Flet studiuesi ndërkombëtar: Ja pse LDK-së duhet t’i takojë kryeministri

Politika

Flet studiuesi ndërkombëtar: Ja pse LDK-së duhet t’i takojë kryeministri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 gusht 2017 Në ora: 08:58
Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti gjatë fushatës zgjedhore

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore, dhe studiuesi i njohur ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se si mundësi zhbllokimi të krizës politike mund të jetë krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, me kryeministër nga LDK.

Bytyçi jep edhe alternativa se si do mund të arrihet një bashkëpunim në mes të gjitha partive, duke kërkuar një qeveri gjithëpërfshirëse dhe kryeministri t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Image
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

“A është e mundur që në këtë koalicion të përfshihen të gjitha partitë politike e këtë periudhë vendi të mos ketë fare opozitë?! Kundërshtarët e Kosovës nuk janë këtë moment dhe nuk do të jenë partitë shqiptare, por Beogradi e segmente brenda politikës shqiptare. Ato janë e do të jenë opozita politike e nacionale e Kosovës. Gjithë të tjerët duhet të bëhen bashkë për të diskutuar, debatuar dhe ndërtuar platformën e realizimit të qeverisjes së Prishtinës në çdo m2 të territorit të Kosovës. Ndërkaq ka dhe vendime të tjera që kërkojnë konsensus. Një qeveri e kushtëzuar në vendimarrje nga votat e pakicës serbe, nuk do të jetë qeveri e Kosovës, por e Beogradit. Prandaj duhen konsultime për qeveri gjithëpërfshirëse. Por PDK e ka humbur besimin e LDK-së, sepse së paku në dy ose tri raste ka shkel mbi marrëveshjen e përbashkët. Për këtë PDK duhet të paguajë një kosto. Ndoshta kostoja mund të paguhet në zgjedhjet lokale. Atë që PDK bëri për Vetëvendosjen para katër vjetësh, mund ta bëjë për LDK-në dhe ta sjellë në krye të komunës së Prishtinës. Ndërsa Isa Mustafa duhet të heqë dorë nga kokëfortësia e tij dhe inati personal”, është shprehur ai.

Sipas tij, në rast të krijimit ë një qeverie gjithëpërfshirëse, posti i kryeministrit duhet t’i takojë LDK.

“Është mirë që kryeministri t'i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, por me kërkesë që emri i tij të jetë kandidati i saj për kryeministër, pra, zoti Hoti. Pse zoti Hoti? Përfaqëson një gjeneratë të re, ndryshe nga ajo gjeneratë që përfaqëson Isa Mustafa! Kaq e thjeshtë është kjo! Nëse ndodh kjo, punimet e kuvendit zhbllokohen me 24 gusht dhe PAN nuk ka pse bojkoton. Institucionet e Kosovës krijohen si institucione të qëndrueshme!”, deklaron Bytyçi.

Kujtojmë se që nga rrëzimi i qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, kanë mbetur shumë procese të pa zgjidhura, përfshirë këtu marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel të cilat kanë pezulluar gjatë punën e rregullt në Kuvend, pra marrëveshjen e Asociacionit të komunave serbe dhe Demarkacionit me Malin e Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat