Kriza pa zgjidhje, kritikohet heshtja e Presidentit dhe ndihma ndaj PAN-it

Politika

Kriza pa zgjidhje, kritikohet heshtja e Presidentit dhe ndihma ndaj PAN-it

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 gusht 2017 Në ora: 06:21
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli

Heshtja e Presidentit Thaçi sa i përket krizës politike dhe zvarritja  zgjedhjes së Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, sipas analistëve tregon qartë se Thaçi po e mbështet koalicion PAN.

Ata konsiderojnë se Presidenti Thaçi po e luan rolin e një shërbëtorit politik të PAN-it, duke bllokuar formimin e institucioneve të reja.

Zyra e Presidentit Thaci nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me këto akuza e as në pyetjen nëse e ka në plan të ndërmarr ndonjë hap për daljen nga kriza.

Image
Mytaher Haskuka

Haskuka: Thaçi President i PDK-së, jo i Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka thënë se Thaçi me veprimet e tij ka treguar që nuk është presidenti i Kosovës po president i PDK-së.

“ PAN-i është duke e keqpërdor të drejtën e dhënë dhe kjo nuk mund të shkoj deri në pafundësi. PAN-i ka të drejtë me propozua por jo me blloku, këtu presidenti është duke e mbështetur PAN për zvarritur krijimin e institucioneve”, është shprehur Haskuka.

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti ka vlerësuar se presidenti Thaçi është  një satelit i cili përfaqëson interesat e PAN-it, e posaçërisht PDK-së.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, Presidenti  Thaçi është më së paku president i unitetit të popullit, i cili vepron brenda mandatit ligjor e kushtetues dhe ka rol vendimmarrës në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendit.

“Gjykoj se Presidenti Thaçi po e luan rolin e  një shërbëtorit politik të PAN-it, duke bllokuar  formimin e institucioneve të reja. Një President si Thaçi përmes dinakërisë së tij politike  po e luan  lojën e një “shpëtimtari”  të Republikës së Kosovës duke e dërguar vendin drejtë një errësire, e cila do të ketë pasoja të riparueshme për një kohë të gjatë”, ka thënë Ahmeti.

Kriza pa zgjidhje

Ai është shprehur se veprimet e Thaçit si “bllokues i formimit të institucioneve  të reja do ta nxjerrin Thaçin prej pozitës së Presidentit  dhe njëkohësisht do të krijonin një standard të ri.

“Shkolla e Thaçizmit duhet të çrrënjoset nga kjo shoqëri, pasi që në vazhdimësi ka prodhuar një frymë e cila ka bllokuar proceset euro-integruese dhe ka ndërtuar logjikën e qeverisjes, e cili jashtë interesave të tij personale dhe PDK-së nuk ka kaluar”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Image
Blerim Burjani

Ndryshe, analisti politik Blerim Burjani duke folur rreth kësaj çështje ka thënë se në këtë gjendje çfarë është Kosova nuk shihet zgjidhja, pasi PAN-i nuk i ka numrat për të mbaruar procedurat kushtetuese.

Sipas tij, ky sistem zgjedhor asnjëherë nuk prodhon një parti që do të fitojë shumicën relative, por nëse nuk ka gjasa atëherë duhet bërë një qeveri teknike dhe për të reformuar sistemin zgjedhor.

“Mendoj se PAN për ti dhënë funksion kësaj gjendje ose duhet të shkohet menjëherë në zgjedhje së bashku me ato lokale sepse nuk ka gjë prej kësaj pune, meqë po shihet plotësisht se nuk ka gjasa fare për të ec ndryshe. Barrikadimi i PAN-it dhe tjerëve e kanë sjell këtë gjendje, madje PAN nuk ka as mundësi të prish këtë koalicion dhe të ndërtojë koalicione tjera, për të bërë qeveri, sepse pa prishjen e PAN-it nuk ka zgjidhje dhe zgjidhja nuk vjen me këtë kontekst të përmbylljes. Pra prishja e këtij koalicioni ndoshta mund të sjellë zgjedhje, sepse kështu si është nuk ka gjasa as minimale madje”, ka thënë Burjani.

Image
Faik Kransiqi

Presidenti të respektojë politikën

Politologu Faik Kransiqi ka vlerësuar se mos konstituimi i Kuvendit është shumë i dëmshëm, bllokon procesin dhe funksionimin e institucioneve tjera politike.

Ai ka vlerësuar se presidenti Thaçi duhet të luaj rolin e tij në bazë të funksioneve që garanton Kushtetuta për të vepruar politikisht.

“Për ta zhbllokuar krizën politike në vend, Presidenti Thaçi është i obliguar ta respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Respektimi i Kushtetutës nga ana e Presidentit do të thotë se, nëse mandatari i parë nuk arrin ta zgjedh krye parlamentarin dhe ta formojë Qeverinë brenda afateve ligjore, atëherë Presidenti është i obliguar që mandatin t’ia kalojë partisë ose koalicionit që garanton se ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Por heshtja e Presidentit Thaçi rreth krizës politike, tregon qartë ashtu edhe siç është pritur, që koalicionin PAN do ta favorizojë deri në pafundësi. Presidenti Thaçi ka bërë të qartë përmes deklaratave të tija , që nuk ka vullnet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme në rast se PAN nuk është pjesë e qeverisë, respektivisht PDK-ja. Dhe nëse Presidenti Thaçi vazhdon duke e favorizuar PAN-in, atëherë kriza politike në vend do të jetë akoma më e thellë se para tre viteve. Kam përshtypjen që kjo krizë do të zgjidhet vetëm me ndërhyrjen ndërkombëtare”, ka thënë politologu Krasniqi.

Image
Mentor Tahiri

Mungesa e shumicës

Politologu Mentor Tahiri ka thënë se Institucioni i presidenti ekziston që veç tjerash të shërbejë si simbol i unitetit të popullit dhe duhet thënë se kritikat e adresuara Presidentit gjatë kohës kur zvarritej thirrja e seancës së parë konstitutive ishin të qëndrueshme, por kritikat tani në këtë fazë do ishin mjaft diskutabile.

Sipas tij, heshtja e Presidentit mund të arsyetohet me faktin se asnjëri tabor politik nuk po dëshmon që ka një shumicë.

“Lidhur me rolin e Presidentit do të mund të kuptohet vetëm në një situatë eventuale që do të krijohej nga bashkëpunimi ndërmjet VV dhe LAA. Por duhet pranuar se këto dy forca politike nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme drejt tejkalimit të kaosit institucional në të cilin po gjendet vendi. Tani këto subjekte, e në radhë të parë LDK gjendet para një testi. Risi është se së paku dy deputet të NISMA shfaqen gatishmëri që të votojnë për një bllok politik i cili dëshmon se ka të mbledhur 60 vota. Mendoj që pas këtij gjesti, nëse VV dhe LAA nuk arrijnë të veprojnë konkretisht, atëherë duhet për t’u përballur realitetin e “pat” pozicionit politik në Kosovë”, është shprehur politologu Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat