Abazi: Pa Thaçin e Veselin, kjo është zgjidhja për krizën në vend

Politika

Abazi: Pa Thaçin e Veselin, kjo është zgjidhja për krizën në vend

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 26 gusht 2017 Në ora: 09:21
Haki Abazi

Kuvendi ka mbetur pa u konstituar, e në këtë mënyrë institucionet e vendit nuk mund të formohen.

Kjo, pasi koalicioni PAN që është fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit nuk po e propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke thënë se kanë nevojë për kohë pasi nuk i kanë votat për zgjedhjen e tij.

Në anën tjetër, koalicioni LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë filluar bisedimet për një bashkëpunim të mundshëm për udhëheqjen e vendit dhe daljen nga kriza.

Lidhur me gjithë këtë gjendje, njohësi i zhvillimeve politike, Haki Abazi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka folur për mundësitë për dalje nga kriza dhe mundësinë e udhëheqjes së vendit nga LAA-VV.

“Kriza politike në Kosovë është pasojë dhe reflektim i krizës së vlerave dhe humbje e rrugës në përgjithësi e një shteti në formim. Të gjithë e ndajmë përgjegjësinë por ata që e kanë sjellë gjendjen në këtë stad janë më përgjegjësit dhe aty ka emra të përveçëm por te gjithë janë pjesëtarë të lojës së njëjtë. Por, ndasitë nuk datojnë nga sot, ato janë që një kohë të gjatë sidomos ato që janë konceptuale. Ndarja është bërë për qëllime dhe ndonjëherë edhe për shkak të mungesës së komunikimit. Pyetja qenësore që nuk ka përgjigje të thjeshtë është nëse ky vërtet është evolucion i klasës politike apo një përlloçje e radhës. Evolucioni do të duhej të shoqërohej me një vizion të madh të mbështetur nga përkrahja qytetare dhe aftësia e tejkalimit të liderëve. Kosova nuk ka nevojë për kult të ri. E kam thënë që marrëveshja ndërmjet LDK-së dhe VV-së është e duhur por nuk është zgjidhja”, ka deklaruar Abazi.

Sipas tij, zgjidhja momentale do të ishte një qeveri e Unitetit Nacional, por pa Kadri Veselin dhe pa Hashim Thaçin pas këtij mandati.

“Një koalicion ndërmjet të Majtës dhe të Djathtës mund të jetë formulë për të dalë nga kriza për momentin por nuk është dalje e vërtetë nga kriza. Një qeveri e Unitetit Nacional pa Kadri Veselin në struktura udhëheqëse të institucioneve dhe pa Hashim Thaçin pas këtij mandati do të ishte zgjidhja e problemit. Në atë rast nuk është e rëndësishme se kush është kryeministri kësaj radhe. Qeveria e Ramush Haradinaj e cila do të ishte e varur nga vota e Listës Srpska,  është qeveri e zorit dhe më shumë pak efekt dhe e sabotuar. Një qeveri e VV-së dhe LDK-së është një përlloçje e radhës e paqëndrueshme dhe me inate që nga fillimi me daulizëm dhe sabotim të njëra tjetrës. Nuk duhet humbur kohë ose duhet ulur në tavolinë dhe të negociohet një qeveri e Uniteti Nacional duke pasur parasysh dhe në qendër të vëmendjes që vetëm kështu do të mund të zgjidhen problemet e mëdha që ka përpara cilado qeveri ose duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Një qeveri e Unitetit Nacional e hap rrugën për votë të fuqishme për plotësimin e shtetndërtimit, reformave të thella në drejtësi, për luftë të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit dhe konsolidimit të interesit nacional duke përfshirë edhe sigurinë kombëtare. Qeveritë e dualizmave qeverisëse nuk janë të suksesshme”, është shprehur më tej ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat