Hoxhaj për “Der Standard”: Faza e fundit e dialogut është anëtarësimi në OKB dhe njohja; ja çfarë thotë për krijimin e qeverisë me Pacollin

Politika

Hoxhaj për “Der Standard”: Faza e fundit e dialogut është anëtarësimi në OKB dhe njohja; ja çfarë thotë për krijimin e qeverisë me Pacollin

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 22 gusht 2017 Në ora: 14:55
Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kryer një intervistë për të majtën austriake “Der Standard”, nga ku thekson se në fund të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Kosova do pranohet në OKB. Andaj qeveria duhet të krijohet sa më shpejt.

STANDARD: Nga zgjedhjet parlamentare në qershor, koalicioni PAN, pjesë e së cilës jeni edhe ju, e ka bojkotuar parlamentin. Si do shkojë më tej?

Hoxhaj: PAN-i ka të drejtën që si fituese të caktojë kryeparlamentarin këtë javë. Ne si emër kemi propozuar kryeparlamentarin e deritanishëm Kadri Veseli. Ne mendojmë që pas kësaj do mundësohet krijimi i shpejtë i qeverisë.

STANDARD: Deri tani nuk kemi pasur shumicë. A do jetë partia e milionerit Behgjet Pacolli pjesë e qeverisë?

Hoxhaj: Unë kam mësuar nga Veseli dhe Ramush Haradinaj se ka pasur bisedime me Pacollin. Nëse ai na mbështet neve, atëherë kemi mjaftueshëm vota.

STANDARD: Cilat janë prioritetet e qeverisë së re?

Hoxhaj: Më e rëndësishmja është liberalizimi i vizave. Për këtë duhet të ratifikojmë demarkacionin me Malin e Zi.

STANDARD: Deri tani kësaj i është shmangur Ramush Haradinaj. Si do shkojë më tej?

Hoxhaj: Mbase qeveria e re duhet të gjejë një komision dhe të vlerësojë edhe njëherë vijën kufitare. Mund të shikohen edhe njëherë të gjitha dokumentat, nëse gjithçka është në rregull. Për këtë vendos kryeministri i ri, nëse duhet të ndryshojë ligji për demarkacionin ose jo. Deri në fund të vitit procesi duhet të shkojë drejt fundit.

STANDARD: Së fundi presidenti serb Aleksandar Vucic ka theksuar se Kosova është “e humbur”. Si do shkojë më tej dialogu me Serbinë?

Hoxhaj: Ne jemi në fazën përfundimtare të krijimit të shtetit dhe nuk duhet të flasim më për gjëra teknike por dialogu të shkojë në fazën përfundimtare me ndihmën e SHBA dhe BE; ku Kosova të merr një ulëse në OKB dhe të vije deri te njohja e ndërsjelltë mes Serbisë dhe Kosovës. Dialogu pa këtë është i kotë.

STANDARD: Si duhet të duket marrëveshja në fund të dialogut?

Hoxhaj: Për këtë është herë të flitet. Ka shtete nëpër botë të cilat nuk njihen mes veti, por nuk bllokojnë anëtarësimin në OKB. Kosova dhe Serbia bile janë shtete fqinje, andaj qëllimi është njohja e ndërsjelltë. Sepse sa kohë që Serbia nuk njeh Kosovën, nuk ka pajtim mes dy kombeve. Vucici është gati të shkojë drejt pragmatizmit. Por jam i habitur që shoqëria civile dhe kisha, të cilat kanë luajtur një rol të keq gjatë Luftës së Kosovës, edhe pas 20 vitesh nuk janë gati për të ardhmen.

STANDARD: A do jetë marrëveshja e ngjashme si ajo mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore?

Hoxhaj: Momentalisht lexoj Egon Bahr, i cili atëherë ka ndihmuar procesin. Jo, marrëveshja themelore nuk duhet të jetë një model, sepse çdo realitet është unik.

STANDARD: Ministri i jashtëm serb Ivica Dacic ka folur edhe njëherë për ndarjen e Kosovës. Çfarë mendoni rreth kësaj?

Hoxhaj: Ky skenar gjithmonë ka qenë në tavolinën e Serbisë, por historia ka treguar që ka qenë gabim. Kufijtë e Ballkanit janë fikse - dhe ata që kërkojnë ndryshimin e kufijve në dëm të Kosovës, rrezikojnë stabilitetin. Sepse kjo do shpijë në efektin domino, dhe as BE dhe as SHBA nuk do ishin të gatshme për ta pranuar një zgjidhje të tillë. Ne jemi kundër ndarjes ose shkëmbimit të territoreve mes Luginës së Preshevës. Është në interesin e Serbisë për t’u moderuar dhe të jetë vend europian. Testi i fundit i saj është të qenurit e gatshme për Kosovën./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat