Këto janë dëmet që i shkakton ekonomisë mosformimi i qeverisë

Politika

Këto janë dëmet që i shkakton ekonomisë mosformimi i qeverisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 gusht 2017 Në ora: 19:45
Foto ilustrim

Dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova ende nuk ka formuar qeverinë e saj.

Gjersa partitë politike në Kosovë “fajësojnë” njëra- tjetrën për bllokadën e krijuar në vend për shkak të mos konstituimit të Kuvendit,  është ekonomia e Kosovës ajo e cila dëmtohet më së shumti, kështu kanë vlerësuar njohësit e ekonomisë në vend.

Afaristi dhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka treguar se me zvarritjen e proceseve politike çdo ditë që kalon, Kosova humb miliona.

Sipas Pacollit, deri më tani janë humbur 138 milionë euro të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“A nuk po dëmtohet Kosova, nëse zhagiten proceset si po bëjnë të gjithë? Çdo ditë që kalon, Kosova humb miliona. 138 milionë euro të Fondit Monetar Ndërkombëtar u humbën. 112 milionë euro të buxhetit mungojnë, pse parlamenti nuk mblidhet, pse qeveria nuk krijohet. Kush do t’i paguajë pasojat e kësaj? Politikanët ? Jo, Kosova, qytetari i Kosovës e paguajnë në fund të ditës”,  ka shkruar Pacolli në Facebook.

Edhe njohësit e ekonomisë kërkojnë formimin e qeverisë më shpejt, pasi që sipas tyre është sinjal i keq për investitorët.

Image
Ibrahim Rexhepi

Vonesat, dëme ekonomisë së vendit

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se secila vonesë ka dëme në rrjedhat ekonomike.

“Pa dyshim, se secila vonesë ka ndikim të madh dhe të dëmshëm në rrjedhat ekonomike. Sidomos nëse kemi parasysh se shumë procese janë  në  pritje të vendimeve që duhet t'i marrë Kuvendi, apo Qeveria e Kosovës. Ta keni parasysh se ka mbetur pezull nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e TEC "Kosova e Re", duhet miratuar pakon fiskale, e cila pritet të reflektojë në përmirësimin e pozitës së bizneseve dhe në  standardin e konsumatorëve. Pastaj, duhet vazhduar më  tutje me hapat për aktivizimin e "Trepçës". Me ndikim do të jenë  edhe vendimet e tjera pulitke, si është  demarkacioni, apo asociacioni i komunave serbe, meqenëse, ngecia në këto pika sërish mund të krijojë bllokadë institucionale, e cila ngadalëson, përkatësisht vështirëson proceset ekonomike”, shprehet Rexhepi.

Sipas tij, zvarritja për krijimin e institucioneve ka ndikim të menjëhershëm.

Ai bënë thirrje që partitë politike të marrin leksionin e vitit 2014 i cili ka sjellë dëme të përgjithshme dhe të mos përsëritet përsëri.

“Zvarritja për krijimin e institucioneve ka ndikim të menjëhershëm, meqenëse  edhe ashtu zhvillimi ekonomik është  mjaft i brishtë  dhe i lëndueshëm. Kështu që  secila ngecie, apo secili vendim i pamatur fenon zhvillimin. Për këtë, ilustrimi më  i mirë është viti 2014 kur për gjashtë muaj vendi përjetoi  bllokadë  të  plotë  institucionale. Këtë  vit norma e zhvillimit ekonomik ishte me e ulëta në  historinë  e pas luftës, nuk kishte invetsime, u përkeqësua bilanci tregtar, ra punësimi, e së bashku me të edhe standardi. Të shpresojmeë se viti 2014 do te jetë  leksion për partitë  politike dhe ta kenë  parasysh se zvarritja në  procesin e formimit te institucioneve sjellë dëme të përgjithshem, dëme për tërë  popullatën, të cilat është  vështirë  të riparohen”, pohon Rexhepi.

Image
Ilir Fetahu

Lajm i keq mosformimi i qeverisë

Kurse, Ilir Fetahu njohësi i ekonomisë, shprehet se deputetët duhet t’i shikojnë interesat e qytetarëve dhe të vendit, para interesave të tyre dhe subjekteve të tyre.

“Sipas mendimit tim në vendet me zhvillim siç është Kosova edhe me qeveri nuk mund të arrihet tenativa dhe nevojat e qytetarëve, e aq më tepër Kosova nuk e ka luksin që 2 muaj pas zgjedhjeve të mos krijojë institucionet e saj. Unë mendoj që duhet të jenë të kujdesshëm deputetët e zgjedhur të kuvendit të Kosovës dhe subjektet politike dhe para se gjithash duhet të shohin interesat e qytetarëve dhe interesat e vendit para interesave të tyre personale dhe interesat e subjekteve të tyre në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt dhe të ec përpara me krijimin e institucioneve të vendit dhe të shkohet drejt avancimi dhe zhvillimi që janë primare për shtetin e Kosovës”, shprehet Fetahu.

Sipas tij, është sinjal i keq edhe për investitorët mos formimi i qeverisë.

“Është sinjal i keq që i ipet edhe investitorëve, qoftë të huaj, por fatkeqësisht edhe të vendit. Kur nuk kemi qeveri ende dhe eventualisht të brishtë është sinjal i keq për ta, unë mendoj se Kosova duhet të formojë institucionet e forta, kredibile në mënyrë që të ecet përpara për anvansimin e vendit”, përfundon Fetahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat