Ideja e rrezikshme e Daçiqit, Serbia ka projekt ndarjen e Kosovës

Politika

Ideja e rrezikshme e Daçiqit, Serbia ka projekt ndarjen e Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 17 gusht 2017 Në ora: 10:07
Ivica Daçiq

Ministri i Punëve të Jashtme të  Serbisë, Ivica Daçiq, ditë më parë, duke folur për një kompromisi historik mes Kosovës dhe Serbisë,  ka propozuar që të zgjidhet çështja përmes një  kompromisi për ndarjen e asaj që i përket serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe shmangies së konfliktit.

Por kësaj ideje të Daçiqit, i është kundërpërgjigjur Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka hedhur poshtë këtë ide, duke e ka quajtur si të rrezikshme dhe të  papranueshme.

 “Kosova ka një shoqëri multietnike me kufij të njohur ndërkombëtarisht. Idetë që po i rikthen Serbia për ndryshim të kufijve janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Ndërsa, nga analistët kjo ide e të cilën e ka prezantuar Daçiqi është cilësuar si një ide e kamotshme e Serbisë dhe se kjo nuk është zgjidhje për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

Të zgjidhet problemi Kosovë-Serbi

Image
Kushtrim Kadriu

Kryetari i Lëvizjes “Vatra”, Kushtrim Kadriu ka thënë për “Bota sot” se duhet të zgjidhet njëherë e mirë problemi mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.

“Është moment i volitshëm që një herë e mire të zgjidhet problemi në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, e ku nyje e problemit është Kosova Lindore, përkatësisht komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, të cilat vazhdojnë të mbetën të pushtuara nga ana e Serbisë.”, është shprehur Kadriu.

Serbia ka projekt ndarjen e Kosovës

Kurse, analisti Faik Krasniqi ka thënë se liderët në Beograd e kanë një projekt të ndarjes së Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

“Se Beogradi ka në projekt ndarjen e Kosovës, këtë e kanë dëshmuar liderët politikë në Beograd. Beogradi zyrtar është pajtuar që me ndarjen e Mitrovicës të lejohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka thënë se Daçiç ka përsëritur vetëm atë që është projekt i kahmotshëm i Serbisë dhe se kjo nuk do të ishte aspak zgjidhje për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por zgjidhje për t'i kënaqur apetitet e Serbisë.

“Por, një Kosovë e bashkuar me Shqipërinë pa pjesën veriore është tashmë projekti dhe qëllimi i vetëm i Serbisë dhe të gjitha lëvizjet politike të Beogradit shkojnë drejt realizimit të këtij projekti. Dhe Daçiç ka përsëritur vetëm atë që është projekt i kahmotshëm i Serbisë. Prandaj, nuk bën të merren parasysh deklaratat e asnjë zyrtari serb, që për qëllim kanë copëtimin e Kosovës, ashtu siç e kanë copëtuar edhe në të kaluarën, dhe kjo nuk do të ishte aspak zgjidhje për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por zgjidhje për t'i kënaqur apetitet e Serbisë”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës

Image
Refik Hasani

Analisti nga Kosova Lindore, Refik Hasani ka thënë për “Bota sot” ka thënë seSerbia ka bërë  luftëra për më shumë se një shekull kundër shqiptarëve, duke e shtuar se Ivica Daçiqi është një zëdhënës i kohës së Sllobodan Millosheviqit, kasapit që nxiti luftëra në ish-RSFJ.

“Ivica Daçiq, është një zëdhënës i kohës së Sllobodan Millosheviqit, kasapit që nxiti luftëra në ish-RSFJ dhe propozimi që të zgjidhjet me kompromis çështja është ndonjë e re.  Nuk ka kompromis që të ndahet Kosova  pasi Serbia ka bërë  luftëra për më shumë se një shekull kundër neve shqiptarëve. Serbia do të duhej pranoj njëherë e përgjithmonë atë që ka bërë ndaj nesh dhe dëmet që na ka shkaktuar. Beogradi do të duhej sa më parë ta njoh Kosovën shtet dhe Republika e Kosovës të mos pengohet në mekanizm e instanca si  në OKB,etj”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai është i mendimit se bisedimet Kosovë-Serbi duhet që të vazhdohen dhe të arrihet një marrëveshje historike.

“Mendojmë që bisedimet pajtuese shqiptaro-serbe të vazhdojnë për arritjen e një marrëveshje historike, jo vetëm thjeshtë Serbia të njohë Kosovën shtet por kjo është  një pajtim në mesë të dy popujve që ishin në armiqësi shekullore. Serbia për një e më shumë shekulli neve na ka konsideruar për nënshtrim, shtypje, dëbim, gjenocid e çka jo tjetër.  Kjo e ka kuptimin  një: Serbia të pranoj në këtë rast Parlamenti,Qeveria, Akademia, Kisha Serbe se ka bërë këto gjëra, jo vetëm duke na kërkuar falje por edhe duke na njohur që na ka dëbuar dhe të paguaj koston e dëmeve të kësaj lufte”, ka thënë Hasani. 

Kurse sa i përket deklaratës së Ministrit në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hoxhajt, ai ka thënë se Kosova tërësisht të ndërrojë qasjen dhe kursin e ndjekur  ndaj raportit me Beogradin.

Për më tepër, ai ka kërkuar dorëheqjen e Ministres për dialog, Edita Tahirit pasi që rezultati i këtij dialogut ishte pa rezultate.

“Do të duhej ndërtuar tjera vija gjenerale dhe aspekt tjera me Serbinë.  Në bisedimet nuk mundë të harrohen dëbimi e gjenocidi, por nuk mundë të harrohet as Krahina Shqiptare. Kryenegociatorja znj.Edita Tahiri,kërkojmë të jep dorëheqje morale pasi ishte tepër e pa rezultat për disa vite rresht në bisedime.  Në Raportet e tilla do të duhej të kyçet edhe Tirana zyrtare  përmes diplomacisë dhe konsultave të përhershme. Edhe ne shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës do të duhej të jemi pjesë e këtyre bisedimeve për të cilat kemi kërkuar që në kohën e fillimit të bisedimeve të vitit 2005 e këndej”, ka përfunduar Hasani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat