VV konfirmon pjesëmarrjen në seancën e 24 gushtit

Politika

VV konfirmon pjesëmarrjen në seancën e 24 gushtit

Më: 17 gusht 2017 Në ora: 00:11
Kuvendi i Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, të caktuar për 24 gusht.

Pjesëmarrjen në vazhdimin e seancës, ku pritet të bëhet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, e ka konfirmuar deputetja Albulena Haxhiu.

Haxhiu  ka thënë se Vetëvendosje do të marrë pjesë në këtë seancë edhepse e ka cilësuar si të papranueshme faktin që “PAN kërkon të drejtë të vetos për caktimin e seancës”.

“Fakti që koalicioni PAN kërkon të drejtë të vetos për caktimin e seancës konstituive për ne është i papranueshëm, sepse në rrethanat që jemi, kryesuesi i seancës konstituive ka të drejta të plota për të thirrur seancë kurdo që e konsideron të arsyeshme”, thotë ajo.

“Ndonëse konsiderojmë që konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet sa më parë, në rrethana të tilla dhe pavarësisht kësaj ne do te jemi ne seance me 24 gusht”, ka shtuar Haxhiu.

Vetëvendosje nuk ka marrë sot pjesë në takimin konsultativ për caktimin e datës së seancës.

Kjo parti në vazhdimësi ka thënë se takimet e tilla janë të panevojshme dhe shërbejnë vetëm për blerje kohe të koalicionit PAN.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 11 qershor, por vendi vazhdon të mos ketë institucionet e veta. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, që mund të ndodhë më 24 gusht, i hapë rrugë formimit të Qeverisë.

Aktualisht është e pasigurt nëse koalicioni PAN – që si grupi më i madh parlamentar ka të drejtën e kryetarit të Kuvendit – i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin dhe më pastaj Qeverinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat