Vetëvendosje kundër qeverisë gjithëpërfshirëse: Na takon e drejta për të qeverisur vendin

Politika

Vetëvendosje kundër qeverisë gjithëpërfshirëse: Na takon e drejta për të qeverisur vendin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 gusht 2017 Në ora: 14:48
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar më 24 gusht, nga kryesuesi i kuvendit Adem Mikullovci me propozim të koalicionit PAN.

Koalicioni PAN në mbledhjen konsultative të mbajtur javën e kaluar, ishin shprehur të gatshëm për pjesëmarrjen e tyre në seancën e 24 gushtit, mirëpo sot në një konferencë për media kandidati për Kryeministër nga koalicioni i tyre, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ende nuk janë të sigurtë nëse do të marrin pjesë.

Haradinaj është shprehur se ata janë duke bërë përpjekje për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e jo një qeveri me 61 numra.

Sipas analistëve politikë dhe partive politike qeveria gjithëpërfshirëse vjen si rezultat i mos sigurimit të votave për formimin e institucioneve të reja.

Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila ka dalë e dyta në zgjedhjet e 11 qershorit është shprehur për “Bota sot” se koalicioni PAN nuk arrin t’i sigurojë votat si pakicë e aq më pak një qeveri të shumicës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, ka pohuar se e drejta për formimin e një qeverie është e tyre.

Topalli ka shprehur gatishmërinë e tyre për qeverisjen e vendit.

“Është shumë jo e qëndrueshme që të mos marrin pjesë në seancë, deputetët e zgjedhur duhet të marrin pjesë në seancë, duhet ta formojnë qeverinë e atyre aty. Lëvizja Vetëvendosje është partia më e madhe në Kosovë dhe në qoftë se do të duhej të krijonte ndonjë kush një qeveri në një shumicë shqiptare atëherë është Lëvizja Vetëvendosje, ne jemi të gatshëm të marrim këtë përgjegjësi, jemi të gatshëm të qeverisim me vendin edhe në kuptimin që të kemi edhe burimet njerëzore, të rinj, dhe programin qeverisës i cili qytetarëve të Kosovës iu garanton një qeverisje të mirë”,  ka theksuar Topalli.

Sipas Topallit, koalicioni PAN nuk do të arrijë të sigurojë qeverinë me pakicë , e as të shumicës për arsye se nuk do të kenë mbështetje të LDK-së dhe të VV-së.

Topalli e konsideron të pamundur krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse nga koalicioni PAN.

“PAN nuk po arrin që të  sigurojë votat që të krijojnë qeverinë edhe si pakicë e aq më pak një qeveri të shumicës, për arsye se edhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe ne jemi kundër një qeverisje e cila është vetëm për të ardhur në pushtet. Ne jemi për ndryshim e për të ardhur në pushtet me çdo kusht. Nuk është e mundshme  që PAN të krijojë një qeverisje gjithëpërfshirëse, ai nuk mund të formojë një qeveri me një pakicë shqiptare e lere më gjithëpërfshirëse”, ka nënvizuar Topalli.

Krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse është kërkuar vazhdimisht nga Aleanca Kosova e Re, mirëpo kjo gjë nuk është pranuar nga LDK-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat