Si do të veprojë legjislatura e ardhshme me Demarkacionin?

Politika

Si do të veprojë legjislatura e ardhshme me Demarkacionin?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 29 gusht 2017 Në ora: 16:06
Foto ilustrim

Ndonëse janë bërë dy vjet që nga nënshkrimi i saj, marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, nuk është ratifikuar ende në Kuvendin e Kosovës.

Situata aktuale politike po e zvarritë edhe më shumë, miratimin e marrëveshjes për Demarkacionin në Kuvend.

Ditë më parë, Sami Kurteshi deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, ka shprehur pajtimin e tij me një deklaratë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, lidhur me përcaktimin e kufijve.

Image
Sami Kurteshi

“Mendoj se duhet të bëhet vërtet caktimi shkencor edhe faktik ë teren sepse në kemi interes që të bëhet demarkacioni i të gjithë kufijve të Kosovës, madje edhe me Serbinë e cila nuk është hiç e interesuar që të bëhet kjo çështje. Mirëpo, pajtohem me Delaëie që kjo punë ka marr fund me njohjen e Kosovës me shpalljen e Pavarësisë sepse ata kufij janë ndërkombëtar dhe vetëm ata tani duhet të demarkohen”, ka thanë deputeti Kurteshi.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se mos krijimi i institucioneve do të zvarrisë shumë procese të rëndësishme për Kosovën.

Bulliqi nuk lëvizë nga qëndrimet

Ish deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi, ka pohuar se është gjë normale që pas një refuzimi dhe kundërshtimi aq të madh të marrëveshjes së demarkacionit, ajo nuk ka gjetur zbatim, ndërsa ka shprehur shpresën që marrëveshja në formën aktuale të gjej zbatim kurrë.

Image
Shpejtim Bulliqi

Sipas tij, situata aktuale politike e shtynë edhe me tutje zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Megjithatë kjo marrëveshje është dashur që në fillim të sillet në kuvend, të rrëzohet me vota dhe pastaj një marrëveshje e re të korrigjohej në pikat kontestuese dhe më pastaj të zbatohej”, thotë ai.

Bulliqi ka potencuar se nuk ka vërejtur ndërrim të qëndrimeve të partive rreth kësaj marrëveshje.

“Ajo çka kam vërejtur është një ndërrim i vëmendjes se temave që janë me prioritete në opinionin publik. Për momentin dominojnë temat siç janë: mungesa dhe mundësia e themelimit të institucioneve të Kosovës, pastaj zgjedhjet e mbajtura nacionale si dhe mbajtja e atyre lokale.Nuk besoj që subjektet që e kundërshtuan atë marrëveshje apo deputetet e rizgjedhur të ndryshojnë qëndrimin e tyre sepse asgjë nuk ka ndryshuar, asnjë hap nuk është ndërmarrë për të korrigjuar atë marrëveshje. Nuk pajtohem me askënd që pretendon se Pavarësia e Malit te zi apo Kosovës të jenë shpallur me vijën kufitare sipas marrëveshjes së demarkacionit të 25 gushtit 2015”, ka thënë Bulliqi.

Pasojat i vuajnë qytetarët

Ai ka vlerësuar se vet hartat zyrtare të publikuara nga të dyja vendet në disa raste edhe pas shpalljes së Pavarësisë së dy vendeve e dëshmon këtë (zyra/agjencia e statistikave te Malit te zi, pastaj simbolet shtetërorë te Kosovës etj).

“Menaxhimi i agjencisë së pylltarisë i zonave me pyje (zhleb) i vijës kufitare sipas marrëveshjes së demarkacionit e dëshmon se asnjëri shtet nuk e ka potencua apo përshkrua me fjalë tekstualisht linjën e përkufizimit mes dy vendeve kur i shpallën Pavarësitë. As autoritetet malazeze madje as ato Kosovare nuk kanë prezantuar ndonjë dokument që dëshmon se kufiri i delimitimit 1945/1946 të ketë ndryshuar ndonjëherë. Marrëveshja në fjalë vetëm duhet të korrigjohet në segmentet kontestuese. Dhe për fund dua të potencoj faktin se : ne kemi bërë matjen e Malit të Zi, i kemi publikuar vlerat dhe ato nuk përputhen me vlerat zyrtare të institucioneve të Malit të Zi, pra ne kemi dëshmuar se Mali i zi po rritet në sipërfaqe, sepse askush nuk doli të na demantojë, as vendoret, e as nga Mali i Zi por as edhe nga Bashkësia Ndërkombëtarë”, ka thënë Bulliqi.

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka pohuar se mos krijimi i institucioneve do të zvarrisë shumë procese të rëndësishme për Kosovën.

“Mendoj që gjitha partitë politike çështjen e Demarkacionit e kanë përdorur për çështjet e tyre partiake. Të gjitha partitë e kanë ditur fare mirë se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi ka marrë fund, por thjesht na kanë dhënë spektakël. Njëra palë duke na thënë që është në rregull, dhe pala tjetër duke na thënë që nuk është në rregull. Populli nuk është fare në dijeni se si është puna e Demarkacionit, dhe pikërisht ata janë duke pësuar me izolim për shkak të moszgjidhjes së kësaj çështje, të vënë si kusht për liberalizim të vizave nga ana e BE-së”, ka thënë politologu Kransiqi.

Sfidë për qeverinë e ardhshme

Ai ka vlerësuar se Qeveria e ardhshme duhet të gjejë mënyra tjera për të dal nga kjo bllokadë me Demarkacionin.

“Zgjidhja dhe rrugëdalja nga kjo bllokadë duhet të jetë e karakterit politik të brendshëm. Demarkacioni ka nevojë për një hulumtim. Duhet të krijohet një komision hetimor parlamentar që të shohim se çfarë ka bërë e çfarë jo Komisioni i mëhershëm, për të cilat qëndrime dhe vendime mendoj se ishin misterioze. Dhe krijimi sa më i shpejt i institucioneve do të thotë zgjidhje e shumë problemeve politike dhe ekonomike, do të thotë dalje sa më e shpejt nga ky izolim i padrejtë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës. Për shkak të fajit të kësaj klase politike mafioze në pushtet, dhe fajit të Brukselit zyrtar që po i ndëshkon qytetarët e pafajshëm të Kosovës, në vend se t'i ndëshkojë me izolim këta politikanë që e kanë sjellë Kosovën dhe qytetarët e saj në këtë gjendje”, ka thënë politologu Krasniqi.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Vetëvendosje ka ndryshuar

Ndryshe analisti politik Faton Mehmeti ka vlerësuar se derisa Vetëvendosje ishte lëvizje, ishte e papranuar nga ndërkombëtarët, mirëpo me shndërrimin e saj, në parti ajo ndryshoi edhe qasjen ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare.

Sipas tij, e gjithë kjo rezultoi me ndryshim të qëndrimeve të saj, ndaj çështjeve siç janë demarkacioni dhe asociacioni.

“Deklarata e fundit e Sami Kurteshit, është një ndryshim radikal i qëndrimeve i VV-së ndaj demarkacionit. Kosova ka gabuar me demarkacionin dhe kjo nuk diskutohet, mirëpo duket proces i pakthyeshme dhe e vetmja gjë që mund të bëhet është të bijë dakord me Malin e Zi , ku që një rishqyrtim të saj në fazat e më vonshme. Kosova nuk mundet të mbetët peng i demarkacionit dhe në këtë sens duhet ecur tutje për mos të ngelur mbrapa në kohë. VV pritet të zbus qëndrimin e saj edhe në kuvend , dhe besojë se demarkacioni do të mbetet kështu siç është”, ka thënë Mehmeti.

Image
Islam Krasniqi

Kriza politike zvarrit demarkacionin

Analisti politik Islam Krasniqi ka pohuar marrëveshja e demarkacionit do të merr edhe vite të tjera për zbatimin e saj, sepse është nënshkruar pa menduar mirë dhe pa u konsultuar më asnjë ekspert, të fushës së caktuar, dhe tash populli dhe qeveria në pritje do të përballet me pasojat e kësaj marrëveshje.

Ai ka vlerësuar se kjo krizë politike e shtyn edhe për një kohë të caktuar miratimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, ku edhe partitë politike akoma qëndrojnë prapa deklaratave të tyre.

“Nuk pajtohem më deklaratën e ambasadorit të SHBA-ve në Prishtinë z. Deleëie që kjo punë ka marrë fund, sepse Pako e Ahtisarit është shpallur në bazë të kushtetutës së vitit 1974, ku kjo pjesë ishte brenda kufijve të shtetit tonë që e kishim atë kohë, dhe nuk ka rëndësi çka thotë Sami Kurtesh, sepse kjo duhet të vërtetohet që edhe populli të bindet për një veprim të tillë, që të pajtohet me realitetin, cili do që të jetë ai. Patjetër duhet të gjendet një kompromis, së më këtë marrëveshje janë lidhur shumë procese për ndërtimin e shtetit tonë dhe tek e fundit nëse Amerika kërkon ashtu ne duhet të pajtohemi, ti falim tokë edhe Malit të Zi, ashtu siç i kemi falur Maqedonisë, histori e cila është po na përcjellë me shekuj, duke falur territor që nga molla kuqe, nga veprimet e pa përgjegjshme të individëve të caktuar”, ka thënë Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat