Abazi: Kush i beson Thaçit pas të gjitha tradhtive, unë do ta udhëhiqja ekipin e unitetit me disa kushte

Politika

Abazi: Kush i beson Thaçit pas të gjitha tradhtive, unë do ta udhëhiqja ekipin e unitetit me disa kushte

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 31 gusht 2017 Në ora: 16:45
Haki Abazi

Sot është mbajtur takimi në Bruksel në mes të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas këtij takimi, presidenti ka kërkuar që partitë politike në Kosovë të bashkohen dhe të formojnë institucionet dhe ekipin e unitetit për bisedime me Serbinë.

Por, njohësi i zhvillimeve politike në vend, HakiAbazi, dialogun e sheh si një lojë dashakeqe, që tani në nivel presidentësh, gjegjësisht okupim të pozitës nga presidenti Thaçi.

Abazi: Thaçi dhe Tahiri po shkelin Kushtetutën

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se Thaçi, njësoj sikur Edita Tahiri me kolegët e saj, po e shkelin Kushtetutën.

“Dialogu është një lojë dashakeqe, sabotuese për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës dhe po bëhet sa për sy e faqe. Nga niveli i kryeministrave, tani është bartur në nivel të presidentëve. Nëse në Serbi pozita e presidentit ka një forcë ekzekutive, në Kosovë pozita e presidentit është vetëm reprezentative dhe në rastin e Thaçit është një okupim i pozitës me forcë dhe vendimet janë tipike arbitrare. Është në parim gabim se çfarë është duke u bërë, por në përmbajtje edhe më shumë duke qenë se marrëveshjet e arritura janë të dëmshme e të pazbatueshme dhe vonojnë apo e margjinalizojnë agjendën shtet-formuese. Lista Srpska është produkt i dialogut që sot e saboton shtetësinë, Serbia nuk e ka heqë Kosovën nga Kushtetuta dhe deklarohet se Kosova është pjesë e saj. Në rastin e zbatueshmërisë së plotë, kjo që po bën sot Thaçi dhe atë që ka bërë Tahiri me kolegët, janë shkelje e Kushtetutës dhe rrjedhimisht vepra penale në kundërshtim me interesin e shtetit. Në të gjitha fushat e negociuara, Serbia ka përfunduar hisedar i kthyer në Kosovë dhe kjo nuk është e pranueshme dhe të gjithë njerëzit që e kuptojnë nuk do të pranonin që të hynin në një grup uniteti në fund të "pazarit", ku çmimi është shumë i lartë”, është shprehur Abazi.

“Kush i beson Thaçit pas krejt tradhtive politike që i ka bërë?!”

Më tej, ai ka pyetur se si mund t’i besohet Thaçit pas gjithë tradhtive të tij, derisa shton se do ta udhëhiqte vetë ekipin e unitetit, por me disa kushte.

“Kush do ta paguajë këtë faturë të lartë dhe pse është kujtuar Thaçi tani të bëjë grup uniteti. Ai do që përgjegjësinë ta shes për bllokimin dhe izolimin e vendit. Kush i beson Thaçit pas krejt tradhtive politike që i ka bërë?! Unë personalisht do të udhëhiqja ekipin për negociatat me fqinjët përfshirë edhe Serbinë, por duke filluar nga e para dhe me kushtet që Serbia sidomos paraprakisht, por edhe Maqedonia të plotësojë për të treguar se ata vërtetë janë reformuar në mendësinë e politikës dhe qasjes ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Serbia sot dialogon me Prishtinën dhe jo me Kosovën dhe vazhdon ta trajtojë Thaçin dhe të tjerët si hamalgjinë dhe njerëz të kategorisë së dytë dhe jo partner të vizionit të ri për rajonin”, ka deklaruar Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat