Zgjerohen kërkesat për Gjykatën Speciale, ja edhe për çka duhet t’i hetojë komandantët

Politika

Zgjerohen kërkesat për Gjykatën Speciale, ja edhe për çka duhet t’i hetojë komandantët

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 28 gusht 2017 Në ora: 15:16
Selia e Gjykates Speciale

Ndonëse ende nuk dihen emrat e personave që do të hetohen nga Gjykata Speciale, mundësia që e njëjta t`i hetoj edhe krimet ekonomike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë ekziston ende. Një ide për hetimin e krimeve ekonomike në Kosovë nga kjo Gjykatë, e ka hedhur ish Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa. Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa ka kërkuar disa ditë më parë që Gjykata Speciale të merret edhe me rastet e krimeve politike, si me pasurinë e atyre që u pasuruan pas luftës, që me milionat e tyre dëmtuan buxhetin e shtetit.

Image
Rrustem Mustafa

Propozimi

Ai në një postim në Facebook thotë se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka pasur krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte nga ana shqiptare, andaj kjo gjykatë duhet të zgjeroj veprimin e saj.

“Këtë e them me bindje të plotë, sepse jam i sigurt për këtë të vërtetë, pavarësisht ndonjë gabimi që ka mundur të ndodhë.  Gabimet mund të penalizojnë ndokënd, por ato nuk mund te quhen krime lufte. Pikërisht për shkak të kësaj, them që Gjykata Speciale të zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike që janë bërë pas luftës; të ndiqen ata, që në mënyrë të orkestruar, kanë keqpërdorur pasurinë kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike e deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë, krime këto që ia kanë ngulfatur ecjen e vendit drejt zhvillimeve normale”, ka shkruar ai.

Por një zgjerim të bashkëveprimit të Gjykatës Speciale, njohësit e çështjeve ekonomike e shohin si një tematikë që do të trajtohet nga kjo gjykatë. Sipas tyre, kjo padyshim është një temë shumë relevante, por adresa duhet kërkuar diku tjetër, tek institucionet e Kosovës.

Image
Muhamet Mustafa

Krimet ekonomike problem për institucionet vendore

Kështu profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kjo gjykatë është krijuar për të specifikuar rastin e Raportit të Dick Martit. Sipas tij, kjo gjykatë nuk do të merret me çështjen e krimeve ekonomike.

“Nuk e besoj se kjo është në mandatin e Gjykatës Speciale , e cila është krijuar për një rast specifik i iniciuar me rastin e Raportit të Dick Martit. Pa mohuar problemin që ka apostrofuar Remi Mustafa, ai është një problem shumë relevant për tu adresuar, nuk besoj se zgjidhjen duhet kërkuar nëpërmjet Gjykatës Speciale”, thekson profesori Mustafa.

Sipas tij, për të luftuar një çështje sikurse krimi ekonomik, duhet të ekziston vullneti tek shoqëria civile dhe qytetare që të refuzohet dhe dënohet korrupsioni.

“Ne duhet të krijojmë një masë kritike të vullnetit dhe gatishmërisë politike që të luftohet krimi i organizuar ekonomik dhe korrupsioni,  dhe sipas mendimit tim ky vullnet do të krijohet kur edhe ne si shoqëri kemi një vetëdije civile, qytetare, që të refuzohet dhe dënohet korrupsioni”, vlerëson Mustafa për “Bota sot”.

De-përfytyrimi i politikanëve

Mustafa thotë se vetëm një iniciativë e tillë do të de-fytyroj politikanët që luftën kundër korrupsionit e përdorin vetëm për të arritur në pushtet.

“Kjo do t’i de fytyrojë edhe politikanët që luftën kundër krimit dhe korrupcionit mos ta përdorin vetëm si retorikë në luftën politike primitive partiake për pushtet”, thekson profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa.

Image
Faton Mehmeti

I të njëjtit mendim është njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti. Ai thotë se ndonëse kjo gjykatë nuk do të merret me krimet politike, do të akuzoj patjetër ata persona që kanë kryer krime të tilla. Kjo pasi që, kjo gjykatë do të merret me ata komandantë që janë shndërruar në biznismen e të njëjtën kohë, kanë kryer vrasjet e pasluftës, sidomos ato të veprimtarëve të LDK-së.

“Nuk besoj se është në mandatin e Gjykatës Speciale të merret me krime ekonomike, gjithsesi personat që do të akuzohen me gjasë janë ata që kanë kryer edhe krime ekonomike. Duke ditur se të gjithë komandantët u shndërruan në biznesmen, njerëz të haraçit dhe krimit ekonomik. Këta janë edhe urdhërdhënësit për krimet e pasluftës,  vrasjen e njerëzve të LDK-së, të cilët shikoheshin si pengesë për arritjen e qëllimit të tyre, marrjen e pushtetit”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Rastet që mund të hetohen nga specialja

Mehmeti thotë se si rast të krimit ekonomik, kjo gjykatë mund të merret me rastin e Dino Hasanajt.

“Gjykata Speciale mund të përfshij në disa raste krimin ekonomik, por vetëm në ato raste ku ka pasur edhe të vrarë si p.sh vrasjen e Dino Hasanajt, që lidhet direkt me çështje biznesi. Në këtë sens kjo edhe do të ndodh, pa harruar se krimet ekonomike janë pjesë e biznesit të të ashtu quajturëve komandantë”, vlerëson ai.

Sipas tij, vetëm kjo gjykatë mund ta pastroj Kosovën nga kapja e kriminelëve.

“Kosova po vuan shumë ende nga krimet e kryera ekonomike dhe politike, prandaj Gjykata Speciale edhe mund të pastroj kapjen e shtetit nga kriminelët”, thekson analisti Mehmeti.

Gjyakata Speciale, tashmë ka nisur të funksionalizohet ndërsa pritet edhe ngritja e aktakuzave të para për krime lufte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat