Blofi politik i Kadri Veselit, tenton të shkel Kushtetutën me thirrjen e tij

Politika

Blofi politik i Kadri Veselit, tenton të shkel Kushtetutën me thirrjen e tij

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 26 gusht 2017 Në ora: 17:27
Kadri Veseli, 24 gusht 2017 në Kuvendin e Kosovës

Ka dështuar edhe seanca e 24 gushtit e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pas shumë bojkoteve, dhe sigurisë së tyre se i kanë siguruar numrat, koalicioni PAN, ishte i pranishëm gjatë seancës, por pjesëmarrja e tyre ishte një dorëzim.

Ata edhe zyrtarisht  pranuan se nuk i kanë numrat. PAN, edhe më shumë se dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, po e mbanë të bllokuar konstituimin e Kuvendit, duke mos shfrytëzuar të drejtën për të propozuar kandidatin e tyre si koalicion fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Të enjten kreu i PDK-së, Kadri Veseli, adresoi një thirrje publike, duke thënë se atë që i bën 61 vota do ta mbështes, derisa shtoi se në këtë mënyrë do të tërhiqej nga synimi për të marrë kreun e Kuvendit.

 “Po e them edhe një herë publikisht le të jem shumë i hapur, nuk po flas për disa që janë këtu, po flas për qytetarët e Kosovës, ne sot kur jemi, Hoxhaj e tregoj, situata politike gjendja në këtë Kuvend është 60 vota, nuk është 61 dhe nuk ka të drejt askush t’i bllokoj, është e vërtetë, po flas publikisht, kryesues mbaje evidencë, ditën që t’i bëni 61, unë jam kryetar i PAN-it, kush t’i bëjë 61 le të krijon institucionin e Kuvendit, por mos manipuloni me qytetarët”, është shprehur Veseli.

Propozim pa mbështetje kushtetuese

Image
Mazllum Baraliu

Por, sipas njohësit të çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thirrja e Veselit nuk ka kurrfarë mbështetje kushtuese, pasi posti i kryeplaramnetarit në bazë të Kushtetutës i takon vetëm subjektit apo koalicionit fitues.

“Shumë persona nuk i dinë detalet e Kushtetutës dhe dispozitat e saj, dhe pengesa kushtetuese ekziston, dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk është i autorizuar, as Kushtetutë, as me dispozitat dhe pikat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të gushtit të vitit 2014, që të japë propozim për kryetar të Kuvendit, përveç grupit më të madh parlamentar sipas Kushtetutës, apo koalicionit fitues parazgjedhor sipas vendimit të Kushtetueses. Prandaj ai propozim, sikurse edhe propozimi i Albin Kurtit, që të shkohet me një kandidat, tjetër në qoftë se ata nuk japin propozim, nuk ka mbështetje kushtetuese”, ka thënë Baraliu për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, propozimi i një kandidati tjetër nga koalicioni fitues është mundësi për zhbllokimin e Kuvendit dhe tejkalimin e krizës.

“Por ajo, që mund të ketë zgjidhje është fakti dhe propozimi që në qoftë se kandidati i parë nuk ka përkrahje, kandidati tjetër nga po i njëjti grup mund të gjejë përkrahje. Kjo është një mundësi për debllokimin e gjendjes, pra tejkalimin e krizës, vetëm se duhet të ulën liderët  dhe të bisedojnë mes vete, apo t’i thërras  presidenti ose vet subjektet politike dhe të kenë një konsultim politik, dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për të dalë nga kriza”, është shprehur ai.

Baraliu thotë se është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Kosovë të ndërhyrje, në mënyrë që vendi të mos shkojë drejtë krizës si në vitin 2014.

“Është momenti i fundit që të mos shkohet gjurmëve të 2014, që vendi ishte ne krizë 6 muaj, që bashkësia ndërkombëtare e pranishme në Kosovë, si zakonisht, të ndërhyrje në mënyrë që t’i bind palët dhe të gjejë apo detyrojë për të gjetur një zgjidhje, pasi nëse nuk jemi të zot vet me i zgjidh problemet me mirëkuptim dhe animacione me njeri tjetrin, atëherë është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyje që të mos shkohet edhe më tej në një krize dhe paralizë më të thellë apo drejtë zgjedhjeve të reja”, ka theksuar njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Blof politik i Kadri Veselit

Image
Gurakuç Kuçi

Ndërsa politologu, Gurakuç Kuçi, thekson se deklarimi i Veselit është një blof politik pa mundësi të realizimit.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi mundësinë e zgjedhjes së krye-parlamentarit ekskluzivisht të drejtën ia jep në këtë rast PAN-it, dhe një kandidat për kryeparlamentar duhet të propozohet patjetër nga PAN-i qoftë edhe nëse vjen nga ndonjë subjekt tjetër politik që prapë është ligjore. Çdo veprim ndryshe është kundër-kushtetues, pra deklarimi i z. Veseli është thjeshtë një blof politik, një deklaratë e fortë për publikun pa bazë të realizimit”, thekson Kuçi.

Ai jep tri arsye, që e shtynë Veselin të bëjë një deklarim të tillë publik.

“Ky blof i Veselit u tha me sigurinë e plotë nga ai edhe për tri arsye tjera nga ajo kryesorja që u përmend më lartë: e para është se kushtet e LDK-së ndaj VV-së e pamundësojnë një koalicion mes këtyre dy palëve, pastaj ka një mosgatishmëri të LDK-së për të qenë në qeveri në këtë mandat dhe më shumë po i interesojnë zgjedhjet lokale të 22 tetorit, por edhe për të mos i dhënë hapësirë VV-së që të forcohet më tutje, dhe veç sa vonohet se koalicion rreth LDK-së do të shpërbëhet dhe do t’i bashkohet PAN-it. Arsyeja e dytë është, se veprimet e tanishme të PAN-it edhe nëse dërgohen në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit nuk i merr parasysh për shkak se janë çështje politike. Arsyeja e tretë është, edhe detyrimi për interferim të drejtpërdrejtë të vendeve të Quintit në këtë krizë në anën e PAN-it, duke pasur parasysh të drejtën kushtetuese për kryeparlamentarin”, është shprehur politologu, Gurakuç Kuçi.

Lojë e Kadri Veselit

Image
Besa Gaxherri

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, këtë deklarim të Veselit e quan vetëm një lojë të radhës të tij.

“Kjo është një lojë që Kadria din me bo, është mjeshtër i këtyre gjërave, sepse edhe nëse i bëjmë 61 vota, nuk është se nuk e kemi diskutu këtë çështje, po edhe në qoftë se i bëjmë Kushtetuta nuk na lejon një gjë të tillë, dhe ajo ka me ra, dhe ne kemi me i fitu kohë PAN-it dhe me i humb kohë qytetarëve të vendit, sepse ajo çështje duhet pastaj të shkojë në Gjykatë Kushtetuese, sepse Gjykata sa i përket propozimit për kryetar të Kuvendit tashmë është e qartë”, ka theksuar Gaxherri, për gazetën “Bota sot”.

Sipas saj, PAN duhet dhe është i obliguar që ta shfrytëzojë të drejtën për të provuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe me këtë t’i hapet rrugë vendit.

“Por loja e tij është si lojërat tjera, sepse ata kur donë me qenë korrekt me qytetarë, ata duhet me provu me e krye procedurën kushtetuese sepse e kanë obligim, e pastaj grupi tjetër prej 61 deputetësh në qoftë se mundet me u bo, d.m.th. gjerat sqarohen vetëm atëherë kur këta e provojnë dhe e konsumojnë të drejtën e tyre kushtetuese, pra e propozojnë emrin e kandidatit për kryeparalamentar. Këta e kanë obligim me konsumu të drejtën e tyre kushtetuese me i hapë rrugë vendit, jo fjalë, jo deklarata, jo pallavra, sikur ato që i kanë dëgjuar në Kuvend qytetarët e këtij vendi. Prandaj , kjo është njëra ndër lojërat që i bëjnë ata, edhe deklaratat e Veselit dhe të Kurtit sot kanë qenë tërësisht skandaloze dhe të panevojshme”, është shprehur deputetja e LDK-së të enjten.

Lidhur me atë se LDK dhe Vetëvendosje duhet të lëvizin drejtë një marrëveshje mes tyre, ajo thekson se ata janë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre, por që së pari ju takon PAN-it dhe Vetëvendosjes të bëjnë përpjekjet e tyre.

“LDK-ja është koalicioni i tretë kësaj radhe, dhe koalicioni parë është PAN, i dyti Vetëvendosja. Befasohem pse nuk mundet PAN me Vetëvendosjen nuk mundet me bisedu kur këta kanë bisedu dhe i kanë harmonizu gjitha marrëveshjet për me rrëzu qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja. Pse ata sot nuk munden me gjet asnjë lloj marrëveshje, pasi LDK-ja është subjekti i tretë me radhë, dhe normal që ne jemi të gatshëm me dhënë kontributin tonë”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, deputetja Besa Gaxherri.

Vetëvendosje e gatshme për te quar çështjen përpara

Image
Faton Topalli

Ndërsa, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Topalli, e keqja është që PAN nuk po propozon asnjë kandidatë me arsyetimin që nuk i ka votat.

“Brenda Kuvendit ka deputetë që mund t’i sigurojnë votat për kryeparlamentar. Ne jemi të gatshëm për me e mbështetë atë që siguron shumicën, pra jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë konsultiv në këtë çështje për mos me pengu punën e Kuvendit. E keqja është që PAN nuk po propozon asnjë kandidatë me arsyetimin që nuk i ka votat”, ka theksuar ai.

Topalli, thotë se Vetëvendosja do të angazhohet për të quar çështjen e kryepalramentarit përpara.

“Si Lëvizje Vetëvendosje jemi të interesuar për të quar këtë çështje përpara, dhe kemi me bo përpjekje me i mbledh edhe votat, nënshkrimet edhe për kryetar të Kuvendit, megjithatë këtë çështje është e rregulluar me Kushtetutë dhe e drejta i takon koalicionit i cili ka fituar zgjedhjet me propozu kandidatin, këta nuk po propozojnë kandidatin e tyre”, ka përfunduar deputeti nga Vetëvendosje, Faton Topalli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat