AKR mohon takimet, kërkon qeveri gjithëpërfshirëse

Politika

AKR mohon takimet, kërkon qeveri gjithëpërfshirëse

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 gusht 2017 Në ora: 08:07
Aleanca Kosova e Re

Bllokimi i institucioneve të Kosovës është duke vazhduar që nga data 3 gusht, me seancën e papërfunduar konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i kuvendit, Adem Mikullovci, me propozim të koalicionit fitues ka aprovuar javën e kaluar 24 gushtin për vazhdimin e seancës konstituive.

Para 24 gushtit, deputetët e partive tjera ishin mbledhur për seancë konstituive, mirëpo jo edhe koalicioni fitues duke krijuar kështu bllokadë për formimin e institucioneve.

Gjersa, vazhdon kriza politike në  vend,  Këshilli i përgjithshëm i AKR-së, ka autorizuar Behgjet Pacollin për zgjidhje edhe jashtë koalicionit LAA.

Kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi, ka deklaruar se ata tashmë e kanë autorizuar kryetarin e kësaj partie, Behgjet Pacollin që bashkë me kryesinë e ngushtë të shoh edhe ndonjë alternativë tjetër për koalicion.

Këtë ai e tha pas mbledhjes së Përgjithshme të Këshillit të AKR-së, duke shtuar se një gjë e tillë po bëhet për shkak të gjetjes së daljes nga kriza në të cilin ka hyrë vendi jonë.

 “Kuvendi i AKR-së e autorizojë presidentin Pacolli që bashkë me kryesinë e ngushtë të shohë mundësinë e gjetjes së daljes nga kriza në të cilin është vendi jonë, të shoh mundësi të tjera alternative edhe jashtë koalicionit LAA gjithmonë duke e pasur parasysh interesat e vendit dhe të Kosovës”, ka thënë Matoshi.

AKR-ja zgjidhje jashtë koalicionit LAA, ka parë mundësinë e “afrimit” të saj me koalicionin PAN.

Sipas burimeve të medias, kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli është takuar me nënkryetarin e PDK-së, Xhavit Haliti, duke lënë kështu të mendohet që takimi i tyre ishte për mbështetjen e AKR-së kundrejt koalicionit PAN.

Lekaj konfirmon takimet me Pacollin

Image
Pal Lekaj

Takimet e AKR-së me koalicionin PAN i ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i koalicionit PAN, Pal Lekaj.

Lekaj ka thënë për “Bota sot” se takime në mes të PAN-it dhe AKR-së ka pasur vazhdimisht dhe tani është një ripozicionim i Pacollit.

Sipas Lekajt, koalicioni i tyre ka mbështetjen e Pacollit për krijimin e institucioneve dhe ata shpresojnë që do ta kenë mbështetjen e tij edhe për koalicion.

“ Takime në mes të PAN-it dhe Behgjet Pacollit, apo AKR-së në këtë rast, ka pasur takime të vazhdueshme dhe ka një ripozicionim të z.Pacolli i cili mbështetë  krijimin e institucioneve dhe shpresojmë që shumë shpejt do të dakordohet që të jetë edhe mbështetës i PAN-it”, ka treguar  Lekaj.

Mirëpo, njëjtë nuk ka pohuar edhe zyrtari i AKR-së, Vesel Makolli, i cili është shprehur se koalicioni i AKR-së me PAN-in është gjëja e fundit për zgjidhje.

Image
Vesel Makolli

Makolli duke folur rreth autorizimit të Këshillit të përgjithshëm të tyre, që Behgjet Pacolli të gjejë një zgjidhje edhe jashtë koalicionit LAA, thotë se kjo nuk domethënë afrimi apo shkuarje drejt PAN-it.

Sipas Makollit, secili vendim i tyre është që të lëvizë vendi dhe të gjendet një zgjidhje.

“Nuk do të thotë kjo afrimi apo të shkohet drejt PAN-it, çdo vendim i joni është që të lëvizë vendi, të gjendet një zgjidhje, të jetë një lloj promotori,  një inicuez i lëvizjes së gjërave sepse normalisht ne jemi në pa pozicion, shteti në dispozicion dhe ne shikojmë së pari interesin shtetëror, e jo partiak. Dhe,  çdo parti duhet ta ketë këtë parasysh e jo të pozicionohet në inspikatet e tyre e të shikohen vetëm interesat partiake. Kjo është një tentativë që të lëvizen gjërat dhe të gjendet një zgjidhje që është në të mirë të vendit, e jo të qëndrojmë në dispozicion sepse kjo më së paku i konvenon Kosovës. Këtë duhet ta analizojmë në kontekst të përgjithshëm e duhet të ketë parasysh që Presidenti jonë ka deklaruar më herët për një qeveri gjithëpërfshirëse dhe domethënë të gjitha këto vijnë në kombinim dhe ajo që ju thoni është e fundit”, ka pohuar Makolli për “Bota sot”.

Kurse, analistët politikë kanë vlerësuar se Behgjet Pacolli dëshiron me çdo kusht të hyjë në skenën politike, prandaj votën mund t’ia japë koalicionit PAN.

Kalkulimet e Pacollit

Image
Skender Zogaj

Skender Zogaj, analist politik, ka thënë se Pacolli është një nga biznesmenët më të aftë shqiptarë, mirëpo njëkohësisht mbetet një nga politikanët më të dobët që ka Kosova.

Zogaj ka treguar përse e konsideron Pacollin si një politikan të dobët.

“Behgjet Pacolli është një nga biznesmenët me të aftë shqiptarë, por njëkohësisht është njëri nga politikanët më të dobët që ka Kosova, sepse në fakt, kurrë nuk ka qenë dhe nuk mund të bëhet politikan i mirëfilltë. Nuk e kam fjalën për manovrimet e dobëta që i ka bërë dhe po i bënë këto ditë, por e kam parasysh gjithë përpjekjen e tij për të hyrë në skenën politike, përtej çdo niveli amatorësh, me qindra gabime diletanteske, që i ka bërë në vazhdimësi dhe që e kanë përballë me pësime të njëpasnjëshme. Behgjet Pacolli nuk e ka asnjë mik të sinqertë që do ta këshillonte, për ta vetëdijesuar dhe për ta bërë të kuptojë se nuk është në tokë të bukës, se po e përbuzë veten e tij, duke qëndruar në skenën politike si një marionetë për çdo lloj të komedie, por kurrë për ndonjë shfaqje të vlershme politike”,  ka vlerësuar Zogaj.

Sipas tij, Pacolli  ka përfituar katër deputetë përmes koalicionit LAA dhe me këta tani përpiqet të bëjë politikë.

“Duke hyrë nën çadrën e koalicionit LAA ka arritur të përfitojë 4 deputetë, me të cilët tash përpiqet të bëjë politikë. Kjo nuk është politikë, ky është tugjarllëk. Behgjet Pacolli duhet të tregohet më burrëror dhe të mos kalkulojë, por ta thotë hapur, po kam shumë qejf me qenë në politikë dhe, kush më blenë më shtrenjtë, me atë jam. Këtë duhet ta thotë Behgjet Pacolli, që, ka plotësisht të drejtë të largohet nga koalicioni LAA dhe votën e tij t'ia jap PAN-it. Kjo është e drejta e tij dhe, këtë nëse dëshiron ta bëjë duhet ta bëjë hapur dhe burrërisht”,  ka përfunduar Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat