mos provokojnë me paraqitjen e tyre në publik, duke kërkuar edhe poste qendrore qeveritare e shtetërore?!

Shkurt, një popull tufzak e heshtak, nuk meriton lirinë!

Loja e përgjakshme e ekzekutorit të oficerëve hetues, Bedri Krasniqi, nuk përfundon me kaq. Duke qenë në vuajtje të dënimit, në burgun e Dubravës, bënë vizitë ministri i drejtësisë i AAK-së, me qëllim përgatitjen e arratisjes të kriminelit të përmendur! Duke ia rrah krahët, të dënuarit për dy vrasje dhe një plagosje - politike, thotë, në prezencë të personelit të burgut: "Shihni këtë djalë, edhe pse i dënuar, ky është çlirimtar!"

Një polic reagon: "Është turp, zoti ministër, ta quani një vrasës të dënuar çlirimtar!" Dhe, truproja i ministrit, kërcënon policin: "Kam dëgjuar që ju ka lindur një djalë. Është mirë ta rrisni!" Ja, pra, përmasa e krimit dhe mbrojtja zyrtare e kriminelëve!

Dhe, "çlirimtari" i ministrit të AAK-së, u "arratis" nga burgu i Dubravës, bashkoi bandën e lirë dhe kidnapoi pronarin e kompleksit bisnesor "NORA", në Klinë, Azem Morinën. Atë e fshehën në Bjeshkën e Isniqit, e lidhën me zinxhir, si qen dhe zbritën për ta vjelur haraçin, për shefat e tyre, prej milionash euro, në familjen e tij. Në dorëzim e sipër të këstit, kuotës së parë të parave, u kap në flagrancë, por, asnjë hetim, asnjë dënim shtesë nuk u dha për atë!!

Prokuroria duhej t'i kishte nisur e bitisur hetimet për vrasjet politike

Sigurisht, që Prokuroria, jo se duhet të fillonte hetimin e vrasjeve politike,, por, duhej edhe t'i mbaronte me kohë. Për turpin e Prokurorisë, të qeverisë dhe të shtetit të Kosovës, jo vetëm që ka heshtur krimet, vrasjet politike, por, me urdhër të "komandantëve" vrasës, krimet e vrasjeve politike, gjurmët, faktet, elementet, si bazë për hetim, dëshmitë gjithëfarëshe, i ka dëmtuar, zhvlerësuar, deri në "vjedhje" dhe asgjësim.

Ndërkohë, shefat urdhër-dhënës, sidomos në rajonin e Dukagjinit, por, edhe në të gjithë Kosovën, kanë aksidentuar, ekzekutuar shumë dëshmitarë, për të asgjësuar dëshmitë e shumta, në rast të fillimit të hetimeve.

Vrasja e mbetur në tentativë, por, me pasojë plagosjen e rëndë, deri në mbetjen në karrigen invalidore, të kuadrit, bashkëpunëtorit besnik të Presidentit Rugova, Fatah Rudit, ka elemente e dëshmi të bollshme, për të nisë e bitisë hetimet.

Në ditën fatale, i dërguar në Spitalin e Prishtinës, tri orë më vonë, sjellin tri kufomat e shtypura, të petëzuara, qëllimshëm, për të varrosur dëshmitë e krimit, të atentatorëve të heroit të gjallë, Fetah Rudit. Dhe, ai i dëgjon motrat shërbyese, duke thënë se "janë ata që kanë plagosur deputetin e LDK-së, që po mjekohet këtu".

Cinikisht e marrëzisht, për kriminelët është ngritur një kompleks memorial, përkujtimor, buzë një rruge në Lipjan! Nuk është çudë të trajtohen si dëshmorë dhe familjet të gëzojnë paratë e "heroizmit" të tyre, sepse kanë qenë në shërbim të SHIK-ut, kanë kryer misionin "patriotik", duke provuar ta vrasin kuadrin e devotshëm të Ibrahim Rugovës, Fetah Rudin! Vlen të përmendet se është zhdukur shoferi dhe kamioni, me të cilin u shtypën atentatorët!

Djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi, ka rrëfyer për atë se çfarë ka treguar i ati familjes, pas kthimit nga një aktivitet i LDK-së: "Adem Grabovci, me banditët e tij të armatosur, ndalon veturën e babës dhe ia drejton revolen: "Ose hiq dorë nga LDK-ja, ose të jap plumb kokës!"

Kur djali i tij e denoncoi kërcënimin, e bërë ndaj babës së tij, shefi i "Pront-o" tha se "Smajlin e kam pasë shok!" Shok me revole ke koka, një risi e dëgjuar vetëm tani, nga shefi, skajshëm i përfolur i "Pronto-s", i cili në një festë familjare, e bashkoi të gjithë ajkën e kriminelëve të Kosovës.

Natën fatale të ekzekutimit të Smajl Hajdaraj, në korridorin para banesës së tij, vajza e traumatizuar, hidhet mbi trupin e gjakosur të babait të saj. Polici zyrtar, i cili ishte përkujdesur që atentatorit " të mos i hyjë therë në këmbë", i thotë vajzës, me gjakftohtësi sadiste e kriminale: "Hajt, çka po bërtet. Nuk u ba nami pse u vra!"

Polici është identifikuar nga familja, është matur koha, që rezulton se ai ka qenë, pikërisht, në hyrje të pallatit, përcjellës dhe roje e vrastarit! Dhe, megjithatë, askush nuk është marrë me policin, bashkëpunëtor në krim!?

E dinte fitimtari i Betejës të Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës,  kur thoshte: "Nuk ka krim politik, ekonomik dhe ordinier, pa pjesëmarrjen e TMK-së dhe të Policisë të Kosovës". Kjo u dëshmua katërcipërisht, sepse "komandantët" kriminelë, e dyndën TMK-në dhe Policinë, me banditët e tyre të krimit vrastar dhe të haraçit të dhunshëm, deri në përgjakje.

Ilustruam mendimin për vrasjet politike, heshtjen e Prokurorisë, pengesat direkte të SHIK-ut, deri në bllokimin e hetimeve  të vrasjeve politike.  Por, edhe heshtjen dhe mosveprimin e UNMIK-ut - dikur dhe të EULEX-it të tanishëm. Kjo ka shqetësuar dhe vazhdon ta torturojë popullin e Kosovës, sepse kriminelët janë trimëruar dhe vazhdojnë të provokojnë, me katapultimin e tyre në pushtet e shtet, të mbështetur fort nga Serbia dhe ndërkombëtarët. Nuk ka gjë më të lehtë, se sa për ta sunduar një popull rob, i cili, ndër shekuj ka vegjetuar në robëri, vetëm duke i ndërruar padronët, shtypësit.

Gjykata Speciale si shpresë e fundit  për zbulimin e vrasjeve politike, por edhe dyshime ...

Thonë se "shpresa vdes e fundit". Dhe, i shpëton nga vetëflijimi shumë të lodhur, deri në zgrip të durimit. Dhe, vërtet, të gjitha shpresat janë bartur e varur tek Gjykata Speciale. Por, kjo është një shpresë e vakët, dyshuese deri në mosbesim, po të kemi parasysh Gjykatën e Hagës, nën pushtetin e UNMIK-ut.

Nuk ka dyshim se të gjithë të arrestuarit të Gjykatës të Hagës, kanë qenë super të fajshëm. Ndërsa, lirimet me pafajësi, kanë qenë fiktive, politike, të blera. Hiç më pak e rrejshme e paushallë ka qenë masa e dënimit minor, për krime madhore. Kjo ka irrituar shumë popullin e Kosovës dje, me UNMIK-un dhe e bënë mosbesues, sot me EULEX-in.

Populli i Kosovës nuk ka ndjenja kriminale e sadizmi. Përjashtim bëjnë ideologjikët komunistë, të racës sllavo-ruse, të cilët, me porosi të Serbisë, për ta penguar krijimin dhe konsolidimin e mirëfilltë të shtetit të Kosovës, nismuan dhe sakatosën popullin e Kosovës, duke ia shenjëstruar bijtë më të devotshëm të saj. Përndryshe, populli i Kosovës ka shpirt kristian, është "delja e zezë", në vathën islamike, harron shpejt krimet e të tjerëve dhe falë lehtas "gjynahqarët", kriminelët.

Kështu po i ndodhë edhe tani këtij populli, hiç të këndellur. Ne mallkojmë Teutë Rugovën, tani, pse bëhet argate e PAN-it, që ia kanë bërë jetën skëterrë asaj me vëllezër e prindër, duke mos e gëzuar e jetuar fëmijërinë, duke e gjuajtur në shtëpi e rrugë, me granatë e tritol, babain e saj dhe të kombit mbarë, Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Por, realisht, as ne, si popull, nuk jemi larg Teutës, në mëshirën alogjike, deri në turpërim skajor. Përndryshe, ky popull, deri dje, i rrahur dhe i vrarë, nga banda e "komandantëve" rrugaçë e kriminelë. Dhe, sot i kërcënuar dhe i përbuzur, nga po ata, veçse  të kollarisur e të veshur me pushtetin banditesk, nuk duhet ta zinte gjumi, këtë popull, pa i parë vrastarët faktik prapa grilave.

Vazhdon një provokim, sa torturues e cinik, po aq alogjik e idiotesk, kur thuhet se Gjykata Speciale e kufizon mandatin hetimor, deri në fund të vitit 2000! Ndërkombëtarët janë këtu. Kanë parë me sytë e tyre se Kosova nuk ka as forcë dhe as mundësi teorike, për t'i bërë zap, burgosur e dënuar, kriminelët, sepse ata kanë hyrë në çdo pore të shoqërisë, në institucionet komplete, sepse SHIK-u është kudo dhe bllokon gjithçka. 

Albin Kurti shihet si djalë i zgjuar. Por, me refuzimin e Gjykatës Speciale, krijon shumë dyshime. Janë përralla ato që thotë, se ne i dënojmë kriminelët. Dyshimi i parë është se Albini, me partinë e tij, është bisht i PDK-së, sepse duke qenë kundër Gjykatës Speciale, i mbron kriminelët e PDK-së. Dyshimi i dytë është se Albini, ashtu si dhe Demaçi, janë pjesë e SHIK-ut, sepse Demaçi i ka miratuar vrasjet politike, me shprehjen klishe: "Ata e kanë merituar plumbin!"

Albini duhet të reflektojë thellë. Shumësia e anëtarësisë të Lëvizjes "Vetëvendosje", nuk duron gjatë përrallëzimet e ideologjisë satanike komuniste të Demaçit dhe të vet satanit Enver Hoxha. Vetëm pak orë të bisedojë në odën shkodrane, në Shkodrën e tij, do të bindet për rrjedhojat fatale të regjimit të zi, të një heroi të rremë, siç ishte filosllavi Enver Hoxha.

Lexo edhe këto lajme:

Drejtësia e kapur nga SHIK, Shkumbin Mehmeti ka përmendur shokët e grupit ekzekutorë

“Hashim Thaçi u arrestua për vrasjen e Ali Ukajt, u lirua pas telefonatës së Xhavit Halitit”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat