Çfarë mund të ndodhë nëse me 24 gusht nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit?

Politika

Çfarë mund të ndodhë nëse me 24 gusht nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 gusht 2017 Në ora: 08:24
Kuvendi i Kosovës

Në takimin konsultativ të mbajtur në mes partive politike, pa Lëvizjen Vetëvendosje, është miratuar kërkesa e koalicionit PDK-AAK-Nisma që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet më 24 gusht.

Kryesuesi Adem Mikullovci dhe anëtarë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa, kanë pranuar kërkesën e PAN-it, përkundër që ata javën e kaluar kishin kërkuar që seanca të mbahej më 17 ose 18 gusht.

E seancën e 15 gushtit, politologu Faton Mehmeti, e sheh si shansin e fundit të koalicionit fitues të zgjedhjeve, i cili ka bllokuar procesin e krijimit të institucioneve në mungesë numrash.

Mehmeti: LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje, të votojnë kandidatin e PAN-it për kryeparlamentar 

Image
Faton Mehmeti

Në prononcimin për gazetën “Bota sot”,  Mehmeti ka thënë se LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të duhej që të votonin kandidatin për kryeparlamentar të PAN-it, kushdo qoftë ai.

Në këtë mënyrë sipas tij, vendi ose shkon në zgjedhje, ose formohet qeveria.

“Seanca e caktuar për 24 gusht me propozimin e PAN-it, është shansi i fundit i atyre që iu ka mbetur për t’i siguruar numrat , ose vendi do të shkojë drejt një ngërçi të gjatë, pasi zgjidhje tjetër nuk ka. Vakumi ligjor i Gjykatës Kushtetuese ka bllokuar proceset, pasi ia njeh të drejtën vetëm të parit, PAN nuk i ka numrat dhe nëse nuk i siguron, kjo e bllokon procesin, prandaj mendoj se LAA dhe VV do të duhej të votonit kandidatin e PAN-it kushdo qoftë, pasi në këtë mënyrë, vendi ose shkon në zgjedhje ose formohet qeveria”, është shprehur Faton Mehmeti.

Ai ka thënë se nëse PAN nuk i siguron numrat për kryetar Kuvendi, vendi mbetet në këtë gjendje, dhe se ajo mund të vazhdojë deri në pafundësi.

“Nëse PAN nuk i siguron numrat për kryetar Kuvendi, vendi ngelet në këtë gjendje, pasi PAN, nuk lëshon rrugë dhe ky proces vazhdon në pafundësi. VV dhe LAA nuk duhet të presin ata që t’iu kalojë e drejta për formimin e Qeverisë edhe nëse PAN nuk e arrin një gjë të tillë. Por VV dhe LAA duhet të sigurohen se asnjë nga deputetët e partive të tyre nuk e voton qeverinë Haradinaj, duke e dërguar vendin në zgjedhje dhe duke bërë koalicion së bashku, i cili do iu siguronte një fitore të thellë”, ka theksuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat