“Direktivë për Avokatët”, rregullorja që po pengon ngritjen e aktakuzave nga Specialja

Politika

“Direktivë për Avokatët”, rregullorja që po pengon ngritjen e aktakuzave nga Specialja

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 gusht 2017 Në ora: 10:12
Selia e Gjykatës Speciale, Holandë

Situata e tanishme politike ka bllokuar shumë çështje të rëndësishme për të ardhmen ë vendit. Njëra ndër çështjet që ishte paraparë të jetë më e nxehta e kësaj vere, ishte ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale. Kjo gjykatë ka paralajmëruar se do të nis me akuzat e para në këtë vit, ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.

Derisa njohës të këtyre çështjeve pohojnë se kjo Gjykatë do të filloj punën brenda këtij viti, zyrtarë të saj thonë se nuk mund të komentojnë ende punën e saj, derisa është punë në vazhdimësi.

Specialja shumë shpejtë ngritë aktakuzat

Image
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, thekson se kjo gjykatë e cila do të nis punën e saj jashtë territorit të Kosovës, së shpejti do të nis me akuzat e para.

“Duke ju "falënderuar" një pjesë të ish deputetëve të kaluar të Kuvendit të Kosovës që votuan me 2015, kundër shtetit të Kosovës, kundër popullit shqiptar në përgjithësi dhe kundër ish pjesëtareve të UÇK-së në veçanti ne sot kemi një Gjykatë Speciale jashtë territorit të Kosovës e cila Gjykatë mund të jetë vetëm interes i Serbisë, por jo edhe  i Kosovës dhe së shpejti pritet që të ngritën akuzat e para”, thekson avokati Gashi.

Hapat drejt ngritjes së aktakuzave

Ndërkaq avokati Adrian Gjoshi thotë se kjo gjykatë ende nuk mund të filloj me akuzat e para.

Image
Adrian Gjoshi

“Pavarësisht hyrjes në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe Provave, Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk mund t’i ngrisë aktakuzat. Rregullorja e Procedurës dhe e Provave ka paraparë miratimin e të ashtuquajturës ‘Direktivë për Avokatët’, ku do të caktohen kushtet dhe kriteret e nevojshme që avokatët duhet t’i plotësojnë për të pasur mundësi për t’i ofruar shërbimet e tyre juridike në Gjykatën Speciale. Vetëm pas pranimit në këtë regjistër nga paneli, avokatët do të mund të përfaqësojnë. Pra, qoftë ne si avokatë të brendshëm, qoftë avokatët ndërkombëtar, duhet të aplikojnë dhe të pranohen nga paneli”, vlerëson ai.

Ai thotë më tutje se, meqenëse për këto vepra penale mbrojtja është e detyrueshme, pra, i akuzuari duhet patjetër të ketë avokat, asnjë arrestim dhe asnjë aktakuzë nuk do të ngritët pa u miratuar, shpallur dhe hyrë në fuqi kjo direktivë.

Politika nuk mund të ketë kontroll mbi Gjykatën Speciale

Ndërsa sa i përket asaj që vonesa e kësaj gjykate po ndikohet nga situate politike, avokati Gjoshi thotë se kjo nuk mund të jetë, derisa ajo vepron jashtë çdo kontrolli të mundshëm të Kosovës.

“Sa i përket konstipacionit politik në vend, vlerësoj se rrethanat aktuale politike nuk kanë asnjë ndikim në Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale është një organizatë ligjore dhe nuk ndikohet ose nuk do të duhej të ndikohej nga organizatat politike. Aq më tepër, kur kjo gjykatë e ka buxhetin e pavarur dhe funksionon jashtë çdo kontrolli të mundshëm të vendit tone”, thekson Gjoshi.

PAN pengon Gjykatën Speciale

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa ndryshe mendon analisti i çështjeve politike, Faton Mehmeti.

Ai thotë se situata e tanishme politike ka ndikuar në këtë gjykatë, madje koalicioni PAN atë e ka ngrirë për interesa të veta.

“Natyrisht se  funksionalizimi i Gjykatës Speciale lidhet shumë me situatën politike, të cilën po  e mbanë të ngrirë PAN-i, për interesa të tyre. Për më tepër duke ditur se të arrestuarit pritet të jenë pothuajse të gjithë nga ky koalicion, kjo edhe e arsyeton vonesat në krijimin e institucioneve për t’i lëshuar rrugë arrestimeve.  Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe banda e tyre do mundohen me çdo kusht që të bëjnë kompromise me bashkësinë ndërkombëtare në raport me Serbinë vetëm e vetëm që t’i ikin arrestimeve nga Gjykata Speciale. Thaçi ka për qëllim që të djeg të gjithë shokët e luftës për të mbetur i vetëm si hero i gjallë dhe i pastër i UÇK-së, mandej arrestimi i Kadri Veselit vetëm sa i ndihmon Thaçit për tu kthyer në PDK pas mandatit të postit të presidentit. Po bëhet një luftë e madhe brenda PDK se kush kujt t'i'a ngul thikën pas shpine”, thekson Mehmeti.

Ai thotë më tutje se Presidenti Thaçi do të bëj çdo gjë vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij.

“Mos të harrojmë se Thaçi edhe në incizimin e Nazim Bllacës ka dhënë leje të dalë në publik  pasi është siguruar se nuk përmendet, dhe ky njeri është në gjendje të bëj çdo gjë për të shpëtuar lëkurën e tij”, thotë ai.

Ai thotë se këtë gjykatë nuk mund ta ndal askush, vetëm se mund të ketë kompromise të ndryshme.

“Megjithatë, askush nuk mund të ndaloj Gjykatën Speciale, të veproj por do të ketë shumë kompromise  në favor të Serbisë nga liderët e akuzuar për t"i shpëtuar arrestimeve. Këta njerëz janë të rrezikshëm, dhe do t"i bëjnë dëme Kosovës vetëm për të shpëtuar veten”, ka përfunduar  Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat